Popujt gjermanofonë kanë bërë përshtypje në kohën e virusit Korona. Në Gjermani, Austri apo Zvicër. Ata kanë spikatur ose me më së paku të infektuar, ose me më së paku të vdekur, ose me më së shumti të shëruar. Ose edhe me më së shumti investime për amortizimin e pasojave të krizës në ekonominë e vendit. Gjermania me 550 miliardë euro për rreth 90 milionë banorët e saj, Zvicra me mbi 40 miliardë franga për 8 milonë banorët e saj… Edhe Austria aty duhet të jetë, ajo e para e liberalizon regjimin e pandemisë.
Gjermania këtë javë i ka dhënë karar. Një lajm i së enjtes e impresionoi botën: Gjykata Federale Kushtetuese e Gjermanisë e lejoi mbajtjen e protestave në kohën e pandemisë! Ajo i dha të drejtë kërkesës së 4 prillit të këtij viti të një burri për të mbajtur katër protesta kundër regjimit të masave për mbrojtjen nga pandemia e virusit Korona me moton: „Të forcohet shëndeti në vend të dobësohen të drejtat themelore – mbrojtje nga virusët, jo nga njerëzit“. Mediet janë të keqardhura se nga shqyrtimi, sado me procedurë të shpejtuar, atij i kanë ikur dy nga protestat e kërkuara.
Ky lajm na flet njëherë për statusin e gjykatës kushtetuese në një shtet ligjor. Si instanca më e lartë e pajisur me ekspertizën dhe autorizimet për të shqyrtuar kauzat qytetare dhe politike. Ajo në një afat të shkurtër i përmbysi vendimet e dy gjykatave administrative, atë të qytetit Gießen dhe atë të Landit Hessen. Pas saj më nuk flet kush! Nuk ka as interpretime me shejtanë dhe djepa. Në kuptimin: më mirë pa gjykatë kushtetuese se me njerëz që s’i dua. Si për ato gjykata që, megjithatë, e rrëzuan marrëveshjen e dyshimtë për detin me Greqinë. Përkatësisht marrëveshjen e përçudnuar të asociacionit të komunave serbe në Kosovë.
Vendimi gjerman është lapidar: Nuk ndalohen demonstaratat as në kohë pandemie! Nuk ndalohet demokracia! Ndalohet mësimi, takimet sportive… Por jo protestat! Kujto tani ata që ankoheshin për demostratat te shqiptarët: O i shërbejnë Serbisë, o Greqisë, o Rusisë. Qeveria le të vjedhë ç’ti dalë përpara, nga tenderat deri te votat. Kjo s’i volit Rusisë… Kjo iu levërdis shqiptarëve. Ta kërkonin e pakta një gjykatë kushtetuese që ndan dava. E cila do t’i kishte kursyer të gjithë nga disa protesta. Demostratat duheshin qoftë vetëm për mungesën e Gjykatës Kushtetuese!
Në rrjetet sociale po qarkullon fjalimi i një përfaqësuesi të opozitës portugjeze në parlamentin e këtij vendi. Një fjalim patetik, patriotik, por i shkurtër dhe me kulturë. Në thelb, politikani opozitar i shpreh mbështetjen qeverisë së vendit në këtë kohë të pandemisë. I shpreh mbështetjen kryeministrit të tij. Dhe, këtu ishte mallëngjyer njëri! I pari këtë video ndër shqiptarë e ka përhapur ai që nuk shkulet as nga karrigja, as nga televizori. Politikani shqiptar që e ka televizionin e vet!
Ku do të dalë ai me këtë video? Çfarë kërkon ky politikan vërtet? Ai është ndër qeveritarët e paktë në rruzullin tokësor, duke përfshirë këtu edhe shtetet më autoritare, opozita e të cilit në parlament voton me zell të papërmbajur për ligjet e tij. Vazhdimisht. Masovikisht. Paturpësisht. Në kohë pandemie e papandemie! Duke përfshirë edhe vendimet e këtyre ditëve pandemike, të cilat, siç ligjërojnë shumë specialistë, bien ndesh me kushtetutën. Por, kur s’ka gjykatë kushtetuese, s’ka shkelje kushtetuese! As kushtetutë!
Atij nuk i mjaftojnë deputetët e vet, as deputetët e blerë. Nuk i mjaftojnë mediet e blera, as medja e vet. Ai nuk i duron gazetarët si e pyesin! Ai nuk i duron opinionet e shkencëtarëve, të cilëve sot më në fund nganjëherë ua japin fjalën. Nuk i duron mjekët kur shprehen për çështje të mjekësisë! Ai nuk duron t’i thuash se maskat e skaduara janë të skaduara! Për të skadenca s’domethënë asgjë! Dhe megjthatë në mënyrë sistematike i kanë tjetërsuar, duke ua mbuluar datën e skadencës.
Kjo mendësi është e skaduar! Ajo është e rrezikshme!























