Rigjallërim i aktiviteteve socio-kulturore e informative të shqiptarëve në Bazel

Ligjërata e fundit për këtë vit, 7 dhjetor. 2019, ishte ajo e dr. Xhezide Lumit, me temën e shëndetit të fëmijëve dhe trajtimit të çrregullimevetë tyre psiko-somatike

Kohët e fundit, sidomos gjatë vitit që së shpejti do ta lëmë pas, na kanë ardhur ftesa të herëpashershme për aktivitete të ndryshme socio-kulturore, informative e orientuese në adresa të ndryshme brenda qytetit të Bazelit, të cilave unë dhe gruaja ime u jemi përgjigjur me kënaqësi. Prapa ftesave qëndronte gjithmonë një subjekt: Shoqata ose Qendra Parandalo.

Drita Ibrahimi Shabani gjatë ligjerimit
Drita Ibrahimi Shabani gjatë ligjërimit

Në fund të viteve 90 dhe në fillim të viteve 2000 shqiptarët në Zvicrën veriperëndimore ishin mjaft të organizuar sa i përket aktiviteteve, jo vetëm të atyre që kishin të bënin me integrimin në mjedisin e ri kulturor e gjuhësor, po edhe në kultivimin e kujtesës kulturore e historike të vendit të origjinës. Përpos organizimit të festave më të rëndësishme nacionale, shqiptarët e Bazelit ia dolën të themelonin dhe një universitet popullor shqiptar, në kuadër të të cilit jo vetëm organizoheshin kurse gjuhësore për qytetarë zviceranë që donin të njiheshin me kulturën dhe historinë shqiptare, por edhe manifestime të tilla mbresëlënëse, siç ishte Java e filmit shqiptar në Bazel (2002), me ç’rast qyteti i Bazelit qe mbushur me pllakate të filmave shqiptarë.

Edhe aktivitetet sportive nuk mungojnë tek Shoqata PARANDALO

Fatkeqësisht, me kalimin e kohës dhe gjatë integrimit të gjeneratës së dytë e të tretë të mërgimtarëve tanë në jetën politike e kulturore zvicerane, kontaktet tona erdhën duke rënë. Kështu që tubimet që organizuan e po organizojnë zonjat Valdete Hoti e Drita Shabani Ibrahimi, bashkë me z. Xhemal Selimi e kolegë të tjerë, anëtarë të kryesisë së kësaj shoqate, si Dije Shaqa, Dr. Xhevat Hasani, Fatmir Salihu dhe Barbara Burri, ishin një ogur i mbarë që ngjall shpresën e një masivizimi më të madh të tyre në të ardhmen.
Mirëpo kush është shoqata që përfaqësojnë këto zonja e zotërinj? Në prezantimin në webfaqen e tyre në mes tjerash thuhet:
«Shoqata PARANDALO është themeluar me 11 shtator 2011 dhe i ka vënë vetes për detyrë, si një komunitet shqiptar në Zvicër, të jetë aktive dhe në mënyrë parandaluese të veprojë kundër konfliktit, dhunës dhe varësisë.
Shoqata është një vend kontakti për persona të interesuar, të cilët në fazën fillestare të konflikteve, dhunës, varësisë dhe vështirësive brenda familjes, institucioneve apo me autoritetet mund të kërkojnë ndihmë dhe këshilla në gjuhën amtare.
Detyra thelbësore e shoqatës PARANDALO është të krijojë një qendër kontakti për parandalimin e konfliktit, dhunës, varësisë dhe krimit në shoqëri, në mesin e komunitetit shqiptar në Zvicër.
Qëllimi i shoqatës është marrja e iniciativës për të studiuar sjelljen, të bëjë rekomandime dhe të zhvillojë një plan strategjik për të parandaluar krimin në shoqëri në mesin e komunitetit shqiptar në Zvicër.
Shoqata është humanitare, jofetare dhe politikisht neutrale. Ajo është aktive në të gjithë Zvicrën.»

Foto e përbashkët e anëtarëve të kryesisë së Shoqatës PARANDALO me pjesëmarrës në një nga manifestimet informative

Pra shoqata «Parandalo» ka një emër që s’lë shteg për interpretime voluntariste: ajo ka për qëllim parandalimin e sëmundjeve sociale e psiko-somatike të shqiptarëve në Zvicër që deri më sot kanë ndikuar goxha shumë në formimin shpeshherë të shtrembëruar të imazhit të shqiptarëve. Mirëpo padyshim që spektri i aktiviteteve që ka organizuar dhe po organizon kjo shoqatë është mjaft i gjerë, dhe ndonjëherë duket si një tejkalim programor. Mirëpo vetëm në dukje, sepse çdo aktivitet kulturor e informativ i mirëfilltë, nga secila fushë e jetës zvicerane, ndikon në evitimin dhe parandalimin e shfaqjeve negative që mund të shpien në rrugë pa rrugë, sidomos të gjeneratave të reja. Kësisoj, këtij qëllimi i shërbejnë edhe ligjëratat për të drejtat dhe integrimin e të huajve në Zvicër, edhe për sistemin arsimor në Zvicër, konkretisht në Bazel e në Cyrih, edhe për sigurimet shoqërore, edhe për zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve, edhe për stresin, edhe për drogat e varësitë moderne nga mediat, edhe për shmangien e rënies në borxhe, edhe për bashkëpunimin prindër-shkollë, e shumë të tjera.

