Qeveritë shkojnë e vijnë – diskriminimi vazhdon

Qeveritë e dy shteteve Zvicra e Kosova ka tetë (8) vite që vazhdojnë të injorojnë gjendjen e rëndë të shtetasve të Kosovës  – përfituesve të pensioneve nga Sigurimet Shoqërore të Zvicrës bazuar në Marrëveshjen ndërshtetërore.

Ndër arsyet e ndryshme dhe të shumta për mos vazhdimit të zbatimin të marrëveshjes në fjalë është theksuar edhe  mungesa e infrastrukturës së nevojshme të institucioneve shtetërore të Kosovës… Jo rrallë dhe varësisht nga kush si fajtor është emërtuar neglizhenca dhe papërgjegjshmëria e zyrtarëve qeveritar dhe institucional të Kosovës.  Gjatë këtij procesi ka pasur edhe keqkuptime komunikuese, papërgjegjësie, kompleksiteti specifik në Kosovë me disa pushtete, që si rrjedhojë ka pasur lëshimin e dokumentacionit të ndryshëm për një çështje  e për një person të prekur, e diku edhe mungesa e profesionalizmit   për t’u mbështetet  në partner të besueshëm . Si përfundim del se padrejtësia dhe diskriminimi është rezultat edhe i mungesës së  gatishmërisë dhe vullnetit të mirë të të dyja palëve për të gjet zgjidhjen  e duhur dhe më të mirë të mundshme në këto rrethana.

Heronjtë e vërtetë të Kosovës dhe Zvicrës dhe dënimi kolektiv i tyre

Në vend se për parregullsitë – qoftë edhe për shkelje ligjore,  apo për moszbatimi i  procedurave ndërshtetërore   – të zgjidhen në përputhje me marrëveshjen ekzistuese , ndodh e kundërta:  sanksionohen, dënohen e dëmtohen në të drejtat e tyre elementare ekzistenciale kolektivisht, pikërisht njerëzit që nuk kanë asnjë faj, gjë që – dënimi kolektiv- është në kundërshtim edhe me shtetin ligjor. Ata që kanë kontribuar më së shumti për të dyja vendet dhe shoqëritë – punëtorët nga Kosova në Zvicër, të cilët njëherazi janë edhe heronjtë e vërtetë të punës, kontribuuesit e zhvillimit, sigurimit të ekzistencës familjare e shoqëror në Kosovë dhe kontribuuesit e ndërtimit e zhvillimit ekonomik si dhe konsolidimin e arkave të sigurisë shoqërore në Zvicër. Pra heronjtë e vërtetë e të drejtpërdrejtë dhe zbatuesit  e vlerave  të solidaritetit dhe ndërtuesit e urave të mirëfillta të mirëkuptimit dhe bashkëjetesës.

Maratona  e padrejtësisë dhe diskriminimit ekskluziv për shtetasit Kosovës që ka filluar me 1 prill 2010 vazhdon deri sa të hyjë në fuqi marrëveshja e arritur më 1 qershor 2017.

Edhe menjëherë pas arritjes së nënshkrimit të marrëveshjes së Sigurisë Shoqërore  e administrative, ne, në pjesën e dytë të vitit të kaluar,  kemi takuar autoritetet përgjegjëse të  Zvicrës, të cilët kanë reflektuar gatishmëri për të ndërmarrë hapat konkret drejt ratifikimit të Marrëveshjes në fjalë. Në këto 8 vite neve na është dashur thuaja se gjithmonë të jemi aktiv veçanërisht në drejtim të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës, të cilët shpesh i kemi zgjuar nga gjumi, për të kryer detyrat dhe ushtruar funksionet në përputhje me madatet që bartin.

