Nënshkrimi i gjyshit tim, Babës Li
Migjen Kajtazi
Këto ditë isha duke gjurmuar në arkivat e mia të vjetra, të përbëra nga shënime të ndryshme, libra të ndryshëm dhe artikuj të prerë e të ruajtur me kujdes. Gjatë shfletimit të një blloku ku kisha shënime të marra si përmbledhje të librave që kam lexuar, gjeta nënshkrimin e gjyshit tim të ngjitur me kujdes. U gëzova shumë dhe ky gëzim më ngacmoi mendimet e mia, të cilat shkuan aq larg…
Shkollën fillore e kisha filluar në shkollën “Vladimir Nazor”, që ishte afër qendrës së Prishtinës, dhe nga lagjja ime, Kodra e Diellit, gjithë rrugën e bëja në këmbë, duke kaluar në rrugën e vetme që lidhte lagjen tonë me qendrën, e cila quhej Rruga e Dubrovnikut.
Klasën e dytë e fillova në shkollën e re që mbante emrin e kryetarit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, e ndërtuar në lagjen e Kodrës së Diellit në Prishtinë. Ishte një shkollë shumë moderne dhe e pajisur mirë, me pajisje dhe me dhoma mësimi të ndara sipas lëndëve që mësonim. Vizitohej edhe nga delegacione të shteteve të jashtme, për të treguar se minoriteti shqiptar i kishte të gjitha kushtet…
Klasa ishte e stërmbushur me nxënës, por kishim mësuese aq të mirë që gjente kohë për secilin nxënës. Mësuesja Remzie Selimi, me dashuri, na mbante afër dhe nuk e ndienim kohën që kalonte. Nëse një mësuese duhet të mbajë emrin me shkronja të arta, ajo i takon mësueses sime, Remzie Selimi, e cila shumë herët na nxiste të lexonim.
Në gjysmëvjetorin e parë, sapo kishim mbaruar dhe filluan pushimet e dimrit, mësuesja na kishte dhënë detyrë të lexonim librin e parë “Liza në Botën e Çudirave” dhe të përmblidhnim përmbajtjen e librit në një bllok shënimesh, duke shkruar se si e kishim kuptuar librin, personazhet dhe një formë kritike.
Pushimet, ashtu siç e donte protokolli familjar, i fillonim në fshat. Fshati Kllodernicë ndodhet rreth 80 km larg Prishtinës dhe gjendet në Drenicë. Isha shumë i kënaqur që leximin e librit e fillova në odë, e cila në ato ditë të ftohta të muajit shkurt rrinte vazhdimisht e ngrohtë, sepse gjyshi, Baba Li, kujdesej që zjarri të mos fiket nga mëngjesi deri në orët e vona të mbrëmjes. Baba Ali, por për ne fëmijët ishte më e lehtë ta thërrisnim Baba Li.
Oda kishte në anën lindore dy dritare të mëdha, nga ku rrezet e mëngjesit depërtonin herët, ndërsa dritarja e tretë gjendej në pjesën veriore të odës. Kjo dritare mundësonte të shikonim fillimin e Bjeshkëve të Nemuna, që nisin në kurorën e fshatit Surigan.
Edhe pse mundoja të përparoja me lexim, shikoja se ritmi ishte shumë i ngadalshëm, ashtu si edhe kuptimi i librit. Shpesh kaloja disa orë me librin në duar dhe nuk arrija të lexoja shumë faqe. Duke parë që nuk po përparoja, në fund vendosa të mbështetesha te vëllezërit e mi më të mëdhenj, Besimi dhe Dritoni, që të më ndihmonin, sidomos në kuptimin e faqeve që lexoja.
Dritoni gjeti kohë dhe filloi të më ndihmonte: së pari lexonte disa faqe, pastaj më tregonte se për çfarë bëhej fjalë, dhe unë fillova të shkruaja përmbledhjen në bllokun e shënimeve. Pas disa ditësh, kisha pothuajse përfunduar përmbledhjen e librit. I kënaqur nga përparimi, fillova t’i shijoja edhe pushimet dhe të përfitoja nga ditët e mbushura me reshje bore dhe ara që shtrihej përpara shtëpisë. Ara e mbushur me borë shkëlqente dhe kjo na mundësonte ta përdornim si pistë rrëshqitjeje me thasë plastikë të mbushur me kashtë. Ajo ndjenjë nuk harrohet, kur thesi merrte shpejtësi mbi borën e ngrirë dhe na mbusheshin sytë me lot.
Dhe kështu, mes leximit dhe lojës në borë, erdhi dita e kthimit në Prishtinë. Kur mendova se e kisha përfunduar përmbledhjen, një ditë, pasi u ktheva nga loja, hyra në odë dhe gjeta bllokun e shënimeve të mbushur me nënshkrimet e Babës Li. U mërzita shumë, sepse kisha frikë se mësuesja nuk do ta pranonte në atë gjendje. Nuk kisha kujt t’i ankohesha dhe isha në dilemë nëse duhej të blija një bllok të ri dhe ta filloja nga e para…
Megjithatë, në fund mora guximin dhe, me shumë frikë, ia dorëzova bllokun mësueses sime. Ajo nuk vonoi shumë dhe më thirri pranë saj. Ishin hapa të mbushur me frikë… frikë se do të më gjykonte para gjithë klasës. Por kur iu afrova, ajo më priti me një buzëqeshje që nuk e harroj kurrë.
M’u drejtua me fjalët:
“Shkrimi i babait tënd është ky në bllokun e shënimeve?”
“Jo,” i thashë, “është i gjyshit tim.”
Pastaj, duke m’u afruar, më tha me një zë të ëmbël:
“Mëso të shkruash si gjyshi yt.”



















