Qeveria, PDK-ja dhe “befasia” !

Janë disa nga analistët tanë politikë, shumica të vetëshpallur, të cilët shpeshherë flasin si politikanë të dështuar dhe si e përdorim në një zhargon e “zbulojnë Amerikën”
Shkruan: Gani Bajrami
Në Kosovë kaherë politika dhe morali nuk kanë asnjë pikë të përbashkët. Në kohën kur për çdo ditë ballafaqohemi me politikanë të pamoralshëm, është absurde të kërkosh moral në politikë, edhe pse vendit tonë dhe shoqërisë tonë i duhet një fije morali edhe në politikë. Por, ku të kërkohet dhe ku të gjendet ai moral (?!) kur politikëbërjen e kanë në dorë shumica e atyre që nuk dinë çka është morali.
Të mos keqkuptohem. Unë nuk them të moralizohet politika, sepse nuk do të ishte më politikë e suksesshme. Por, mungesa e plotë e moralit në politikë e kthen politikën në matrapazllëk, maskarallëk, mashtrim që mund të jetë i barabartë me tradhtinë kombëtare.
Janë një mori faktesh që shpijnë në këtë konstatim dhe Kosovën e bëjnë të veçantë, diçka me vete që vështirë e hasë në vendet e tjera që pretendojnë se janë demokratike, pra Kosova është një suigeneris, siç jemi mësuar, t’i quajmë me këtë togfjalësh latin, të veçantat e Kosovës. Sepse, Kosova ka vite që i nënshtrohet demokracisë me kutin e Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës, të cilët nuk lanë gur pa rrotulluar që të mbisundojë “demokracia” e tyre, e pazareve të ndyra politike që vendin e kanë shpie buzë greminës. Ndërkaq, vetë ata, si i mbyturi që kapet edhe për shkume, me çdo kusht duan ta mbajnë shtetin e kapur, në të cilin ka lulëzuar nepotizmi, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Dhe sa më shumë që ta kapin shtetin në çdo segment të tij, mendojnë se aq ma larg do të jetë ballafaqimi i tyre me drejtësisë.
Veprimi i dyshes Thaçi – Mustafa as që më befason, por më befasojnë sa me lehtësi po instrumentalizohen PDK-ja e Hashim Thaçit dhe LDK-ja e Isa Mustafës, të cilës së paku në hierarkinë udhëheqëse nuk i ka mbetur asgjë nga LDK-ja e Ibrahim Rugovës.
ANALISTËT QË PO “ZBULOJNË AMERIKËN”
Një veprim tjetër që më befason janë disa nga analistët tanë politikë, shumica të vetëshpallur, të cilët shpeshherë flasin si politikanë të dështuar dhe shpeshherë si e përdorim në një zhargon e “zbulojnë Amerikën”. Në një debat të tillë analistësh dëgjova njërin derisa tha se Lëvizja Vetëvendosje! nuk ka gjasa të ngrit mocion mosbesimi ndaj qeverisë Hoti. Dhe, me këtë konstatim ai e “zbuloi Amerikën”. Dhe kush po e pritka atë mundësi, në rastin e Kosovës suigeneris kur të gjitha subjektet parlamentare janë bërë bashkë kundër Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve dhe e kanë lënë në opozitë, madje Lëvizja Vetëvendosje si opozitë e ka edhe një opozitë, e ajo është PDK-ja.
A nuk e kupton ky analist dhe ata që mendojnë si ky se Vetëvendosje me këtë tentativa për mocion e vuri në lojë Isa Mustafën, të cilin e detyroi të thotë publikisht se “nuk është morale mocioni i mosbesimit nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi tani Kosova ndodhet në një gjendje të rëndë me pandeminë”, gjë të cilën e pat bërë vetë ai me mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti në kohë pandemie.
Standardet e dyfishta të Isa Mustafës nuk kanë fare rëndësi, sepse ai i ka me bollëk ato. Rëndësi ka këtu mendjelehtësia e analistit, apo analistëve, që tentativën e Lëvizjes Vetëvendosje për mocionin mosbesimi ndaj Qeverisë Hotit, nuk e shohin fare si mjet për t’ia çjerrë maskën PDK-së, e cila në mënyrën aq naive po mundohet ta bind dikë se është opozitë e pozitës, ndërsa në të vërtetë është vetëm opozitë e opozitës.
PDK me liderin e saj shpirtëror, Hashim Thaçi, u përkujdes deri në detajet më të vogla që asgjë mos të dështoj kur ishte në pyetje mocioni kundër Qeverisë Hoti dhe kur ishte në pyetje krijimi i shumicës së re parlamentare pa partinë fituese dhe zgjedhja e një qeveria pa legjitimitet dhe me vullnetin e grabitur të sovranit.
KUSH NUK PO E KUPTON SE PDK-ja ËSHTË OPOZITË E OPOZITËS
Verdikti i votuesit ia caktoi PDK-së rolin e opozitës, por ajo ka zgjedhur të luaj rolin e opozitës vetëm kundër opozitës, pra Lëvizjes Vetëvendosje duke u bërë pjesë e koalicionit kundër partisë fituese – Lëvizjes Vetëvendosje. Prandaj duket shumë diletante pyetja se do të hyjë apo s’do të hyjë në qeveri PDK-ja, kur ajo e votoi mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ishte e gatshme për ta dhënë edhe ndonjë votë që të mos dështonte formimi i Qeverisë Hoti, siç u pa më vonë se i ka votat “me të lirë” për të mos u bllokuar Qeveria Hoti.
