Normalja e Elbasanit, rekrutuese e mësuesve për të gjitha trojet shqiptare (4)

Në nismën e saj, më 1 Dhjetor 1909, me drejtor të parë Luigj Gurakuqin pati gjithsej 140 nxënës nga e gjithë Shqipëria: gjysma prej tyre nga Kosova e Çamëria-. Në maj të vitit 1941, mbi 400 studentë që u diplomuan në këtë shkollë dhe në shkollën “Harry Fultz”, do të shpërndan në të gjitha trojet edhe atë kryesisht jashtë shtetit shqiptar, ku edhe ishte i ndaluar mësimi armëtar.

Përgatiti Rexhep Rifati   

Në udhëtimet e mija trojeve shqiptare preokupim të vazhdueshëm pata vizitën e shkollës së parë normale, atë Elbasanit. Herën e parë në shoqërim nga Jakup Reka e Shkëlzen Rexha, vizitova më parë godinën ku nga data 2 – 9 shtator 1909 u mbajt Kongresi i Elbasanit me delegatë nga trevat shqiptare, që i dha vizë hapjes së Shkollës Normale në Elbasan, e cila edhe filloi mësimin më 1 dhjetor të po atij viti. Në nismën e saj, shkolla pati 140 nxënës nga e gjithë Shqipëria. Gjysma prej tyre ishin nga Kosova e Çamëria, tregues i përkushtimit që arsimimi shqip të përhapej në çdo pëllëmbë të trevave shqipfolëse. Po këtë shkollë e vizitova bashkë me gjeneratën time të Normales së Ferizajt, pasi që ishim pensionuar dhe kishim kaluar të 70-dhetat!

Një fond prej mbi 5 mijë dokumentesh origjinale e fotokopje

Me rastin e vizitës më 9 qershor 2016, në njërin nga katet e kësaj shkolle, pamë se dy dhoma mësimi ishin kthyer në muze, ku ruhet një fond prej mbi 5 mijë dokumentesh origjinale e fotokopje. Janë aty rreth 500 portrete, përfaqësues të brezave të normalistëve, si dhe një violinë që për njëzet vjet (1919-1939) u shërbeu nxënësve në lëndën e muzikës. Ndërsa që në muret e këtyre dhomave muze, janë varë edhe fotot e drejtorëve të Normales e në hyrje të shkollës edhe Kënga e Normales, që ishte edhe një lloj himni për këtë shkollë, nga do të rekrutoheshin mësues për gjitha trojet shqiptare.

Si e para shkollë e mesme kombëtare në gjuhën shqipe, Normalja e Elbasanit u bë vatër e përgatitjes së mësuesve shqiptarë në gjuhën shqipe. Drejtori i parë ka qenë Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar si Hafiz Ibrahim Dalliu, Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Salih Çeka, Filip Leci, Kristo Dako, Kostaq Cipo, Ahmet Gashi, Kolë Prela, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Luigj Filaj, Thanas Floqi, Vasil Qirjaku e të tjerë.

Flakadanë të parë drite në trojet etnike

Nga shkrimet e ndryshme që arrita të siguroj, mësova  se në maj të vitit 1941 ishte i pari grup mësuesish nga “Normalja e Elbasanit” që shkuan për përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Edhe atë më se 400 studentë që u diplomuan nga “Normalja e Elbasanit” dhe shkolla “Harry Fultz” u shpërndan nëpër të gjitha trojet shqiptare për të përhapur arsimin shqip. Kontributi i tyre në shpërndarjen e arsimit shqip ishte i jashtëzakonshëm, por u përcjell me shumë sfida e rreziqe, ngase disa nga këta mësues gjatë shërbimit të tyre në trojet etnike pësuan persekutime dhe burgosje nga regjimet e vendeve ku edhe shërbyen, si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi apo edhe në Çamëri. Në Kosovë veçmas e pësuan nga dy organet represive të regjimit komunist serbo- jugosllav OZNA dhe UDB-a.

Në një shkrim në 110 vjetorit, me titull: “Shkolla Normale e Elbasanit, miti dhe e ardhmja” shkruar nga Tomorr Plangaric, Pedagog i disiplinave gjuhësore në departamentin e gjuhësisë, pranë Universitetit “A.Xhuvani”, në Elbasan, ndër të tjera shkruan se: “Një ndër këto raste fatlume, ku vlerat e prodhuara nga një institucion (bile edhe vlerat hipotetike që synohej të prodhonte ai institucion, qysh në lindje të tij) kanë mundësuar fillesat e mitit mbi të, është Shkolla Normale e Elbasanit, që i hapi dyert e saj më 1 dhjetor 1909.

Në historinë e një kombi që vinte prej një terri shumëshekullor, që në dhjetëvjeçarët e fundit po përvijonte rilindje politike, ideologjike, por edhe shpirtërore e kulturore, lindja e një institucioni të tillë ishte si lindja e një dielli në sistemin e tij planetar të kulturës e interesave shpirtërore, ndryshe nga ndriçimi që mund të vinte i qartë ose jo, por gjithsesi i reflektuar, nga sisteme të tjera diellore kulture apo vlerash shpirtërore.- Nënvizon më tej, nga Tomorr Plangaric.

Ndërsa në kumtesën e Peçi Naqellari nga Universiteti i Elbasanit, po në  110 vjetorin e Normales, potencohet se : “Hapja 110 vjet më parë e shkollës së parë të mësuesisë në Shqipëri, të cilën të gjithë edhe në histori, por edhe sot e njohim me emrin Normalja e Elbasanit, është një prej ngjarjeve çelës, etapë e pashmangshme në kalendarin e zhvillimit historik dhe kulturor të popullit shqiptar. Shkolla Normale për disa dekada u shndërrua në një institucion, ku mësuesit përgatiteshin si mësimdhënës të brumosur me idealet e atdhetarisë e shqiptarizmës, me dijet dhe frymën që vinte nga Rilindja Kombëtare, me njohjen dhe zbatimin e shumë prej teorive bashkëkohore evropiane në fushën e pedagogjisë, psikologjisë e shkencave të zbatuara”…

Institucion që vendosi themelet e mendimit shkencor shqiptar

Më tej profesor Peçi Naqellari, në kumtesën e tij thotë se: “ Normalja si institucion vendosi themelet në disa drejtime të dijes e mendimit shkencor shqiptar. Si institucion u shndërrua në qendër të kultivimit e zhvillimit pedagogjik shqiptar. U hartuan dhe u zbatuan plane, programe e tekste mësimore të përshtatura me kërkesat e kohës. Gjithashtu, ajo u shndërrua në një qendër të eksperimentimit e përvijimit të shkencave të zbatuara.

Nëpërmjet botimeve të ndryshme u publikuan dijet, kërkimet dhe arritjet në fusha të ndryshme, të cilat u bënë një shtysë e parë për studiuesit e rinj në shumë fusha të shkencës shqiptare. Janë këto vlera që na bëjnë të pohojmë me krenari se Normalja me veprimtarinë e saj pedagogjike dhe shkencore për nivelet e arritura, fiton statusin e merituar të Universitetit të parë të përgatitjes së mësuesve në Shqipëri”. Disa nga burimet për këtë shkrim ishin Arkivi Digjital Elbasan dhe Revista Albanon, ndërsa një pjesë të fotografive kam realizua bashkë me fotografin profesionist Shkëlzen Rexha.

 Nesër: “Hasan Msusi”, pasi hapi 120 shkolla në Kosovë përfundoi me pranga në Goli Otok!