Shtëpia muzeale e Filip Shirokës në Shkodër, josh me stil e traditë  

Pas zhgënjimeve që përjetova tek shtëpitë e figurave të shquara kombëtare në pjesë të ndryshme të Shqipërisë, sidomos me shtëpinë e vëllezërve Frashëri në Frashër, apo të Nolit në Durrës e Fishtes në katundin Fishtë, më në fund në Shkodër pash një objekt të veçantë, shtëpinë ku kishte jetuar poeti ynë i madh lirik Filip Shiroka,  ndërtuar më 1694, në ballë të së cilës është gdhendur portreti i këtij rilindësi.

Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati 

Në këtë objekt, dikur të braktisur, të kthyer në Hotel Restorant Tradita Geg & Tosk, mysafirët përjetojnë çaste shumë të këndshme me artistë- këngëtarë e muzicient por edhe me ushqime shumë të shishme tradicionale.  Për të gjitha këto përkujdeset historiani Gjon Dukgilaj, pronari i “Traditës”, që pasion ka edhe grumbullimin e vlerave etnografike e të fotografive të Marubit. Kjo ka bërë, që tash objekti të kthehet edhe në një muze, ku pos tjerash, ruhen edhe kostume kombëtare nga treva shqiptare.

Me Jakup Rekën, më 26 Shkurt 2017, vizituam dhomën 110 të poetit të “dallëndysheve”, që gjendet në katin e dytë të kësaj shtëpie disa shekullore,  një dhomë e ruajtur dhe e pajisur me orendi klasike nga koha shkrimtarit. Siç joshnin dikur vargjet e poetit, tash aty josh fryma e traditës e bartur deri në ditët tona.

Edhe më vonë dy herë radhazi isha mysafir në këtë restorante, qe ka edhe bujtinat e tija e ku mund të bësh një gjumë shumë të këndshëm, duke ëndërrua edhe poetin tonë të madh të vargjeve përplot mall e nostalgji për vendlindjen e tij të bukur, Shkodrën, këtë perle të kulturës sonë kombëtare.

 

Ja edhe disa fragmente nga një shkrim më i gjatë, përgatitur nga  K.TraboiniBoston 2002

Poeti zë-ëmbël i Dallëndyshes

Filip Shiroka ka lindur ne qytetin e Shkodrës ne vitin 1859 dhe u rrit ne nje mjedis te kulturuar. Qe i vogël ndoqi mësimet ne shkollën e françeskanëve, ku ka patur mësues poetin arbëresh Leonardo De Martino, i cili do ti ushqente dashurinë per artin poetik. Ashtu si miku i tij nga i njejti qytet Pashko Vasa, ai do te shkonte për te ndjekur studimet e larta ne Itali. Ne vitet e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit, kur fuqitë e mëdha, pasi dështuan t’i jepnin Malit te Zi, Hotin e Gruden, vendosen t’ia kompensojnë me Ulqinin e Tivarin…

Filip Shiroka ishte poet me ndjenja te holla, nje krijues lirik i lindur e krejt i natyrshëm, nje mjeshtër i gjuhës, i shprehjeve te embla dhe te pastra si kristali, e për këtë ai zë një vend te nderuar ne historinë e Letërsisë Shqipe. Eshtrat e Filip Shirokes, u sollën nga Libani ne Atdhe dhe u rivarrosen ne qytetin e Shkodrës rreth një çerek shekulli pas vdekjes se poetit ne nje ceremoni ku morën pjese mijëra e mijëra qytetare shkodrane admirues te poetit zëëmbël te “Dallendyshes”.

Poezia “Shko Dallëndyshe”

Udha e mbarë se erdh pranvera,
shko, dallëndyshe tue fluturue,
prej Misirit n’dhena tjera,
fusha e male tue kërkue;
n’Shqipni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n’qytetin tim.

Shëndet prej meje të m’i falësh
saj shpisë vjetër ku kam le,
me ato vende rreth t’përfalesh,
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet qytetit tim.

Me ato male, me ato kodra,
me ato prroje rreth t’përfalesh
n’ato fusha që m’ka Shkodra
të lulzueme, aty t’ndalesh;
tue kndue me ambëlcim,
fal me shndet qytetit tim.

T’mujsha dhe un’ me fluturue
dojsha dhe un’ me u nisë me ty,
dojsha n’Shkodër me kalue,
m’e pa prap at’vend me sy!
Por… ti shko atje… fluturim
e ti qajma fatin tim.