Tentativa e Lëvizjes Vetëvendosje për mocionin mosbesimi ndaj Qeverisë Hotit, ka të bëjë më shumë me PDK-në se sa me qeverinë, pasi PDK-në e vë në sprovë, se atëherë iu ka bashkuar mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti për shkak të parimit se çdo parti opozitare bashkohet në rrëzimin e qeverisë. Mirëpo, tashmë kur ekziston një iniciativë për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Hoti, PDK nuk mund të sillet si opozitë e pushtetit, ngase defakto nuk është opozitë, është vetëm opozitë e opozitës.
Është naivitet e llojit të vetë që të mendohet se këtë gjellë pa shije e gëlltitë dikush tjetër, pos njerëzve brenda PDK-së, siç është naive të shtrohet “befasia e shekullit” e disa analistëve tanë, se a mund të hyjë në qeveri PDK-ja. Kush kujt po mundohet t’i shes, si thotë populli, dushk për gogla. PDK-ja në situatën konkrete nuk ka asgjë të përbashkët me opozitën pos verdiktit që ja ka dhënë votuesi.
PDK-ja e Hashim Thaçit në të vërtetë i mbanë fortë në dorë frerët që e dirigjojnë qeverinë. Ajo është kujdestare besnike për t’ia bërë votat sa herë që pozita mund të ndihet në siklet, sepse po dështoi kjo qeveri e pazareve të ndyra politike vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe zgjedhjet nuk po i do asnjë nga subjektet parlamentare, pos Lëvizjes Vetëvendosje. Të gjithë të tjerët, pos Vetëvendosjes, po duan pushtet pa vota, pushtet të grabitur me veprime shumë të ulëta, që këtë punën e votës dhe të zgjedhjeve po e bëjnë një rast suigeneris në Kosovë.
THAÇI DHE PDK-ja E SHFRYTËZUAN LAKMINË E SËMURË PËR PUSHTET TË ISA MUSTAFËS
Nuk ka nevojë askush ta quaj vetën analist politik për të parë se PDK si opozitë e opozitës, interesat e veta i realizon si të dojë nëpërmjet mashës së quajtur Isa Mustafa, i cili me sejmenët e vet e ka katandisur aq keq LDK-në sa ajo po u dhimbset edhe kundërshtarëve politik. Dhe kush nuk e kupton se në opozitë është vetëm partia fituese e zgjedhjeve – Lëvizja Vetëvendosje. Pohimet se PDK është në opozitë janë pallavra që as fëmijët nuk i kapërdijnë, pavarësisht asaj se disa politikanë dhe analistë të dështuar dërdëllisin sa mundën, duke i konsideruar qytetarët si komunitet që i përkasin epokës së gurit dhe jo shekullit XXI.
Sot secili njeri normal që logjikon esëll e ka të qartë se nomenklatura e udhëheqjes së LDK-së është ulur në prehrin e PDK-së dhe të ideologut të saj Hashim Thaçi dhe, pos për interesat e veta, punon shumë për interesat e PDK-së dhe të Thaçit. Prandaj çka i duhet PDK-së hyrja qeveri kur në dorë i mban frerët e dirigjimit për Isa Mustafën dhe LDK-në e tij, që nga një parti që ia ka pasur lakmi bota e ka shndërruar në një paçavure në dorë të Thaçit dhe matrapazëve që i ka në udhëheqje.
Thaçi dhe PDK-ja e shfrytëzuan për mrekulli lakminë e sëmurë për pushtet të Isa Mustafës dhe disa akademikëve të LDK-së, emrat e të cilëve në vend të admirimit zgjojnë neveri sa herë përmenden, për ta bërë LDK-në një paçavure të pa vlerë në dorë të Thaçit. Sa bajat dhe neveritshëm tingëllon konstatimi i disa politikanëve dhe analistëve se me publikimin e informatës për ngritje të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit janë krijuar rrethana të reja dhe kjo rrethanë e re po e imponuaka edhe hyrjen e PDK-së në qeveri. Për çfarë rrethanash të reja e kanë fjalën ata? Shtrohet pyetja çfarë rrethanash kanë pritur kjo klasë e korruptuar politike dhe analistët e ndryshëm? Çka kanë menduar këta se gjykata speciale dhe prokurori i dhomave të specializuara do të ngrehin aktakuza ndaj barinjve dhe pylltarëve? Ata që e kanë lexuar raportin e senatorit Dic Marti, e kanë të qartë se ai nuk është marrë me barinj dhe pylltarë. Çka është sot pas pesë vitesh si rrethanë e re dhe që nuk është ditur. Nuk e di se a e shohin këta politikanë dhe analistë sa të mjerë duken me konstatime të këtilla bajate dhe me përpjekje për të relativizuar çdo veprim të nomenklaturës aktuale politike.