Si e shihte Donika mërgatën në Gjermani një dekadë më parë ?!

 

“Sot Kuvendi po konstatohet si asnjëherë më parë, me mbi 50%, kemi një mandat të qartë për ta bërë shtetin tonë një shtet normal ligjor evropian” ishte ky një konstatim i zonjës Donika Gërvalla- Schwarz, me tu zgjedhur Ministre e punëve të jashtme në qeverinë e Kosovës. -Me këtë rast nga arkivi shkëputa një fjalë të saj se si e shihte ajo para 10 vitesh mërgatën shqiptare në Gjermani, fjalë këtë që e lexoi e ëma, zonja Suzana Gërvalla në “Ditët e mërgatës” në Prishtinë, më 4 Gusht 2010

 Përgatiti:  Rexhep Rifati  

Përndryshe e bija e heroit Jusuf Gërvalla, që prej vitesh jeton në Gjermani, përmbledhtazi përmend se mërgimtarët e parë erdhën si punëtorë krahu, ndërsa që pjesëtarët e gjeneratës së dytë shkollohen në universitete prestigjioze, porse nuk ftohen nga institucionet e Kosovës për të dhënë kontribut në vendlindje.

Me këtë rast po japim disa theksime të shkruara nga e bija Donika Gërvalla , e cila prej vitesh jeton në Gjermani, ndërsa që këtë fjalë të saj në “Ditët e mërgatës” në Prishtinë, më 4 Gusht 2010 e lexoi e ëma e saj zonja Suzana Gërvalla ( pasi që Donika për shkak të obligimeve nuk mundi të merr pjesë në këtë takim). Ja disa këndshikime të Donikës lidhur me mërgatën tonë në Gjermani, e sidomos lidhur me pozitën e femrës shqiptare në këtë vend.

Në dekadën e saj të pestë

Diaspora shqiptare në Gjermani tashmë ka hyrë në dekadën e saj të pestë. Ardhja në vitet ’60 dhe më vonë ’70 e punëtorëve nga Kosova për të ardhurit përfytyrohej kryesisht si një qëndrim prej pak vitesh.  Erdhën në Gjermani për  motive ekonomike dhe me punën e rëndë që bënin këta punëtorë jo vetëm që ngritën standardin jetësor të familjeve të tyre por edhe të shoqërisë kosovare në përgjithësi. Nga qëndrimi sezonal për shumicën e punëtorëve të ardhur në atë kohë me pasaporta jugosllave u bë qëndrimi i përhershëm, ose së paku qëndrim deri në arritjen e moshës së pensionit. Fillimisht pak, por me kalimin e kohës gjithnjë e më shumë prej tyre filluan të sjellin edhe bashkëshortet e tyre si dhe fëmijët që nuk ishin ende në moshë shkollore. Fëmijët para se të hynin në shkollë shpesh i kthenin tek familja e gjerë në Kosovë duke u përpjekur më këtë të mbronin tek këta fëmijë jo vetëm gjuhën amtare, por edhe mënyrën e jetesës në Kosovën e atëhershme.

Bashkëshortet e punëtorëve të parë kosovarë në Gjermani ishin kryesisht gra të thjeshta dhe punëtore nga të gjitha anët e Kosovës. Të shpërngulura nga ambienti i zakonshëm dhe familja e gjerë, ato shpesh i kalonin ditët të vetmuara duke bërë punët e shtëpisë dhe duke rritur fëmijët. Vetëm një pakicë shumë e vogël të këtyre femrave  filluan që në atë kohë të punonin.

Në vitet e 90-ta kishte rreth 500.000 shqiptarë në Gjermani

Në fillim të viteve ’90 filloi të shtohej përsëri numri i Kosovarëve në Gjermani. Këtë herë vinin ata që e ndienin veten të kërcënuar nga regjimi gjithnjë më i egër serb ose që ishin lodhur nga trajtimin që iu bëhej në Kosovë vetëm pse ishin shqiptarë. Numri i Kosovarëve në Gjermani arriti kulmin në vitin 1999, kur në këtë shtet strehoheshin rreth 500.000 shqiptarë. Gjenerata e re që erdhi ishte më e arsimuar dhe më e shkathët në gjetjen e shanseve që ofron Gjermania. Shumë prej tyre mësuan  shpejt gjermanishten dhe ndikuan në ndryshimin e opinionit të gjermanëve karshi femrës kosovare.

