Haradinaj në Berlin, Thaci me Vuciqin në Bratisllavë

Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë, nga dita kur kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, do të takohet në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel. Ky takim do të zhvillohet më 6 qershor, ku do të bisedohet për marëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe për procesin e mëtutjeshëm.

Por, është bërë e ditur se po të njejtën ditë, do të takohen edhe presidentët e Kosovës dhe ai i Serbisë. Thaci dhe Vuciq do të takohen në Bratisllavë të Sllovakisë, ku sic është bërë e ditur do të flasin për shqyrtimin realist të opsioneve aktuale për Samitin e Parisit.

Pas rezultatit zhgënjyes të Samitit të Berlinit, më 29 prill, palët u larguan edhe më shumë nga rruga e Marrëveshjes Finale, dy presidentët kanë vendosur që të diskutojnë paraprakisht dhe të angazhohen për parandalimin e dështimit eventual edhe të Samitit në Paris, që do të mbahet më 1 korrik, njofton Klan Kosova.