Ornela Radovicka: Vështrim kritik për librin „Arbëreshët – Fotosintezë e shpirtit tim“

Libri, “Arbëreshët – Fotosintezë e shpirtit tim”, është një produkt, i udhëtimeve të autorit Rexhep Rifati  tek ngulimet arbëreshe në territorin e shtetit italian.

Libri nis me një parathënie të At Antonio Bellusci, i cili me pika të veçanta ka kapur pothuajse të gjitha tematikat e botës arbëreshe. Ai  Përshkuan  si problemet, ashtu edhe bukurinë e shpirtit të këtij populli, duke u fokusuar disi edhe tek riti bizantin.

Struktura e librit

Struktura e librit shtrihet në një linjë horizontale në dy binar: imazhet dhe rrëfimi, të cilat shoqërohen me të  dhënat historike studimore, plotësohen dhe gërshetohen,  me njëra tjetrën falë një strukturimi,  “stile blog” siç ndodh në platformat digjitale, ku krijohet ai puzle imazh + koment, të cilat bëjnë që  informacioni  të jetë sa më i perceptueshëm për të gjitha moshat,  dhe të përcjellë më së miri  qëllimin e tij  informativ, divulgativ e kulturor të botës arbëreshe

Informacionet e grumbulluara, janë të ndarë në kapituj.

Renditen 52  ngulimet arbëreshe, të cilat janë të stacionuara në Italinë  jugore,   përfshirë këtu edhe pesë ngulimet arbëreshe në ishullin e Sicilisë,  si edhe arbëreshët e krahinave  Molize e Abruzzo.

 Në titullin “Fotosintezë e shpirtit tim”  që  autori  ka zgjedhur, përmblidhet karakteri  dualist:

  • Fotografitë, paraqesin imazhe, krijojnë ide, dhe si të tilla, japin  sintezën.
  • Fotografitë nuk janë thjesht shkrepje, por ato përmbajnë emocione, janë ekuivalente  me atë  proceset diellor i fotosintezës, ku rrezet  e dritës depërtojnë në formë jo të dukshme, kështu që,  atje ku nuk arrin fjala, arrin  dielli i shpirtit.

Është pikërisht kjo lojë artistike, midis fotosintezës emocionale, të udhëtimit të autorit dhe sintezës së fotografive të grumbulluara në vite, të cilat të bashkërenditura  formojnë  atë buqetë  të shpirtit arbëresh, iluminist, humanist që autori ia transmeton lexuesit.

Përmbajtja e librit

Nëse linja e  strukturës ishte dopio binar horizontale, vertikal qëndron përmbajtja, e cila  hap veprën me  një citat shkëputur nga revista internacionale arbëreshe “Lidhja”:

  • Nëse edhe arbëreshët një ditë do të asimilohen,
  • Humbet një popull dhe jo një etni.
  • Kjo s’duhet të ndodhë kurrë!

E jo pa qëllim  autori ka e  vendosur këtë frazë perpendikular, sepse  pikërisht në këto tre rreshta, në këtë “tercinë” përmblidhet hierarkia e çështjes arbëreshe

  1. Urgjenca arbëreshe, që do të thotë: shpëtimi i saj nga asimilimi.
  2. Rëndësia dhe madhështia e kësaj etnie, e cila paragonohet jo me termin “etni”, por popull.
  3. Thirrja “Kjo s’duhet të ndodhë kurrë ”

Autori e konkretizon nëpërmjet fotografive imazheve, kujtimeve,  plazmon dhe riveshë këtë eksklamacion , me shpresën dhe përkufizon Deltën e përjetësisë të këtij komuniteti.

Brendia e këtij libri

Brendia e këtij libri është një udhëtim sa empirik, aq edhe i shtrirë, me  një pikë konvergjence, ku  autori orientohet kohë dhe hapësirë, dhe vendos në këtë parabolë grimca referimesh nga historia dhe ekzistenca  e një popull i dëbuar nga territoret ballkanike ilirike shqipfolës gjatë shekujve  XIV- XVIII e deri më sot, të cilët patën paktin e gjakut të shprishur, folën gjuhën e tyre arbërore,  morën me vete  ritin e tyre bizantin, krijuan një atdhe të dytë në një tokë latine, por  që kurrë nuk harruan atdheun e tyre të humbur, të cilët i këndojnë edhe sot me mall pas 600 vjetësh.

