Shën Sofia e Epirit, mahnit me fond librash dhe eksponatesh muzeale 

Gjatë vizitave në prill të vitit 2019 dhe në tetor 2021, munda të shoh nga afër sesi në Shën Sofia e Epirit (ital. Santa Sofia D’ Epiro), qytet me mbi 2500 banorë, shqipja jeton si në të folme ashtu edhe mbishkrime dhe në fondin e librave të shumtë në bibliotekën e këtushme, por edhe në muze përmes kostumeve përplot shije, stil e bukuri. Gjatë vizitës për vlerat që ruajnë këto dy institucione na mirëpriti dhe na foli Antonio Franco Miracco, muzeolog e bibliotekist.

Teksti e fotot, Rexhep Rifati

Arbëreshët e këtushëm në masë të madhe ruajnë traditat e sjella nga baballarët shqiptarë, siç janë gjuha antike, riti bizantin, zakonet dhe traditat tipike. Ndërsa sheshin pranë bashkisë e zbukuron një monument i pazakontë me vargjet e këngës epokale, “Moj e bukura More…”  Në Shën Sofi, fati e deshi që të takojmë edhe shefin e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Kozencës, Prof. Francesco Altimarin, i cili na tregoi se këtu ishte thirr një takim me personalitete nga Kalabria me kërkesën për zgjerimin e ligjit të drejtave të komuniteteve pakicë.  Gjithashtu kam pas rastin të përcjelli edhe grupin artistik “Shqiponja” nga Shën Sofia që mahnit edhe me lojë edhe me kostume shumë të veçanta tradicionale, që përmes lojës arrin të shfaq një spektakël të vërtetë. Në këtë udhëtim ekipin tonë e ndihmoi dhe e shoqëroi skulptori preshevar, Hevzi Nuhiu, që jeton prej vitesh në Shën Mitër, jo larg Shën Sofisë së Epirit.