Dita e fundit e qëndrimit tonë filloi me nje mëngjes të qetë. Në sallën e mëngjesit takova Sadeten dhe profesor Isak Shemen, një urtak me buzëqeshjen e tij karakteristike, mendje të mprehtë dhe shpirt të gjallë, trup të mbajtur përkundër moshës. Një vlerë e rrallë kombëtare.
Shkruan: Shqipe Bytyqi
Sadetja, veprimtare fisnike, kishte ardhur për përurimin e shtatores së At Belushit, ndërkohë që ne fshatin e saj të lindjes përfundoheshin përgatitjet për ngritjen e shtatores së vellait të saj, heroit kombëtar Afrim Zhitia, aktivist i shquar i lëvizjes kombëtare shqiptare dhe dëshmor i rënë për lirinë e Kosovës. Pas 36 vitesh nga vrasja e tij në Llugë të Podujevës, po ngritej nje monument kujtues. Sa sakrifica dha ky popull, dhe sa ende sfidohet nga armiqtë, mendova ndërsa prisnim të tjerët.
-Homazhe
Në varrezat “Shën Pjetri”, qetësia mbretëronte mbi bardhësinë e varrezave dhe lulet mbi to. Varreza familjare, si shtëpiza të vogla për 12–16 varre, të ndillnin respekt. Një monument madhështor, si dy krah engjulli, djathtas në hyrje një statuje gruaje që simbolizonte vuajtjet e të gjitha nënave shqiptare, përfshirë ato te Kosovës. Në pllakë, në shqip dhe italisht, ishte skalitur poezia “Vajtimi arbëresh” nga Jul Variboba. Monument i ngritur me iniciativën e vetë At Belushit, ku tani preheshin eshtrat e tij.
-Vizitë shtëpisë së Jeronim De Radës
Rruga na çoi drejt nje tjetër arbëreshi të madh: shtëpia dhe fshati i De Radës, katundi Maqi (Macchia Albanese). Kodrat e ulëta, të mbuluara me ullishte argjendi, shtriheshin si një tapet natyror. Maqi, fshat antik, vetëm pak kilometra larg Shën Dhimitrit, qendra e kulturës arbëreshe, ruante historinë e tij në çdo mur dhe çati.
Shtëpia shekullore e De Radëve qëndronte e zbrazët, e pambrojtur, e rrezikuar nga koha. Mure guri, çati e pjerrët, ndërtim tipik arbëresh i shekullit XIX. Dhembja që De Rada, themelues i letërsisë së re shqiptare, pararendës i Rilindjes Kombëtare, mbylli sytë ne varfëri, ndërsa shtëpia e tij i nënshtrohej dhimbjes së kohës, ishte e pashmangshme. Vetëm një rrotë mulliri, pranë shkallëve që çonin në katin e dytë, me mbishkrim nga viti 1659, dëshmonte për trungun e hershëm te familjes së tij.
Poeti De Rada prehet brenda kishës në qendër të fshatit. Homazhet tona vazhduan në njërin nga muret e brendshme të kishës, ku një pllakë përkujtimore dëshmonte vend-prerjen e tij.
Imazhi i tij i përvuajtur dhe fundi i pamerituar digjte më shumë se vapa e shtatorit. Ngadalë dhe me elegancën e saj, Teuta më pyeti nëse dëshiroja ujë. Kjo zonjë e mrekullueshme, ndërmarrëse në Zvicër, e rrethuar nga një grup ferizajasish qe vizitonin, ndihmonin dhe dhuronin dashuri trojeve arbëreshe, gjithandej.
Musa, kryetari i LKSHM, shkrimtar, poet dhe intelektual i njohur, kishte udhëtuar herët, me nje gur në zemër që kësaj radhe nuk mundi të vizitonte shtëpinë dhe varrin e De Radës. Baca Rexhe, Ornela dhe Mentori, treshja që mbajti peshën kryesore të organizimit, dukeshin më të relaksuar. Mentori kishte bërë një punë të shkëlqyer.
-Vizitë kolegjit të Shën Adrianit
Nga Maqi, vizituam Kolegjin e Shën Adrianit, në shpatinë e kodrës së Montesantos, 530 metra mbi nivelin e detit. Panoramat e tij ishin të mrekullueshme.
