DITAR TETOVAR
25 dhjetor 2024
Bie borë. Herë borë e herë shi. Herë borë e shi bashkë.
Bën ftoht.
Nuk ka rrymë!
“S’ka strujë!”, e jep alarmin lagjja. ”Strujë”!
Në këtë terr e acar më kujtohet leksioni i parë për rrymën në fizikë në gjimnazin e Tetovës. “Gjëja e parë që duhet të mësoni për rrymën, është të mos i thoni strujë!”, nënvizoi profesori i fizikës, Hafezat Dervishi. Unë nuk kam shkëlqyer në fizikë, po këto gjëra më bënin përshtypje.
Një leksion të tillë duhet ta kenë dëgjuar të gjithë, por nuk ka ngjitur. Rryma ka qenë një shërbim, të cilin e kanë pasur në dorë ekskluzivisht ata të cilët në gjuhën e tyre i thonë “Struja”. Ata edhe ia kanë vënë emrin asaj te shfrytëzuesit.
Viteve të fundit ky shërbim nuk është më krejt në dorën e tyre. Dikund kanë qasje edhe shqiptarët. Nëse nuk lajthis, shpërndarjen dhe arkëtimin, menaxhimin e rrymës në Maqedoninë e Veriut e kanë në dorë austriakët. Për këtë shërbim ata mbledhin shuma më të larta se në Austri. Kurse shërbimi është i cilësisë ballkanike. Mbase prandaj në Maqedoninë e Veriut akoma nuk i thonë rrymës “Strom”, siç i thuhet në gjermanisht.
Nuk e bëjmë as kafenë e mëngjesit, lëre më të gatuajmë ndonjë gjë. Një përvojë e pakëndshme. Zakonisht kemi problem me furnizimin me ujë. Për këtë situatë jemi të përgatitur: Prej vitesh kemi instaluar një hirdrofor, i cili e akumulon ujin kur kemi furnizim dhe na jep kur s’kemi.
Sa i keq që është ky mosfurnizimi me ujë! S’e merr me mend ai i cili nuk është ndeshur me këtë. Por mosfurnizimi me rrymë mund të jetë akoma më i keq. Sepse kur s’kemi rrymë, nuk kemi as ujë. Hidrofori funksionon me rrymë. Ti e sheh rezervuarin e mbushur plot, 500 a 1000 litra, por nuk e shfytëzon dot.
As borë, as shi; as rrymë, as ujë; zi, ftoht, thatë! Acar në hapësirë dhe acar në nerva! Njerëz të rrethit tonë, mësoj më vonë, janë kujdesur për një agregat, i cili i u dhuron dritë, ujë, ngroht dhe qetësi.
Drekën e hamë si mëngjes, gjëra të ftohta. Kafenë e mëngjesit e pimë në drekë. Te kushërinjtë. Dritat vijnë nga ora 16. Pas një çerek ore ikin sërish! Me dritën e celularit rregullohemi sa mundemi dhe dalim nga shtëpia për vizita te fisi e akrabaja. Edhe celulari vuan nga mungesa e rrymës. Po bëjmë inventarin e të gjitha dëmeve kolaterale. Edhe atë e përdorim me shumë kursim.
Temë dite i kemi dritat, “strujën”, rrymën. Pastaj udhëtimin tonë të mundimshëm për në Tetovë, pritjen nëpër dogana, politikën, Artan Grubin, Parashqevi Simakun…
“Mehr Licht”, më vjen ndërmend. Janë fjalët e fundit të Goethes para se të vdiste, që do të thonë “Më shumë dritë”. Kjo do një traktat më vete. Dhe më kujtohet që në Shqipëri flasin për drita, kurse ne këndej flasim për rrymë dhe “strujë”. Ata thonë “Ikën dritat”, “Na i prenë dritat”… kurse ne: “U ndal rryma”, “S’kemi strujë”…
Drita është më shumë se rryma. Dhe drita është më shumë se drita që përjetojmë. Më kujtohet Bertrand Russell, filozof, matematicien, fizikan, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi. Në librin e tij ”Probleme të filozofisë” tërheq vëretjen se drita, që e përjetojmë përmes shqisave tona, nuk është ajo që shkencërisht njihet si lëvizje e valëve. Një i verbër, vazhdon ai, mund ta përjetojë lëvizjen e valëve, por jo edhe dritën.
Nganjëherë s’na duhet drita. Nganjëherë! Jo vetëm kur ajo na pengon, sikurse, fjala vjen, në gjumë. Ka një rrëfim tetovar me fabulë filozofike për rrymën dhe dritën. Dy vëllezër qëndrojnë bashkë në darkë. Herë fol e herë hesht. Si vëllau me vëllanë më. Në kokërr të ndejës, ikin dritat. Ndalet “struja”! Dhe tundet më i vogli: “Sa ta gjej një qiri…”. Dhe e ndalon më i madhi: “Po ç’na duhet drita ne të dyve, mor vlla?! Po unë të njoh ty si merr frymë, t’i di dhëmbë e dhëmballë e zorët n’bark.”
Mu këtë s’e kemi ne të kurbetit: Po na turbullohet përfytyrimi i njerëzve me të cilët kemi lindur e jemi rritur bashkë. S’e dimë si frymojnë njerzit tanë të shpirtit, të zemrës, të syrit, të… Prandaj vijmë këtu. Dhe s’na mjafton kurrë drita! Se largësia është terr!