Ky popull unik në glob për historinë e tij quhet Arbëreshë.

Udhëtimet e autorit  në këto territore,  janë të ngarkuara me emocione, dhe rrjedhin aq natyrshëm, siç ndodh kur shkojmë e takojmë vëllezërit  apo motrat të cilët banojnë disi larg shtëpisë sonë: Mblidhemi  rreth një tavoline, shkrepim fotografi mes njerëzve tanë të dashur,  bisedojmë e nderojmë  mikun, por edhe ia marrim këngës dhe valles, ku  këndohet besa e  Kostantinit e Doruntinës, apo rapsodia e Skënderbeut.

Çfarë kërkon autori të japë nëpërmjet  grumbullimit të materialit?

Autori, nëpërmjet shkrepjeve fotografike si dhe materialit të grumbulluar, kërkon të evidencojë qëllimin e këtyre udhëtimeve, të cilat përmbledhin  jo vetëm dashurinë e madhe sublime  të autorit për këtë popullsi, për këtë kozmo që autori i njeh mirë,  e ka prekur, ka ndarë emocionet, ka mbledhur sentimentin e atij populli të mrekullueshëm,  dhe pa  atë manierizëm të  theksuar, kërkon  të kodifikoj këto reportazhe, të sensibilizojë  edhe lexuesin, me virtytin e këtyre  njerëz,  farë e Skënderbeut,  vëllezërit tanë, me gjak të shprishur,  të cilët i ngjajnë  Feniksit, që ringjallet edhe kur duket i shuar!!!

Një  risi, që sjellë autori në brendinë e këtij libri  janë disa grimca  historike të  periudhës risorgjimentale ku dallohen figurat e shquara  arbëreshe, vepra e të cilëve fatkeqësisht  nuk është shumë e njohur për lexuesin e diasporës.

Përmendim këtu, Genaro Placco.  Autori figurën e tij e  përcjellë nëpërmjet  një përshkrimi që i ka bërë shkrimtari  i madh italian me origjinë napolitane, Luigi Settembrini,  në veprën e tij  „Kujtimet e jetës sime“, shkruar në qelinë e burgut,  në Banjën Penale të San Stefanos, kur ishin që të dy të burgosur.

Ja se si e përshkuan ai.

„Gennaro ishte një djalë i ri,  i pashëm… i thjeshté iI gjallë, poetik,  ndonjëherë i egër  si shqiptar dhe malësor që ishte; por mua më pëlqente ajo ngurtësia,  shenjë e një shpirti të qëndrueshëm dhe burrëror. Ajo vendosmëria e tij kur ishte “ Po” dhe kur ishte “Jo”,  pa ato arabeske hipokrizie që  i quajmë buzëqeshje, pa ato fjalë të sjellshme që janë suvatuar mbi një mur të ngrirë;

Nën atë shpërthim të fortë,  rrihte një zemër  fisnike dhe bujare“…

Një përshkrim ky,  sa fizik aq dhe psikologjik, por dhe sa delikat  aq dhe burrëror,  i bërë  këtij arbëreshi të madh, i quajtur ndryshe  Luan i Arbërisë.

Ton, emocionues japin edhe figura të tjera, të cilat edhe këto nuk janë shumë të njohur në botën shqiptare, si Domenico Mauro, Vicenco Stratigo,  dhe do ndalem në një tjetër figurë, që autori e ka evidencuar i quajtur Agiselao Milano, një djaloshi të ri,  arbëresh nga San Benedetto Ullano.

Ishte 8 dhjetor 1856, kur batalioni në të cilin bënte pjesë Milano do të parakalonte para mbretit mbi kalë. Nuk vonoi shumë  dhe Milano, me bajonetën në dorë,  vrapon në drejtim të mbretit dhe e qëllon me një shpejtësi të paparë. Mbreti Ferdinand II, plagoset, por ishte ende gjallë.

Milano ishte gati të niste një sulm të dytë, por nga turma e heshtur, mbërrin sa hap e mbyll sytë një oficer i rojës mbretërore mbi kalë, gjenerali F. de La Tour, i cili  godet Milanon dhe e hedh përtokë.

Të gjithë kishin frikë se ndoshta Milano kishte helmuar majën e bajonetës.