Aktivitet informues i Shoqatës PARANDALO mbi sistemin arsimor në Bazel

Mirëpo a ndjehet nevojë reale për aktivitete të këtilla në gjuhën amtare?
Praktika e jonë jetësore sociale në Zvicër ka dëshmuar se shumë nga problemet me të cilat ndeshemi, me gjithë njohjen e gjuhëve vendore, shumë më mirë i diskutojmë, i perceptojmë e i receptojmë në gjuhën amtare. Njohja e kufizuar e gjermanishtes apo frëngjishtes shpeshherë nuk mjafton për të trajtuar probleme të thella shpirtërore e socio-kulturore. Ndërsa kur kihet parasysh se kontigjentit të vjetër të mërgimtarëve vazhdimisht po u shtohen edhe kontigjente të reja të ardhurish, sidomos të nuseve e të dhëndurëve të rinj nga Kosova e Shqipëria, në kuadër të martesave e bashkimeve familjare, nevoja e kësaj kategorie sociale është sa e madhe, aq edhe urgjente, për t’u orientuar sa më parë në shoqërinë e re në gjuhën amtare, si një paradhomë e integrimit në jetën zvicerane.

Një mnga aktivitetet e shumta informuese të Shoqarës PARANDALO

Gjatë këtij viti patëm rastin të ndiqnim këto ligjërata:
1. «Borxhet, menaxhimi dhe shmangia e tyre»
2. «Sistemi i sigurimeve shoqërore në Zvicër»
3. «Miqësia – Dashuria – Martesa»
4. «Këshilla ndërkulturore mbi varësinë», referent znj. Ajnur Erlab dhe Philippe Schmidt, MUSUB, Fondacioni i Kryqit të kaltër, Bazel
5. «Sistemi shkollor në Kantonin e Bazelit» me referent z. Simon Thiriet; Departamenti i Arsimit në Basel-Stadt
6.”Të drejtat e të huajve”, me ligjërues Michel Girard, udhëheqës i Zyrës së Migracionit të Kt. Basel-Stadt;
7. «Shëndeti i fëmijëve tanë», ABSM Bazel me referenten Dr. Xhezide Lumi

Aktivitetet e Shoqatës PARANDALO trajtojnë tema nga më të ndryshmet me interes për komunitetin shqiptaro-zviceranë

Përpos këtyre, shoqata organizoi në mes tjerash dhe një promovim libri për fëmijë, me temën e futbollit dhe sportit, si aktivitete që ndihmojnë në rritjen e shëndetshme të gjeneratave të reja.

Pamje të një nga aktivistett informuese me referues profesionistë të fushave të ndryshme

Të gjitha ligjëratat ishin mjaft informative dhe intriguese, duke nxitur diskutime të gjalla midis të pranishmëve, qoftë për moduset e ndryshme të lejeqëndrimeve për të huajt në Zvicër, për të drejtën për punë, shkollim apo ushtrim të një zanati e deri te e drejta e bashkimit familjar, qoftë me njohjen e të gjitha shkallëve të arsimit zviceran, që nga çerdhja e deri te universiteti, qoftë me njohjen e shfaqjeve aktuale të varësive, të cilat tashmë nuk kufizohen vetëm me drogat, duhanin dhe alkoolin, por edhe me shfaqje shumë problematike të varësive mediale e të rrjeteve virtuale nga interneti. Interes të veçantë ngjalli ligjërata e znj. Xhezide Lumi mbi problematikën e qasjes së nënave të reja ndaj fëmijëve të tyre të vegjël, për të shmangur sjellje që në të ardhmen mund të shndërrohen në shqetësime e çrregullime të rënda psiko-somatike. Diskutimet qenë mjaft të gjalla, mjaft informuese dhe frutdhënëse.

Nuk mungon edhe infomimi mbi organet e rednit dhe bashkëbisedimi me përfaqësues të tyre

Drejtuesja dhe përgjegjësja e qendrës «Parandalo» për Bazelin është zonja Drita Shabani Ibrahimi, me prejardhje nga Ferizaj. Drita ka meritën e të gjitha organizimeve të kësaj qendre për Bazelin që nga viti 2018. Ajo është një aktiviste e hershme e mërgatës, që bashkë me bashkëshortin e saj, aktivistin sindikal edhe ekspertin e sigurimeve Ruzhdi Ibrahimi, i kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm përmirësimit të gjendjes së mërgimtarëve tanë në Zvicër. Për publikun kosovar janë të njohura përpjekjet e këtij të fundit bashkë me kolegun Osman Osmani për zgjidhjen e ngërçit shumëvjeçar të pagesës së sigurimeve pensionale midis Kosovës dhe shtetit zviceran.

Pjesëmarrësit ndjekin me vëmendje referimet tematike

Bislim Elshani
Bazel, dhjetor 2019