Për të mos ngecur procesi dhe për të përshpejtuar fuqizimin e marrëveshjes në fjalë, me çka shpresojmë se do të përfundojë padrejtësia e diskriminimi si dhe dënimi kolektiv, me 2 dhe 3 shkurt 2018 në Kosovë qëndroi dhe zhvilloi disa aktivitete një delegacion sindikalist e politik nga Zvicra i përbërë nga: Deputetja dhe anëtarja e komisionit për politika sociale të parlamentit federal të Zvicrës, njëherazi edhe nënkryetare e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës,  Barbara Gysi; Ruzhdi Ibrahimi, ekspert i diplomuar i sigurimeve shoqërore të Zvicrës dhe nga unë (O. Osmani) në cilësinë e sekretarit të sindikatës më të madhe të Zvicrës Unia, i ngarkuar me dosjen e Marrëveshjes në fjalë. Ne fillimisht kishim  një takimin me përgjegjësen e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, ndërsa më pas ishim të ftuar  edhe në mbledhjen e radhës të Komisionin për Shëndetësi, Punë e Mirëqenie sociale të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në ditën e dytë me 3 shkurt u prononcuam edhe për mediat e interesuara për këtë çështje me interes të përgjithshëm shoqëror dhe (ndër)shtetëror.

Prononcimet e delegacionit tonë mund ti ndiqni në vegë vijuese:

 

Si qëndron puna dhe ku ka ngecur procesi?!

Të prekurit dhe familjarët e tyre, qytetar/e dhe shtetas/e të Republikës së Kosovës deri më tani asnjëherë nuk janë informuar nga Qeveria e tyre dhe Ministria për Punë e Mirëqenie Sociale, për aktualitetin dhe gjendjen sa i përket Marrëveshjes në fjalë. Zvicra, dorën në zemër, e ka bërë informimin e nevojshëm edhe me kërkesën dhe bashkëveprimin tonë këmbëngulëse edhe në gjuhën shqipe.  Përderisa në Zvicër janë dhënë versione të ndryshme mbi dështimin e kësaj Marrëveshjeje, duke e arsyetuar këtë herë me keqpërdorim të pensioneve të invaliditetit, herë me mungesë të dokumentacionit unik e besueshmërinë e autoriteteve zbatuese në Kosovë,   të formuluar herë si mos vazhdim  e herë si prishje, etj., ndërsa nga Kosova deri më tani mjerisht  ka munguar qëndrimi dhe informimit mbi veprimet dhe deklaratat pretenduese si dhe mbi arsyet e mundshme të vërteta të dështimit të kësaj Marrëveshjeje, përkundër faktit të nënshkrimit të Marrëveshjeve tjera të reja ndërshtetërore me Zvicrën edhe pas dështimit të kësaj në fjalë.

Por të kthehemi tek aktivitetet e fundit në Kosovë rreth Marrëveshjes në fjalë. Edhe kësaj radhe shumë pyetje të delegacionit tonë mbetën pa përgjigje adekuate. Disa kryesoret nga to janë:

  • Pse autoritet zyrtare e përgjegjëse të Kosovës deri më tani nuk kanë informuar qoftë edhe njëherë të vetme të prekurit, familjarët e tyre dhe opinionin publik në lidhje me Marrëveshjen në fjalë.?
  • Çfarë masash do të ndërmarri qeveria, ministria përkatës edhe institucionet tjera përgjegjëse për të informuar shtetasit e vet të prekur dhe familjarët e tyre, si dhe në cilat raste duhet vepruar apo mos vepruar ata në ndërlidhje me situatën e krijuar në mungesë të zbatimit të marrëveshjes ndërshtetërore në fjalë.
  • Pse ministria përkatëse nuk komunikon me ministrinë homologe të Zvicrës por i drejtohet ambasadës së Zvicrës, për çdo javë siç shprehet ministri, për të shprehur gatishmërinë për nënshkrimin e marrëveshjes.
  • Pse qeveria e Kosovës nuk e aprovon formalisht marrëveshjen për të sinjalizuar gatishmërinë për nënshkrimin e marrëveshjes e pastaj për të hapur shtegun e ratifikimit.
  • Pse qeveria e Kosovës dhe ministria përkatëse nuk është angazhuar seriozisht për të kërkuar zgjidhje për periudhën kohore prej (tanimë) tetë (8) vite pa përfitime, duke marrë parasysh se marrëveshja e re e arritur më 1. Qershor 2017 parasheh mundësinë e përfitimit vetëm nga momenti i hyrjes në fuqi, edhe përkundër kërkesës së vazhdueshme dhe këmbëngulësinë si dhe përpilimin e parashtresës me shkrim nga ne.

