Një vend për Anton Çettën, një vend për gjakfaljen

Keqkuptime të mëdha duken në sfondin e veprave të kujtesës kolektive te shqiptarët. Veprimtaria zhvillohet pothuajse në mënyrë ilegale. Nuk ka as kushte formale, as profesionale për përmendoret. Të përjetësuarit marrin pjesë në përurimin e shtatoreve të veta dhe shprehen për domethënien e tyre. Miratohen vepra pa marrë vlerësimin e specialistëve. Pa asnjë pleqërim. Pa debat. Është shpikur gjinia e karikaturës skulpturore. Mungon fare rendi i gjërave.

Një shtatore e Anton Çettës po endet prej kohësh depo më depo. Apo dergjet të terrin e ndonjë magazine. Vetëm nganjëherë në margjina të opinionit publik lexon për kalvarin e saj. Po asnjëherë s’e kupton se pse po ngjet kjo. Ç’u bë keq. Kush s’e ka bërë detyrën si duhet. Kush prish punë. Kush? Ku? Kur? Si? Pse? Janë pyetje elementare të një raportimi mediatik.

Mediet shtrohen në debate triviale të shqyrtimit përnjë të 120 kandidatëve të 28 partive në garë për Parlamentin e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme, dhe nuk po gjejnë kohën për një debat për figurën e Anton Çettës. Kush po i pret udhën sot burrit të urtë, që para tri dekadave i priu fushatës së pajtimit të gjaqeve. Ndalimit të gjakmarrjes. Përurimit të gjakfaljes. Pse? Që ta kuptojmë. Se mbase ka ndonjë të vërtetë që duhet konsideruar.

Gjithsesi, fushata kundër gjakmarrjes është ndër ngjarjet më fisnike dhe më të rëndësishme të historisë së re të shqiptarëve. Një ndërmarrje, e cila ka hak studime të mirëfillta politologjike. Të krijosh frymën e një solidarizimi të atillë qytetar, e cila të bën të jesh krenar të falësh një sherr, është kryevepër! Dhe jo një sherr çfarëdo, po të falësh gjakun e paraardhësit dhe të pasardhësit tënd. Është t’i zgjasësh jetën kombit.

Kjo ngjarje e tejzakonshme, një gjetje më e madhe se vetë gjakmarrja në kohën e saj, e cila në kushtet e mungesës së shtetit dhe kodeve të tij mëtonte të vendoste drejtësi dhe rend në një shoqëri, meriton të fiksohet në kujtesën kolektive të brezave. Ajo ishte një „vaksinë“ kundër mortajës që po e mbyste në gjak dhe e trette shoqërinë shqiptare, për më tepër, të gjendur në një zgjedhë të huaj.

Anton Çetta identifikohet kryekëput me gjakfaljen, çka e ka lënë në hije veprimtarinë e tij të mëparshme si albanolog dhe mbledhës i folklorit. Ajo u bë kryevepra e tij. Ai ishte i prerë për t’i prirë kësaj fushate përbashkimi. Dhe ai nuk doli në krye të saj me bërryla dhe me grykë. Forca e tij ishte urtësia. Ai aq më tepër e meriton të amshohet në një kryevepër! skulpturore në sheshin më reprezentativ të vendit.

Krejt së fundmi thuhet se është caktuar një vend dinjitoz për shtatoren e tij. Atij që shkëlqente në oda dhe në sheshe. Ku u shkrua histori me fjalë dhe besë. Ku fjala peshonte plumb. Dhe plumbi bëhej shkrumb. Ku ajo jipej njëherë dhe mbahej përherë. (Ende nuk është thyer rekordi i tubimit te Verat e Llukës, të cilin e thirri ai). Tani le ta gjejnë gjuhëtarët një vend në fjalorin e shqipes për gjakfaljen, e cila i rri digë gjakmarrjes.