Prof. dr. Vaxhid Sejdiu: Samiti IV i Diasporës

Samiti IV i Diasporës
 13.4.2026

Tirana u shndërrua në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve, të ardhur nga të katër anët e botës për Samitin e IV-të të Diasporës. Bashkatdhetarë nga çdo cep i globit u mblodhën me një qëllim të përbashkët — për të forcuar lidhjet me Atdheun dhe për të ndërtuar së bashku të ardhmen.

Tirana shkëlqente nga flamujt kuqezi dhe një ndjesi e veçantë krenarie ndihej kudo. Në këtë atmosferë simbolike dhe plot emocion, zhvilluam takimin e parë, të organizuar nga MEPJ, konkretisht nga Agjencia Kombëtare e Diasporës, nën drejtimin e znj. Ermonela Xhafa, me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha — diplomat, i cili, në vitet e fundit, si në selinë e OKB-së, në Bruksel dhe në të gjitha paraqitjet e tij, ka përfaqësuar Shqipërinë dhe shqiptarët në mënyrën më denjë . Një personalitet që, kur flet, të bën ta dëgjosh me vëmendje, jo vetëm për idetë që parashtron, por edhe për vizionin që përçon.

Ky takim ishte më shumë se një takim pune — ishte një bashkëbisedim i sinqertë, i hapur dhe plot energji, ku u ndie qartë dëshira e përbashkët për ta çuar përpara rolin e diasporës shqiptare. Diskutuam gjerësisht për sfidat dhe mundësitë, për nevojën e një organizimi më të mirë, për më shumë koordinim dhe për një qasje më të strukturuar që i përgjigjet kohës dhe përgjegjësisë që kemi.

Në çdo fjalë dhe ide të ndarë ishte e pranishme një ndjenjë e fortë përkatësie — për rrënjët tona, për gjuhën shqipe, për kulturën dhe për të ardhmen që duam të ndërtojmë së bashku. Ky takim shënon fillimin e një faze të re bashkëpunimi, ku diaspora nuk është vetëm pjesë e historisë sonë, por një forcë e gjallë dhe e pazëvendësueshme në rrugëtimin drejt Shqipërisë 2030.

Si Këshill Koordinues i Diasporës, të gjithë anëtarët u angazhuan të prezantojnë dhe të përfaqësojnë sa më mirë mendimet, idetë, por edhe vendet nga vijnë. Ne e mirëpresim këtë frymë të re dhe mbetemi të përkushtuar që këtë energji ta kthejmë në veprime konkrete dhe rezultate të prekshme për shqiptarët kudo që janë. Secili, në mënyrën dhe në fushën e tij apo të saj, u përpoq të kërkojë, të prezantojë dhe të këshillojë në mënyrën më të mirë të mundshme, që edhe mendimet tona të jenë pjesë e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026–2030.

Në mesin e shumë ideve, pata mundësinë edhe unë të propozoj një ide thelbësore (sipas mendimit tim): ndërtimin e “Atdheut gjuhësor” të shqiptarëve — një hapësirë e përbashkët shpirtërore dhe kulturore, ku gjuha shqipe të jetojë, të zhvillohet dhe të trashëgohet brez pas brezi. Shembulli i arbëreshëve, të cilët prej më shumë se pesë shekujsh kanë ruajtur me përkushtim gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar, mbetet një frymëzim i jashtëzakonshëm për të gjithë ne.

Duke pasur parasysh se një pjesë e madhe e kombit jeton jashtë Atdheut, është detyrë e përbashkët të punojmë për ruajtjen e gjuhës amtare, veçanërisht te brezat e rinj. Besoj fort se, me përkushtim dhe bashkëpunim, do t’ia dalim ta mbrojmë dhe ta përcjellim këtë pasuri të çmuar te fëmijët tanë.

“Përmes rrënjëve lartësohemi… të bashkuar, forcohemi” 🇦🇱