Pritje e përzemërt e „Jeniçerit të fundit” më Cyrih

Autori, Jusuf Buxhovi, pasi tha se jo rastësisht gjendet midis studentëve shqiptarë të Universitetit të Cyrihut, meqë si pas tij gjenerata e dytë e mërgimtarëve tanë në Zvicër, si qytetarë zviceranë, kanë një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe që të integrohen në shoqërinë  zvicerane , përnjëherësh te dëshmojnë përkatësinë e tyre shqiptare me punë, suksese dhe tituj akademik

Rexhep Rifati, Cyrih

Në vazhdën e aktiviteteve të Shoqatës së Studentëve shqiptarë “Studenti” të Universitetit të Cyrihut, në mbrëmjen e 4 dhjetorit, në njërin nga amfiteatrot e këtij universiteti u bë promovimi i romanit „Jeniçeri i fundit“ të Jusuf Buxhovit. Ky promovim, pos interesimit të shumë të studentëve nga ky universitet, kishte zgjuar kureshtjen e të diplomuarve të mëhershëm, por edhe dashamirëve të tjerë të librit nga kantone të tjera.  Të pranishmit me interesim përcollën fjalën e rastit të Shefqet Dibranit, shkrimtarit dhe kritikut letrar, që jeton dhe vepron prej vitesh në  Zvicër, i cili në vija të përgjithshme nxori në pah thelbin e porosisë së romanit, duke e vlerësuar si një të arritur letrare të rëndësishme të letërsisë shqiptare në përgjithësi. “ Ky roman shënon një pikë thyerëse në letrat tona drejt majave, ku një fakt historik, siç ishte rendi i jeniçerëve dhe bektashinjtë shfaqen si një komponent e rëndësishme e historisë sonë shpirtërore, e cila ndihmoi kapërcimin nga e ashtuquajtura Shqipëri osmane tek Shqipëria Evropiane”.

Autori, Jusuf Buxhovi me këtë rast tha se jo rastësisht gjendet midis studentëve shqiptarë të Universitetit të Cyrihut, meqë si pas tij gjenerata e dytë e mërgimtarëve tanë në Zvicër, si qytetarë zviceranë, kanë një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe që të integrohen në shoqërinë  zvicerane , përnjëherësh te dëshmojnë përkatësinë e tyre shqiptare me punë, suksese dhe tituj akademik, në mënyrë që opinioni zviceran, të shoh te ata, pos që janë qytetarët lojalë, njëherësh janë edhe përfaqësuesit e një populli të qytetëruar me rrënjë të thella në antikitet, që dinë të jenë mirënjohës dhe falënderues. Buxhovi, pos tjerash u sugjeroi studentëve që me krenari të punojnë për të mirën e Zvicrës dhe ardhmërinë e Kosovës.

Të pranishmit zhvilluan një bashkëbisedim me autorin dhe uruan që midis tyre të gjenden edhe krijues të tjerë nga Kosova, në mënyrë që t`i ndihmohet lidhjes së urave shpirtërore midis tyre dhe atdheut të të parëve të tyre.

Vizita e shkrimtarit dhe historianit, Jusuf Buxhovi në mesin e studentëve shqiptarë te Cyrihut paraqet vizitën e parë të një akademiku të shquar të këtij niveli, të ardhur nga Kosova, në mesin e tyre, për të mos thënë edhe e para e këtij lloji. Bashkëbisedimi nuk u ndal vetëm lidhur me veprën që promovohej, përkundër interesimit të madh që mbretëroi për te, por u përqendrua edhe në sfera të tjera të jetës, madje edhe nga fusha e sportit, me pyetjen se cili nga ekipet është i preferuari i Buxhovit. Ishte kjo një mbrëmje më se mbresëlënëse e një akademiku nga Kosova me studentët e shqiptarë të Cyrihut, të cilët tashmë kanë bërë një traditë për organizime të kësaj natyre, ku kryesisht deri më tash kanë marrë pjesë personalitete zvicerane e shqiptare që jetojnë  veprojnë në Zvicër, por jo edhe nga vendet e prejardhjes, siç ishte në rastin e kësaj mbrëmje.