Kur ai u pyet nëse e kishte bërë këtë veprim, Milano pa iu trembur syri ishte përgjigjur:

Për fat të keq, nuk më kishte  shkuar në mendje!!!

Pesë ditë më vonë, në datën 13 dhjetor 1856, Milano në orën gjashtë të mëngjesit u ngjit në vendin e ekzekutimit. Fytyrën e  kishte të mbuluar  me një vello të  zezë, dhe i shoqëruar nga 50 burra. Donte të thoshte diçka, por një breshëri daullesh e ndaloi.  Ekzekutimi u krye!

Një natë para ekzekutimit Milano në ditarin e tij të kujtimeve shkruante:

“Isha i vetëdijshëm se mund të vrisja një tiranë e jo një tirani. Gjesti im ishte e vetmja mënyrë proteste.”!!!

Në rrëfimet e tij historike, autori  nuk është indiferent, as ndaj  figurës  së gruas, dhe na e përcjellë këtë figurë  kaq sublime nëpërmjet historisë së Arbëreshes  Lucia Irianni,  në ditën e arrestimit të djalit të saj Domenico Damis.

I biri i saj  Domeniko, patriot si edhe aktivist risorgjimental, e jo vetëm, por edhe gjeneral përkrah Garibaldit i cili kujtohet jo vetëm si një trim që humbi një sy në betejën e Volturnës, por edhe për shprehjen  me të cilën  Garibaldi  i drejtohet atij, ndërsa shikon i mahnitur trimat  arbëresh në fushë të betejës.

Damis, këta  trimat e tua qenkan luanë  !!!

Domenico, arrestohet dhe i lidhur me pranga këmbë e duar, detyrohet, të parakalojë në rrugët e  qytezës së  tij  arbëreshe në Ungra për të përhapur panik në popull

Nëna Lucia, motrat Giovannina dhe Anna, e shikonin nga ballkoni.

U prekën, kur e panë, por mëma e tij nuk qau.

Në momentin kur  ai u gjend në afërsi, të ballkonit, mëma Lucia hedh  mbi trupin e  të birit disa  monedha, pastaj merr disa petale lulesh nga saksitë e ballkonit të saj  dhe i derdh si një jargavan mbi trupin e të birit, sikur të kryente ritin e një dasme, ku i biri i saj të ishte  dhëndër…

Damis në ato momente ngre vështrimin, i jep të ëmës një buzëqeshje,  vështron egër policinë që e shtyn  dhe  me një krenari shqiptarie vazhdon marshimin.

Nga lart nëna bërtiste : Rroftë liria!!!

Policia reagoi ashpër ndaj këtij veprimi.  Ngjitet në shtëpinë e nëna Lucies, por ajo mbajti një qëndrim të vendosur heroike, ku  jo vetëm diti të mbronte, veten,  vajzat e saj,  por edhe  nderin e familjes arbëreshe.

Autori përmend jo vetëm figura arbëreshe  të pushkës por edhe të penës, përmendim:

Vincenzo Dorsën, i cili shkroi veprën: Sugli Albanesi, ricerche e pensieri, Napoli 1847.

Në këtë vepër ai shkruan: Hulumtime e mendime, kushtuar kombit tim, të ndarë e të shprishur, por një i vetëm.

Dorsa ishte i pari arbëresh që hodhi idenë e kombit… dhe jemi në vitin 1847.

Autori  na përmend  edhe figura  të tjera arbëreshë që kanë dhënë një kontribute  të çmuar si në politikën italiane ashtu edhe në atë ndërkombëtare , si ajo  e arbëreshit  Kostandino Mortati, një nga themeluesit e kushtetutës  Italiane, hartues i nenit nr. gjashtë, një nen  nga më të bukurit që flet për  barazinë mbi qytetarët, nen i cili u  adoptua në  të gjitha vendet evropiane si edhe  në disa  prej Shteteve të  bashkuara të  Amerikës… imagjinoni se nëse ekziston një nen i tillë në botë,  kjo  është falë  idesë së një arbëreshi

Autori ndalon, dhe shkrep foto  te shtëpia e paraardhësve të arbëreshit, Jozef Dioguardi, kongres menit amerikanë, i cili  luajti një rol të madh në pavarësinë e Kosovës.

Por, autori  nuk harron të përmend e të flasë me dashuri për letrarët e dëgjuar, Jul Variboba, De Rada, Zef Serembe, Francesko Santori etj.

