Në Zvicër shënohet 38-të vjetori i demonstratave të 1981-tës

173

Në St.Gallen të Zvicrës, të dielen u mbajt tubim me bashkëatdhetar, kushtuar 38 vjetorit të demonstratave të 1981, e njohur si “Pranvera e Kuqe ‘81”.  Më 10 mars, janë bërë 38 vjet që kur ka filluar zinxhiri i demonstratave të ’81-tës. Këto demonstrata u organizuan nga lëvizja e atëhershme studentore, për të marrë më vonë karakter gjithëpopullor, sepse u përkrahënga anë e mbanë Kosovës.

Për të shënuar këtë përvjetor, pika e Lëvizjes Vetëvendosje! në St.Gallen, ftoi bashkëatdhetarë të shumtë, para të cilëve pos fjalës së të ftuarve, sollën edhe një program të pasur kulturo-artistik, me përmasa tradicionale shqiptare.

Ilmi Cakolli, si kryesues i këshillit organizativ, tha se marsi është muaj i mbushur me ngjarje të lavdishme të historisë sonë kombëtare, që kanë bërë kthesë në historinë tonë të përgjakshme ndër shekuj.

“Madhështia e marsit fillon me Epopenë e UÇK-së dhe rënien historike të komandantit legjendar Adem Jashari, që njëherit shënon edhe kthesën e madhe të historisë së re për Kosovën kundër pushtimit serb. Ishin demonstratat e rinisë dhe klasës punëtore, të cilët si asnjëherë më parë u bashkuan rreth një qëllimi dhe kërkese të vetme të përbashkët. Pranvera e vitit 1981, bëri rizgjimin tonë kombetarë dhe ngriti lart nivelin e atdhedashurisë”, tha Cakolli.

Ndërkaq, prijësi i këtyre demonstratave Hydajet Hyseni, tha se ky vit pos tjerash është edhe përvjetori i 30-të i masakrës së pranverës ’89-të, që la qindra të vrarë dhe të plagosur.

“Më vjenë mirë që kjo veprimtari po mbahet në mërgim, pikërisht aty ku gjetën strehim dhe çlirim shumë shqiptarë, ku klubet e mërgatës po ktheheshin në klube atdhetare shqiptare që tundnin Evropën dhe befasonin me pjekuri dhe rregullësi të veprimit. Ky çlirim i mërgatës nuk do të ishte i mundshëm pa mirëpritjen dhe mirëkuptimin e vendeve mike, të cilave u jemi mirënjohës dhe falenderues gjithmonë. Kosova dhe gjithë kombi ka nevojë për angazhimin e gjithanshëm të mërgimtarëve në funksion të përkushtimit atdhetar, shtetformues e integrues në të gjithë hapësirën shqiptare. Ky përvjetor i 38-të shënon 38 vjetë mbajtje me mund dhe gjak, sakrifica të shumta të flakës së pashuar të lirisë, reflektim për rrugën e kaluar dhe shtigjet e së ardhmes së gjakosur dhe përballje me një rrugë të egër që shtrembëron të vërtetën e lavdishme historike të së kaluarës tonë”, tha Hyseni.

Në këtë tubim, foli edhe deputeti i Kuvenndit të Kosovës Liburnn Aliu, i cili kujtoi fëmijërinë e tij kur ndodhnin demonstratat e 81-tës e që ai ishte vetëm 6 vjeq.

“Mbajë shumë mirë mend fjalën demonstratë dhe të rinjtë e të rejat që hynin e dilnin në banesën tonë. Mbajë në mend këngët dhe fjalimet, vajzat që visheshin kuq e zi…ndoshta do ta kisha harruar këtë, po të mos përsëritej kjo ngjarje vazhdimisht ndër vite. Kjo që përsëritej dhe nuk ndalej, bënte që me padurim të prisja kohën të rritesha dhe të bëhesha pjesë e këtyre aktiviteteve. Kështu, kjo na gjeti në 89/90-tën, kur e kuptuam edhe më mirë rëndësinë e demonstratave të 81-tës dhe themelin e bërjes së tyre dhe kështu rezistenca jonë e brez pas brezi na solli edhe deri te lufta”, tha Aliu.

Në këtë tubim foli edhe poeti Avni Dehari, i cili tha se kjo është një ngjarje e rëndësishme e historisë sonë të re kombëtare, për të cilën mërgimtarët kanë dhënë shumë nga vetja e tyre për ti realizuar kërkesat e këtyre demonstratave.

Ndërsa, veprimtari i hershëm i cështjes kombbëtare Jashar Alija, tha se rinia studentore nisi fillimin e demonstratave që duhet të pasonin në ditët dhe muaj e asaj pranvere, ku forcat policore ushtruan dhunë duke i rrahur një numër të konsiderueshëm të tyre.

“Në këto demonstrata morën pjesë pleq e të rinj, burra e gra, të rinjë e të reja, ishte një demonstratë gjithëpopullore, ku i gjithë populli ishte në rrugë. Regjimi i Beogradit i shtypi shqiptarët dhe i lau në gjak, edhepse karakteri i demonstratave ishte paqësor. Më 2 prill ranë dëshmorët e parë, ndërsa Serbia asnjëherë nuk pa lodhjen dhe rrëzimin e shiptarëve, të cilët me vendosmëri po kërkonin pavarësi”, tha Aliaj.

Ky tubim u përcoll nga një numër i madh i mërgimtarëve, ndërkohë që po të njejtën ditë në Bern u bë promovimi i dy librave “Ali Aliu-Kelmendi, rinngjallja e Prometeut” i Avni Deharit dhe “Arif Seferi në shërbim të popullit”, i Avni Deharit dhe Destan Hajdinit.