Stop duhanpirjes – ruaj shëndetin dhe cilësinë e jetës 

Studime të ndryshme shkencore vërtetojnë dëmet që shkakton duhanpirja për trupin dhe shëndetin e njeriut. Të gjithë e dinë se pirja e duhanit jo vetëm se është i dëmshëm për shëndetin e njeriut, por shkakton shpesh deri edhe vdekjen e parakohshme! Në trajtimin vijues  ju njohim me efektet e vërteta q shkakton pirja e duhanit si dhe disa këshillat për ta lënë atë…

Dëmet e vërteta për shëndetin e njeriut nga pirja e duhanit

Është e njohur se pirja e duhanit na dëmton dhe na bën keq si dhe se nga pirja e tij mund të vdesim! Për çdo vit në të gjithë botën numri i të vdekurve që si shkak kanë duhanpirjen rritet me ritme shqetësuese. Ndikimi negativ i cigareve për trupin e njeriut janë të shumta dhe ato ndikojnë çdo ditë në cilësinë jetësore të duhanpirësit, bile edhe të rrethit të tij të ngushtë. Gjatë djegies (pirjes) duhani liron deri në 4 mijë lëndë, që nga nikotina dhe monoksidi i karbonit dhe deri te katranet, substancat me përbërje benzopireni, kobalti radioaktiv,… që janë ndër shkaktarët kryesorë të kancerit të mushkërive. Ne në ketë trajtim do përqendrohemi mbi dëmet kryesore, duke  lënë anash listën shumë të gjatë të dëmeve që shkaktohen drejtpërdrejt nga duhani, ato që ndikohen apo rëndohen prej tij.

Dëmet në frymëmarrje

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 90-95% e tumoreve të mushkërive shkaktohen nga pirja e duhanit dhe fjala bie gjetjet e vitit 2013 vërtetuan se në Itali cigaret janë përgjegjës për rreth 30‘000 vdekje në vit nga kanceri në mushkëri. Pirja e duhanit tek mushkëritë shkakton bronkit akut afatgjatë, bronkit kronik dhe emfizemë, si dhe incidencën dhe ashpërsinë e episodeve astmatike dhe infeksionet e përsëritura të frymëmarrjes.

Dëmet për zemrën

Pirja e duhanit është shkaktari kryesor i infarktit dhe i sëmundjeve koronare të zemrës te gratë dhe burrat dhe veçanërisht ajo është e lidhur me 30% të vdekjeve nga sëmundjet koronare të zemrës. Duhani rrit rrezikun e arteriosklerozës dhe të infarktit miokardik, sepse ai favorizon formimin e pllakave dhe formimin e trombeve. Sëmundja koronare arteriale shkaktohet nga monoksidi i karbonit dhe nikotina. Ajo është një nga sëmundjet më të zakonshme në vendet e zhvilluara. Duhanpirësit rrezikojnë të sëmuren dy herë më shumë sesa ata të cilët nuk e pinë atë.

Duhanpirja shëmton

Edhe nga pikëpamja estetike duhanpirja ka një ndikim negativ mbi trup. Në fakt duhani zvogëlon imunitetin karshi pllakave bakteriale, shkakton një zverdhje të dhëmbëve dhe rrit rrezikun e infektimit të mishit të dhëmbëve. Përveç këtyre, duhani përshpejton plakjen e lëkurës.

Duhanpirja rrezikon shtatzëninë

Pirja e duhanit gjatë shtatzënisë është thuaja se baras me një krim, sepse kjo gjë mund t’i shkaktojë dëme të përhershme fëmijës tuaj ose në raste të tjera mund t’ju shkaktojë dështim spontan. Një grua shtatzënë e cila pi duhan ka një rrezik më të madh për të  lindur fëmijë të vdekur ose të lindë një fëmijë nën peshë. Gjithashtu pirja e duhanit gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë një vonesë në rritjen dhe zhvillimin mendor të fëmijës, si dhe t’ia dëmtojë atij mushkëritë.

Duhanpirja dhe pasojat për jetën seksuale

Tymi i duhanit është një faktor rreziku shumë i rëndësishëm në mosfunksionimin e organeve gjenitale të meshkujve. Një studim i kryer në Masashuta ka treguar se si pirja e duhanit rrit rrezikun e impotencës, me një normë mes 5% dhe 15% më të lartë sesa ajo e joduhanpirësve. Por duhani nuk ka një efekt të dëmshëm vetëm mbi nivelin e enëve të gjakut, ai ndikon drejtpërdrejtë edhe në indet gjenitale të mashkullit.

Duhanpirja shkakton kancer jo vetëm në mushkëri

Pirja e duhanit rrit rrezikun e kancerit të fshikëzës, mëlçisë, laringut, ezofagut, pankreasit dhe gojës. Duhani, përveç këtyre, është një faktor rreziku për zhvillimin e diabetit në kohë të hershme. Kur kombinohet me pirjen e alkoolit ky rrezik shkon 150/1 në raport me popullsinë joduhanpirëse. Duhani, duke kontribuar në vazokonstruksionin (ngushtimin) e enëve të gjakut të stomakut rrit përqindjen për ulcerën e stomakut, ndërkohë që rritet 2,7 herë rrezikun për kancer në stomak. Duhani shkakton shumë sëmundje dhe është i dëmshëm për shëndetin e njeriut. Njerëzit mundohen ta lënë duhanin, por nuk munden, pasi ata janë mësuar ta konsumojnë shumë atë. Disa njerëz mendojnë se duhani të largon dhimbjen e kokës, por përkundrazi ai e shton akoma më shumë atë, por ne nuk e ndiejmë.

Informata tjera në shqip për lënien e duhanit dhe në përgjithësi shëndetin në Zvicër

Për më shumë rreth fushatës për jetë të lirë nga duhanpirja në Zvicër mund të mësoni nga broshura e bashkangjitur në PDF në gjuhën shqipe të Entit Federal për Shëndetësi të Zvicrës, të cilën mund ta shkarkoni nga vega vijuese: www.migesplus.ch

Shqiptarët në Zvicër – pjese e aktive e fushatës “Stop duhanpirjes!”

Ka vite që në Zvicër është duke u udhëhequr një fushatë informuese për sensibilizimin e bashkëkombëseve në lidhje me dëmet dhe rreziqet qe shkakton duhanprirja si mundësit mbështetëse për lënien e duhanit. Gjithandej nëpër Zvicër me komunitetin tonë janë zhvilluar e do të vazhdojnë të mbahet mbrëmje informative me ligjërues në gjuhën shqipe nga trajnues për lënien e duhanit me temën DUHANI DHE VARSHMËRIA, në të cilën bëhet fjalë për duhanin, varshmërinë, dëmet dhe mundësitë e ndërprerjes si dhe ofertat e projektit „Jeto pa tym!“

Këto aktivitete i kryesojnë veprimtarë i mirënjohur Ibish Neziri dhe aktivistja e komunitetit shqiptar në Zvicër Lindita Alidema Kokollari, … Për më shumë rreth këtyre aktiviteteve mund të lexoni në vegët vijuese:

http://prointegra.ch/stop_duhanit/
http://prointegra.ch/jeto-pa-tym/
http://prointegra.ch/konkurs-shprblyes-stop-duhanit-prej-1-30-qershor-mimi-kryesor-5000-franga/
http://prointegra.ch/isgf_01/
http://prointegra.ch/stop-duhanit/
http://prointegra.ch/merrni-koh-pr-nj-pauz-duhani-gjat-ramazanit/
http://prointegra.ch/smokefree-filmwettbewerb-public-voting-fuer-den-besten-spot/