Kolegji, ku Jeronim De Radës punoi si profesor dhe mbajti leksione mbi gjuhën shqipe dhe arbëreshe si dhe përgatiti mbi 100 intelektualë shqiptarë gjatë viteve 1898–1919, personalitete të nderuara të historisë shqiptare. Kolegji ishte themeluar më 1732 nga Papa Klementi XII si qendër edukative për të rinjtë arbëreshë, kryesisht për përgatitjen e klerikëve të ritit ortodoks-grek. Stili arkitekturor harmonizonte thjeshtësinë e traditës arbëreshe me elegancën e barokut dhe neoklasikës, duke e bërë atë simbol kulturor të komunitetit. Ndërtesa qe ne vizituam ishte kryesisht e shekullit XVIII, ndonëse themelet e saj lidhen me një abaci mesjetare shumë më të hershme. Biblioteka ruante Fondin e Vjetër manuskripte shekull XVIII-XIX dhe Fondin Modern, libra të botuar në shekullin XIX dhe XX. Konvikti i studjuesve dhe musafirëve ishte intakt dhe sikur priste fryma të reja.
Shkrimtari dhe studiuesi Hazir Mehmeti u ndal me interes para rafteve plot libra të vjetër. Ibrahim Xhemajli dhe Emineja, dy veprimtarë të hershëm, dokumentonin që nga dita e parë çdo gjë me kujdes. Mendova: një herë veprimtar-gjithmonë veprimtar. Piktori Milazim Ukëhaxhaj përthithte me sy dhe mbase inspirohej për ndonjë vepër arti.
-Darka
Në mbrëmje, Ristorante L’Antico Ulivo në Civita di Bagnoregio na mirëpriti për darkën e fundit. Ndërtesa historike dhe ambienti krijuan një përmbyllje magjike të këtij udhëtimi. Një natë më parë aty kishim kaluar një mbrëmje të paharruar: arbëresh dhe shqiptarë nën tingujt e muzikës live arbëreshe, festuam ditëlindjen e At Belushit. Ambienti, shoqëria shqiptaro-arbëreshe, ushqimi i shëndetshëm kalabrez kombinuar me atë arbëresh, zërat e bukur të këngëtarëve Marco Moccia, Maria Antonietta Rimoli dhe Ilir Papazi i dhanë vulën magjisë së asaj nate. Më tutje grupi nga Gjeneva, të rinj dhe plot energji. Ndër ta Aina, Durrësini, Iliri, Gjoni, Fahredini transmetues të energjisë pozitive. Ndërsa Familja Rifati, familja e mrekullueshme e Bacit Rexhe: shoqja Hamidja, djali Avniu, vajzat Teuta, Dita, Merita një familje model i suksesit dhe dashurisë për atdheun, freski dhe nder jo vetëm i këtij eventi. Pastaj Fatimja dhe Nexhi ruajtën humorin e tyre, edhe në natën e fundit. Eli, dora e djathtë e Orneles, vajza që erdhi nga Tirana, ajo që me dashuri promovon çdo arritje arbëreshe, ishte dhe mbeti e ëmbla e grupit! Gjersa Tomassio Belushi me sharmin dhe arbërishten e tij karakteristike na bënte të ndjehemi si në shtëpi. Më mbeti merak që nuk erdhi inxhinieri Tomassi Ferrari, me të cilin biseda kishte thellësi dhe sens. Një natë më parë, ai dhe zonja e tij fisnike më ftuan që vizitën e ardhshme të jem mysafir në shtëpinë e tyre. Jo të shkosh në bujtinë, eja te ne, më thanë. Sytë mu mbushën me lot, ndjeva mikpritjen autentike arbërore, gjashtëqind vjet e vjetër.
Krejt në fund, Bashkim Halilaj, “bleta” e LKSHM, njeriu që punon shumë në heshtje, pa u ekspozuar, na përkujtoi se nesër, në pesë të mëngjesit, duhet të jemi gati për nisje drejt aeroportit.
Përshëndetje, përqafime dhe zotime për takime dhe aktivitete të reja, mbushën qiellin e kthjelltë të asaj nate. Arbëreshët dhurojnë shumë dashuri! Posa të përshëndetesh, ke mall të shkosh përsëri. Dhe mu këtë do bëjmë ne.





