Gjenerata e dytë, pra kryesisht fëmijët e punëtorëve të ardhur gjatë viteve ’60-’70 jo rrallë i shihnin plot çudi këto femra kosovare kaq moderne dhe të shkathëta në paraqitje dhe në mendje.

Sëmundjet depresive fenomen i përhapur tek femrat shqiptare në diasporë

Sëmundjet depresive janë një fenomen shumë i përhapur ne radhët e femrave shqiptare në diasporë. Do të ishte detyrë e specialistëve të hulumtojnë arsyet e këtij fenomeni kaq të përhapur, por edhe njëkohësisht kaq të heshtur. Shtrohen pyetje jo të lehta që kërkojnë përgjigje dhe mbështetje edhe nga institucionet kosovare, si p.sh.:

Cili është interesi vital i Kosovës: Evitimi me çdo kusht i integrimit me qëllim mbrojtjen e gjuhës dhe identitetit apo arsimimi dhe integrimi sa më i mirë i femrës shqiptare në Gjermani?  A e përjashtojnë këto dy fenomene njëri-tjetrin? A është futbollistja e ekipit kombëtar gjerman, Fatmire Bajramaj një shembull i mirë për Kosovën apo shenjë e asimilimit të saj në Gjermani? Nuk di se cili është mendimi juaj, por kur e pashë në TV Fatmiren duke i dhënë dorën dhe duke pranuar komplimentet e presidentit gjerman si kampione bote, atëherë mua personalisht m’u bë zemra sa krejt Peja, prej nga vjen familja e saj.

 

Pse të mungojnë librat në gjuhën shqipe për fëmijët e vegjël?

 

Ku mbetën librat në gjuhën shqipe për fëmijët e vegjël në diasporë? Libra tërheqës me gjuhë të thjeshtë dhe të pastër? Kaq vështirë qenka të botohen  libra me karton të trashë, me nga 20 objekte të ndryshme për çdo faqe dhe vizatime të bukura dhe me shumë ngjyra?  Nënat që rrisin fëmijët e tyre jashtë Kosovës e dinë mirë se sa vështirë është të gjesh për fëmijët e çfarëdolloj moshe libra në gjuhën shqipe, të cilat mund të kuptohen edhe nga fëmijë që nuk janë rritur në Gjermani apo diku tjetër jashtë Kosovës.

 

E njëjta gjë vlen edhe për ndonjë CD me muzikë për fëmijë. A thua nuk mund të botojnë institucionet kosovare një CD me ninulla në gjuhën shqipe, me qëllim që edhe fëmijët tanë të mund t’i zërë gjumi me këngë që prindërit i njohin që nga fëmijëria e tyre. Nëse janë harruar ato këngë në Prishtinë, atëherë do të mjaftonte që një profesionist të shkojë nja 2 javë nëpër fshatrat e Kosovës dhe të mbledhë atje këngët e djepit të regjioneve të ndryshme.

Ato dhjetëra vajza të reja kosovare, të shkolluara më së miri në universitetet prestigjioze gjermane apo diku tjetër, kush përkujdeset institucionalisht për to? Kush i fton ato (jashtë ftesave proklamative) që të japin në Kosovë kontributin e tyre në fushat që kanë studiuar? Ato vajza vendin e tyre e gjejnë gjithkund, por Kosovës do t’i kishin edhe më shumë hije.

 

Pse në Kosovë tallen me mërgimtaret me xhaketa të lëkurës?!

 

Çfarë e karakterizon në sytë e opinionit kosovar femrën shqiptare në diasporë? Vallë xhaketat e lëkurës dhe flokët e dredhura në mënyrë artificiale me të cilat tallen ne Kosovës kur afrohen pushimet e verës? Natyrisht që gjatë talljes harrohet fare që femra shqiptare e një gjenerate të caktuar në Gjermani asnjëherë nuk ka investuar shumë para për veshje dhe frezuara, sepse paratë i ka kursyer për të ndihmuar familjen e gjerë në Kosovë për shumë vite me radhë. Kjo listë mund të zgjatet edhe më shumë. Por unë po e përfundoj këtu. Në fund dëshiroj të falënderoj përzemërsisht organizatorët e këtij takimi të këndshëm për ftesën e bërë dhe juve të gjithëve për vëmendjen.

 

( Nga arkivi përzgjodha disa nga fotot me zonjën Donika dhe fotot që kam shkrep gjatë vizitave në Dubovik)