 Në brendësi të librit një vend  zë edhe besimi arbëresh. Autori na njeh me një mori fotografish të kishave bizantine, si edhe  dioqezat arbëreshe:

  • Eparkia në Ungra dhe, ajo e Horës së Piana degli albanesi.

Eparkia si i vetmi institucion sot për sot i botës arbëreshe

 Riti bizantin, në popullsinë arbëreshe, është çështje identiteti, i cili shërbente për të dalluar popullsinë arbëreshe  nga popullsia vendase latine.

Për të konfirmuar këtë fakt autori na përcjellë një ngjarje historike.

Ishte viti 1940. Dy priftërinj, hyjnë në Farneta. Ishte një ditë e ftohtë. Një prej tyre u prezantua: Unë jam At Alfredo, prifti i ri i famullisë. Vij nga Alpet e Trentinos, jam “starniero” nuk jam shqiptar, gjuhën nuk e di, por do ta mësoj.

Tjetri ishte Zoti Vincenzo Matrangolo nga Acquaformosa, i cili ditën tjetër nga frika se mos bllokohej nga dëbora e la vetëm priftin e ardhur nga pjesa veriore e Italisë. Arbëreshët e Farnetës  pyesnin njëri tjetrin: A do të mund të rezistoj ky prift, në fshatin tonë apo  edhe ky do të bëjë  si të tjerët?

Vitet kaluan dhe ky prift  mbeti plot  tridhjetë vjet në ketë fshat arbëresh!

 At Alfredo shkruan në ditarin e tij. Ishte  kohë lufte, varfëria nëpër këmbë.

Më munguan shumë gjëra, por asnjëherë një copë bukë, kurrë nuk kam parë një bujari të tillë, më dhanë edhe atëherë kur nuk kishin për vete”.

 At Alfredo mësoi shqip, njohu kulturën arbëreshe . U dashurua me këtë popull aq sa kur u transferua në Trevizo, në dhomën e tij të  punës mbante vetëm fotografitë e Farnetës.

 Është interesante  shprehja “ straniero”( i huaj), që përdor prifti italian At Alfredo kur prezantohet.

Imagjinoni  se sa e fort ishte  ruajtja e identitetit në këtë Arbëri, ku një qytetar, shtetas  i shtetit të tij, siç ishte prifti në fjalë ta konsideronte veten “i huaj”  né këtë territor të Kalabrisë, quajtur Arbëri

Brendia e librit shoqërohet me bibliotekat.

Numërohen një sërë bibliotekash: ajo e Mashit,  në Santa Sofia di Epiri, apo e prof. Mario Massarit, si edhe ajo e At Antonio Belluscit, bibliotekë kjo e fundit  mbi 10 mijë libra e mbi mijëra e mijëra vizitor, midis tyre dhe 200 studentët e Zvicrës  që autori Rexhep Rifati solli në botën arbëreshe, për të parë nga afër kulturën e këtij populli .

Një rëndësi zënë edhe numri i shoqatave kulturore të arbëreshëve sot dhe aktivitatet e tyre të shumta.. Këta njerëz, të cilët me shpirtin e tyre arbërorë, me punën dhe sakrificat e tyre mbajnë gjallë frymën arbëreshe.

Libri është i pasur me një mori fotografish..

Është një gjë që fotografia duhet të ketë; Humanitetin e momentit,  dhe të përcjellës atë që është e padukshme ose që injorohet nga të tjerët.

Sheshet me bustet e Skënderbeut dhe  gjuha shqipe shkruar nëpër tabela, janë fragmente krenarie ndaj  edhe autori i ka  mbërthyer në objektivin e shkrepjeve të gjitha këto çaste.

Shkrepjet e tij, si një fotoreporter profesionist mbërthejnë monumente, qyteza, muze, simbole, epitafe, arkitekture, natyrë të qetë, e mbi të gjitha, shpirtin arbëror të mikpritjes, buzëqeshjen e kétij populli,  si edhe bukurinë  e vajzave arbërore me kostumin e tyre, dhe për këtë,  autori sjell në faqen e tij një nga udhëtarët e mëdhenj të kohës  Henry Swinburne

Henry Swinburne, i cili në 1777 duke kaluar  në Vena \ ngulim ky arbëresh tashmë i asimiluar, flet për bukurinë e grave arbëreshe:“Ndërsa po kalonim lumin Amato, takuam një grup arbëresh (grek)  nga një fshat aty pranë. Rrobat e tyre ishin vezulluese të ndezura, me një mbizotërim të ngjyrave të verdha dhe të kuqe. Gratë ishin shumë më tërheqëse sesa shumica e grave të Kalabrisë“.