Ministri Reçica dhe ekipi i tij në vend të kryejnë detyrat e veta dhe të veprojnë aktivisht në drejtim të zyrtarëve homolog zviceran për ta përshpejtuar fuqizimin e marrëveshjes së munguar qe 8 vite si dhe  të tregojnë hapur se çka do të ndërmarrin tani për të plotësuar zbrazëtinë e madhe informuese për shtetasit e prekur dhe familjarët e tyre, çuditërisht  nuk bëjnë asnjë veprim të duhur, që e kanë edhe si detyrim zyrtar e shtetëror, por  premtojnë sikur paraardhësit e tyre, se do të bëjnë edhe „të pamundurën“ dhe  se „posa të fuqizohet marrëveshja do të fillojnë një fushatë informuese“.

Ministri paraprak Abrashi qe krekosur dhe zbukuruar me vetë lëvdata se me 1 qershor 2017 ka arritur të nënshkruajë Marrëveshjen ndërshtetërore për Sigurimet Shoqërore me Zvicrën, duke deklaruar se kjo ishte pune e kryer me thuaja se meritë ekskluzive të tij.  Në mungesë të angazhimit të domosdoshëm pasues, sot në shkurt të vitit 2018 realitetit dëshmon diçka tjetër.

Përfundimet dhe kërkesat tona – si më tej?!

Ajo çka ne mund tu themi bashkëkombëseve të shumtë të prekur dhe familjarëve të tyre është se: Tani jemi në shkurt të vitit 2018 dhe nga ajo që mësuam gjatë vizitës së fundit të punës së  delegacionit tonë:  Marrëveshja teknike dhe administrative e nënshkruar mes ekipeve për negociata ndërshtetërore me 1 qershor 2017, kërkon të nënshkruhet formalisht edhe në nivel ministrash qeverish të të dyja shteteve në fund të muajit mars 2018, për të kaluar pastaj nëpër proceduarat tjera ratifikuese. Ndërsa përfitimi në pensione mund të realizohet  vetëm nga data e hyrjes në fuqi.

Ajo çka mungon dhe mbetet për të dëshiruar është nevoja e të vepruarit aktiv nga ana e  qeverisë së Kosovës, duke bërë miratimin formal në nivel të qeverisë duke shprehur kështu gatishmërinë për nënshkrimin formal në nivel ministrash të dy vendeve duke i dërguar kështu sinjalin e qartë autoriteteve Zvicerane që edhe ata të finalizojnë konsultimin në departamentet e qeverisë së tyre me qëllim të hapjes së shtegut për ratifikimin parlamentar të marrëveshjes.  Duke marrë parasysh moshën e shtetasve nga Kosova dhe gjendjen e tyre të rëndë duhet marrë të gjithë hapat në përputhje me procedurat formale për të mundësuar sa më shpejt hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje të domosdoshme për eksportimin e përfitimeve në Kosovë.

Kërkohet nga Qeveria e Kosovës  që të miratoj sa më shpejt formalisht marrëveshjen e arritur më 1. Qershor 2017, duke sinjalizuar kështu si tek autoritetet zvicerane ashtu edhe te shtetasit e prekur gatishmërinë e saj për nënshkrimin e marrëveshjes në nivel ministrash  . Ky veprim është urgjent dhe i domosdoshëm për nënshkrimin formal dhe kalimin në fazën e ratifikimit. Ky veprim do të hapte rrugën përfundimit sa më të shpejtë të të kësaj padrejtësie shumëvjeçare.

Në mungesë të përfilljes së tyre shtetasit e prekur të Republikës së Kosovës duhet të kërkojnë të drejtat e tyre me të gjitha mjetet demokratike, duke mos përjashtuar këtu edhe aksionet e manifestimet protestuese në drejtim të të dyja qeverive. Për të mbështetur e për tu solidarizuar konkretisht me të prekurit nga padrejtësia e diskriminimi janë të sfiduar dhe vihen në sprovë edhe shoqëria civile, OJQ-të e politikanët e të të dyja vendeve.

Ruzhdi Ibrahimi, ekspert i diplomuar i Sigurimeve Shoqërore në Zvicër

Osman Osmani, Sekretar nacional në sindikatën Unia i ngarkuar me dosjen e Marrëveshjes në fjalë