Gjatë udhëtimeve trojeve arbërore, hasa në shembuj ku ka bashkëjetua dhe bashkjeton fuqishëm toleranca ndërfetare. Raste konkrete: Hafëz Ibrahim efendiu nga Shkupi puth At Fishtën në Kongresin e manastirit e në Kalabri At Antonio Belushi, si edhe Shtjefën Ivezaj, në Malësi të Madhe: Biblën, Kuranin, Beslidhjen e Re dhe veprat bektashiane i radhisin në një raft të përbashkët.
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Gjatë udhëtimeve të mija trojeve etnike, kam vërejtur se shqiptarët i kanë ndarë kufijtë e detet, madje edhe shekujt, por nuk ka mundur t’i ndajë dashuria e një lidhjeje gjaku, gjuhe e tradite me njëri-tjetrin. Këtu, edhe përmes fotove, fiksova atë që ruhet dhe kultivohet me dekada e shekuj midis shqiptarëve të të dy anëve të Adriatikut.
Derisa në Tropojë (Malësi e Gjakovës), me të shkelur në pragun e derës na pritën me kafe e raki, pa na pyetur fare, në Kalabri para se ta shkelnim pragun na “gostitën” me një këngë të vjetër arbëreshe!
Krahas një dashurie ndërvëllazërore mbretëron edhe një bashkëjetesë dhe tolerancë ndër fetare. Me këtë rast kur po ka mjaft luhatje nga rrymime të ndryshme fetare, sidomos ato ekstreme, përzgjodha tre shembuj shumë mbresëlënës që i hasa gjatë udhëtimeve: Kështu në dy biblioteka që i ndanin rreth njëmijë kilometra, që nga Malësia e Madhe e në Kalabri (me një det në mes), te pronarët e tyre: etnografi Shtjefën Ivezaj në Malësi të Madhe dhe Atë Antonio Bellusci (Belushi) në Frasnitë të Kalabrisë, pashë se librat e shenjtë, siç janë: Bibla, Kurani, Besëlidhja e Re dhe librat e bektashizmit, i kishin radhitur njërin pranë tjetrit, ashtu siç nuk kishin arritur t’i ndanin besimet e ndryshme shqiptarët gjatë shekujve.
Ndërsa në një broshurë të Kongresit të Manastirit, ku kumtesën kryesore e mbajti Gjergj Fishta, që atëbotë, ndonëse kishte vetëm 37 vjet, preku aq shumë pjesëmarrësit, sa një hoxhë rendi i pari ta përqafonte Fishtën. Ja si e përshkruan këtë ngjarje Gj. Qiriazi:
“ Këto dhe këshilla të tjera të GJ. Fishtës impresionuan dhe prekën aq shumë zemrat e të pranishmëve myslimanë e të krishterë , sa që nuk mundën e ti mbanin lotët e tyre. Kur Fishta mbaroi bisedën dhe po zbriste nga platforma, u sul drejt tij Hafiz Ibrahim efendiu, nga Shkupi, e përqafoi me sytë e mbushur lot dhe e puthi . Kjo skenë, që u zhvillua në praninë e 300-400 vetave, shumica e të cilëve ishin myslimanë, la një përshtypje të madhe mbi të gjithë këta”.
Me këtë rast, krahas librave fetarë në bibliotekën Bellusci në Kalabri dhe në muzeun e Shjefën Ivezajt në Malësi të Madhe, po jap edhe citatin nga broshura në Kongresin e Manastirit, shkrepur përmes foto-objektivit tim.