Siç e shohim Libri ka një përmbajtje emocionale, është një mozaik kulturor, sepse përmban, grimca  historike, etnografike, antropologjike,  mbi botën arbëreshe.

Gjuha që ka përdorur, autori në vepër është shqip / italisht

Për efekt hapësire, kemi qenë më të reduktuar në dhënien e informacionit,  në gjuhën italiane, dhe jemi zgjatur më tepër për lexuesin shqiptar për ta informuar dhe jo vetëm, por edhe për të sensibilizuar atë.

 Në fund të udhëtimit të këtij libri

Autori duket sikur lë si një shirit të skalitur shpirtin e personifikuar, i cili i ngjan një lumi ; i heshtur, herë-herë i vrullshëm dhe herë disi i boshatisur, një shtrat hapësinor, si shpatullat e një arbëreshi: të thata, por edhe të gjera, që  mbajnë  peshën e ayre gurëve,  ku fati dhe historia nuk kishin qenë aq bujar me ta.

Edhe pse në ato troje  kanë ngelur pak  shqiponja ato vazhdojnë të jenë atije, të gjallë. Kanë 600 vjet që na presin. Janë mësues, student, qytetar të thjeshtë, por mbi të gjitha, fëmijë që do të jenë nesër e ardhmja e asaj arbërie…

Të tjerat shqiponja do ti gjejmë në alegorinë e tyre;
i gjejmë të thurura ne tapetet e  kishës bizantine,
i gjejmë të gdhendura në muret e shtëpive të braktisura,
i gjejmë të skalitura në dorezat e dyerve të heshtura…
i gjejmë në epitafet e varreve

Ato shqiponja do i gjeni në idiomat e komunikimit, né tabelat në gjuhën  shqip ku lexohet „Mirëserdhët“,  por mos u entuziazmoni, se do të vini re që shumë prej këtyre folezave  kanë rreshtur së kuptuar shqip

Ju lutem mos i gjykoni, por reflektoni, sensibilizohuni, dhe nëse keni mundësi  i ndihmoni!!!

 Si të gjitha rrëfimet kur mbarojnë, të lënë atë dosë të ëmbël si edhe një shije malinkonie, që të bënë të reflektosh mbi këtë enti kaq të rrallë, për mos të thënë e vetmja në rruzullin tokësor, e cila po rrezikohet kaq shumë në asimilim deri në zhdukje, e kjo s’duhet të ndodh!

Por ja që po ndodh…!!!
Ndodh e duhet ta pranojmë…!!!

Sepse po shohim me sytë tanë nga dita në ditë që kjo Arbëri po shpopullohet dhe po zhduket gjuha.

Ndodh, sepse kur je i ri ajo qytezë ku je lindur, rritur ku ke qarë e qeshur, ku ke hedhur hapat e para,  nuk të ofron më ëndrra dhe mundësi për një jetë më të mirë,

Ndodh se ajo qytezë të duket shumë e ngusht, dhe me çdo kusht kërkon të largohesh prej saj.

Ndodh, që qytetet kosmopolitane  me kthetrat e tyre të tërheqin në grackën e homologimit dhe magjinë e Mirëqenies.
Ndodh, sepse globalizimi dhe asimilimi qëndrojnë si shpata e Demokleut.

Por ndodh që me  kalimin e viteve  bëhesh edhe i vetëdijshëm  dhe fillon e zbulon  e dashurohesh me rrënjët, me gjakun, ashtu si i ndodhi Mik Rexhepit, apo ashtu si më ndodhi dhe mua, kur ri zbulova botën arbërore të katundeve arbëreshe të zhytur si foleza ( të destinuar) në ato male të hijshme me bukurinë e tyre.

Shpirti mu deh nga një magji sapo shkela në ato sheshe kur pash krenarinë Skënderbeut ngulur në çdo fshat, e një dinjitet ri gjeta.

