Në Lucern të Zvicrës ndërroi jetë poeti Nokë ( Ndue) Sinishtaj

SONY DSC

Nokë (Ndue) Sinishtaj, i lindur më 24 gusht 1944, në Këshevë të Grudës në Malësi të Madhe afër Tuzit, që ndërroi jetë në Lucern të Zvicrës më 16 Maj, la pas veti një bibliografi të pasur dhjetëra botimesh, kryesisht në poezi.- Krahas se poet, përkthyes dhe ish prift katolik, ai ishte një personalitet i këndshëm e fisnik, që gëzonte një simpati të veçantë në mesin e mërgimtarëve , ndërsa largimi i tij nga mesi ynë u prit me pikëllim nga miq e krijues që bashkëvepruan me te në organizime të ndryshme letrare.

Me rastin e vdekjes së Ndue Sinishtajt, miku i tij, poeti Shaip Beqiri shkruan se: “Paska kaluar matanë miku im i shtrenjtë, eruditi e poeti i rrallë, Ndue Sinishtaj. Nuk ka më shumë se një javë që më thirri duke ma bërë me dije se ishte biseda jonë e mbramë! Qe një përjetim i paprovuar kurrë më parë. U shtanga dhe m’u zu fryma në grykë… Më shpejt se unë, e kapi ai hutesën time tronditëse… Dhe prapë sonte e mora kumtin e ikjes së tij si të pabesueshëm, të papranueshëm. Këtë mund ta kuptojnë jo pak njerëz, por vetëm ata që kanë pasur rastin fatlum të takojnë dhe ta njohin për së afërmi një njeri çfarë ishte malësori im më i qytetëruar në rruzullin e tokës…”

Edhe poeti e miku tjetër i poetit, Bardhec Berisha i cili pos që kishte një shoqërim të vazhdueshëm prej vitesh edhe i kishte organizuar edhe promovime me rastin e botimeve, u shpreh me dhembje për kalimin në amshim të Ndue Sinishtajt, që në veprat e tij njihej zakonisht me Nokë Sinishtaj, ndërsa që vargu i librave të tij është i gjatë.

Berisha tregon edhe për organizimin e takimeve letrare në Shoqatën “Drini” kushtuar veprave Sinishtës ku bashkë me poetin Shaip Beqiri i organizuan një promovim libri, veprës së tij „Syri i ngujuar“. Po nga Berisha mësojmë se Ndue Sinishtaj la pas vetës një bibliotekë të pasur me autorë që nga antika e këndej, ku krahas autorëve shqiptarë të periudhave të ndryshme, ka edhe një fond të mirë veprat e klasikëve botëror, por edhe të atyre modern.

Edhe poeti Dedë Preqi në një shkrim të tij të mëhershëm autorial te “Zemra Shqiptare shkruan se: “Nëqoftëse dëshiron ta njohësh mirë Malësinë e Madhe dhe malësorët, atëherë duhet pa tjetër ti lexosh edhe vargjet e poetit Nokë Sinishtaj, një malësor i regjur dhe i kalitur nga Ksheva e Grudës, të Malit Zi. Siç e quajnë Malësia e Madhe, duke filluar nga njerëzit e heroizmit dhe sakrificave kombëtare, i mbeti ky emër pothuaj vetëm një simbolikë, sepse sot është vështirë ta quajsh në këtë mënyrë, kur dihet se ky vend i malësorëve bujar dhe simbol i shumë nacionalistëve kombëtarë, për fat të keq ka mbetur vetëm hapësira e bjeshkëve dhe trojeve shqiptare, ndoshta si askund tjetër, kur, që nga gjysma e shekullit XX-të, dhe më herët, Evropa Perëndimore, sidomos Amerika dhe deri nga Australia, u mbushën me malësorë, për shkak të kushteve ekonomike dhe politike, të shpërngulur nga gjitha trevat e Malësisë së Madhe…”

Ndërsa nga Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë në Zvicër, mësojmë disa të dhëna më të hollësishme për jetën dhe veprën e Ndue Sishtajt: Se lindi më 24 gusht 1944 në Kshevë të Grudës (Malësi e Madhe). Shkollimin fillor e kreu në katundin e lindjes dhe në Tuz, kurse Gjimnazin klasik në Zarë dhe Pazin (Istri). Teologjinë e mbaroi në Rijekë, Zagreb e Firence. Pastaj pesë vjet shërbeu meshtar në Gusi, Tuz, Podgoricë e Traboin (Hot). Në vitin 1975 regjistroi Filozofinë e Letërsinë Italiane në Universitetin e Friburgut (Zvicër), të cilin e mbaroi më 1981. Nga viti 1982 jeton në Luzern dhe punon përkthyes.

Pas largimit nga meshtaria në vitin 2000, ai boton një libër në prozë, njëlloj ditari autobiografik, si një rrëfim arsyetues për aktin e bërë. Ky libër titullohet “Rrëfimet e një prifti të rebeluar” . Në këtë libër publicistik që nuk i arrin as njëqind faqe, Noka rrëfen problemet me të cilat ai takohet gjatë misionit të meshtarit. Në bazë të atyre që shkruan, Noka dëshpërohet nga sjelljet armiqësore brenda klerit dhe padrejtësitë që i bëhen aty. Kjo do të ishte edhe arsyeja që ai përfundimisht do të largohej nga meshtaria por assesi nga besimi në Zotin.

Pak para se të mërgonte në Zvicër, la dy dorëshkrime poezish kroatisht: “More mira u nemiru” / “Det qetësie në trazim” dhe Nerastočeni mir” / “Qetësi e patrazuar” (më 1974 te “Pobjeda” e Podgoricës). Ndërkaq ka botuar librat: «Mogillat e Kshevës» (poezi shqip, 1976, Friburg); “Rimani amica” (poezi italisht, 1977, Friburg); «Apokalipsi i Pashkut nga Bjeshkët e Nemuna» (quasi-roman kroatisht, 1977, Friburg); “Eingewickelt in sein Schweisstuch” (poezi gjermanisht, 1994, Luzern); «Te varret e Kshevës» (poezi shqip, Albiform, 1995, Tiranë); “Dubrovniku” (poemë kroatisht, 1996, Luzern); “Syri i ngujuar” (poezi, Erik, 1998, Tiranë); “Tetë letra të Martin Camajt” (epistolar, ABA Grafik One, 2000, Tiranë); “Rrëfimet e një prifti të rebeluar” (publicistikë, Neraida, 2000, Tiranë); “Në vend të epitafit” (poezi, Afërdita, 2002, Tiranë); “Spirale” (poezi, Globus R, 2003, Tiranë); “Rekuiem për fshatin tim” (poezi, 2005, Podgoricë); “Nga sergjeni i harruar” (poezi, Globus R, 2007, Tiranë) dhe “Kupa e thyer e heshtjes” (poezi, Konica, 2010, Prishtinë).

Përgatiti për botim gazetari Rexhep Rifati i cili nga arkivi i tij shkëputi edhe ca foto nga pjesëmarrja e poetit Sinishtaj dhe me miqtë e tij krijues, ndërsa nga fb i poetit edhe ca ballina të botimeve të tij.