Një ajër i ngrohtë më pushtoi shpirtin kur dëgjova një grup pleqsh, përreth njëri tjetrit, të cilët flisnin gjuhën time. E kishin ruajtur në mënyrë dinjitoze  prej 600 vjetësh, dhe dy pika loti ndjeva të më mblidheshin mbi buzë.

Nuk di arsyen e saktë; nëse ato çaste mu kujtua im at, kur rrinte bashkë me shokët e tij te sheshi, apo malli për gjithçka në tokën time, se aty mu duk një copë Shqipëri?! Ndoshta ishin që të dyja bashkë!

Sytë, mu vezulluan nga kostumi e bukuria e atyre shtojzovalleve arbëreshe ndërsa hidhnin Valle nëpër gjitoni, herë dukeshin si Dea të Epirti, e herë-herë si

Nora e Kelmendit, të kapura fort për dore, ose me cepin e shamive, e lëvizin, plot me një gjallëri.

Ky gjerdan herë-herë shpalosej  dhe palosej, herë krijonte nyje , herë zgjidhej, herë hapej  ose mblidhej në formë e  një rrethi… në mes të cilit, një nga këngëtarët rrëfente vargje, himne patriotike, rapsodi e balada. Një përkujtim i fitoreve të shqiptarëve dhe Skënderbeut  mbi turqit.

Ishte  një polifoni magjepse.

Kur hyra në Katedralen Bizantine ndjeva diçka nga ai  patosi me të cilin Zoti në agimin e krijimit pa veprën e duarve të tij.

Në mbrëmje u ula në një stol e ngrita  sytë. Pash hënën, mure qiellore të çara si meteorë lëviznin të sinkronizuar pranë saj, ndërsa yjet dalëngadalë arratiseshin deri në agim.

Qëndrova e magjepsur në këtë kosmo, e pushtuar nga një adrenalinë natyrale e cila të zgjon lirikën dhe epikën, larg asaj këpuce luksoze. Përreth kisha vetëm Arbëri.

Arbëria, është një “sëmundje” e çuditshme. Të gërvisht shpirtin me një mallëngjim të shkrifët  edhe atëherë kur ti  je i gëzuar. Është virale kronike, prek të gjithë ata që duan me shpirt botën arbëreshe, këtë kozmo sa i vogël por aq edhe gjigand i cili ende është i pa eksploruar.

Disa kohë më parë, jam njohur me  një artikull té viti 1912  botuar në gazetën Riget në Danimarkë.

Në atë vit një korrespondent  danez ishte nisur drejt Kosovës për të ndjekur përparimet e ushtrisë serbe.

Korrespondenti sapo mbërrin, raporton një realitet tjetër nga ajo që  thuhej në studiot e Danimarkës.

Shumë të vrarë kishte parë në Gjilan dhe thekson që në fshatin Ferizaj  nuk kishte ngelur pothuajse asnjë mashkull

Fati  i këtij populli në këto territor, nuk ka qenë shumë bujar, por ai truall rriti, edukoi njerëz, me dinjitet,  me vlera tè larta humane , e mbi të gjitha me një shpirt të gjerë me rrënjët dhe dashurinë e madhe për Arbërinë . Një prej tyre është edhe miku ynë  Rexhep Rifati..!

I uroj autorit  Rexhep Rifati suksese, dhe  Faleminderit, për këtë punë kolosale, të pa lodhur, shpresoj që shumë të rijnë të ndjekin shembullin e tij.

Arbëria ka shumë nevojë për njerëz sa të heshtur aq edhe gjigand.

Falënderojmë edhe familjen e tij që me gjestin e tyre kaq nobile mbështesin bashkëshortin, të atin, gjyshin, në këtë mision kaq fisnik!

Falënderoj të gjithë ata që mbështetën këtë projekt, sepse çështja arbëreshe na përket të gjithëve..

Faleminderit,  pjesëmarrësve, si dhe  gjithë atyre që na ndjekin.
Faleminderit për vëmendjen!

Rroftë Arbëria!
Të përjetshëm Arbëreshët !
Jetë të gjatë mikut Rexhep!

Nga qëndra jonë e studimit dhe kërkimeve shkencore, të kulturës arbëreshe me drejtor Prof. Dr Antonio Bellusci, në emër të saj i dorëzoj mikut tonë Rexhep Rifatit këtë Mirënjohje “Nderim arbëresh”.