Nol Berisha, bashkë me poetë, arsimtarë, profesorë dhe intelektualë të tjerë të këtij qyteti, para më shumë se gjysmë shekulli, më 1970, themeluan Klubin Letrar „De Rada“ (fillimisht si Seksion Letrar). Për një kohë, Nol Berisha, e ka udhëhequr me sukses këtë klub letrar, i cili me veprimtarinë e vet, në vitet shtatëdhjeta ishte ndër më të njohurit në Kosovë. Aty u vunë bazat dhe u zhvillua një traditë e pasur emancipuese letrare me ndikim, jo vetëm në qytetin e Ferizajit. Gjithashtu „De Rada“ u bë strehë dhe çerdhe kulturore e talenteve, të cilët më vonë do të bëhen emra të njohur të letërsisë sonë në gjithë Kosovën dhe më gjerë.
„De Rada“ që në fillimin e veprimtarisë së tij, ka botuar edhe libra poetikë të autorëve-anëtarëve të tij. Klubi themeloi bibliotekën e vet „Zgjimi“ dhe gjatë viteve 70-ta, libra kanë botuar Rahmi Tuda, Nuhi Vinca, Hajro Ulqinaku, Shpresa Vinca-Tuda, Misret Halili, Faruk Tasholli, Rrahim Sadiku, etj. Më 1972, në kolonën Biblioteka „Zgjimi“, Nol Berishës iu botua libri i parë me poezi „Lyra e vjeshtës“.
Klubi Letrar „De Rada“ edhe sot, pas 52 vjetësh, vepron me sukses në qytetin e Ferizajt.
Nol Berisha ka lindur më 30 dhjetor 1923 në Grudë të Malësisë së Madhe. Në qytetin e Shkodrës ka kryer shkollimin fillor, ndërsa gjimnazin në Liceun „Naim Frashëri“ në Tiranë. Në Prishtinë kreu Fakultetin Filozofik – Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Prej vitit 1946 punoi si mësues, arsimtar në shumë vende të Shqipërisë. Më 1949 kthehet në vendlindje dhe punon në profesionin e mësuesisë.
Në moshën 36 vjeçare, në shtator të vitit 1959, Nol Berisha vjen përfundimisht të jetoj në Ferizaj ku punoi arsimtar dhe profesor i gjuhës shqipe nëpër shkollat e qytetit deri në pensionim. Më 14 dhjetor 1997 vdes, në moshën 73 vjeçare.
Nol Berisha botoi: „Lyra e vjeshtës“, 1972, „Thjeshtësi“,1974, „Shtëpiza në blerim“,1978, „Si u mësua Frani të lexojë“, 1979, „Fije që lidhin kohë“,1980, „Legjenda e Vaut“,1990, „Ishte kohë madhështore“,1991, „Princi Minuk“,1981 (përkthim nga italishtja).
Poeti Nol Berisha, në krijimtarinë e tij poetike shprehet me finesë e ndjeshmëri të lartë emocionale. Ai është një zgjatim i natyrshëm i frymës poetike të letërsisë sonë të viteve 30-ta, e cila kulmin e saj e kishte arritur në Shkodër. Nol Berisha, i rritur dhe i shkolluar gjatë rinisë së tij në Shkodër, në një masë, ka arritur ta shprehë këtë frymë poetike, veçanërisht në veprën e tij „Lyra e vjeshtës“.
***
O KANGËT E MIJA
T’jeni si gjini i nanës për foshnjen e untueme,
Si puthje nane kur reshin përmbi foshnje,
Si qeshja e foshnjes e si gugatja e saj
Për nanë që e lindi vonë…
Edhe – si votra bujare që zjarmin e mban kallë
Për çdo udhtar t’vonuem – ndër netët e shtangta t’dimnit.
T’jeni si qielli në pikë të verës,
sim drita që ushqen shpresën,
si fjala n’ditë të ngushtë – e ikut ma besnik,
si valle zogjësh shtegtarë kur me pranverën kthejnë.
Qofshi si DIELLI – të bukura gjithmonë!!!
Kufomë e bukur
e as frymë e randë e nji shemtimi t’mshehun
ju kurr mos qofshi!!!
Me flakë t’pashkimun mysafire t’hyni
aty
ku dhimbja e shpresa
gëzim e durimi
e kanë selinë!…
T’i jipni gojë zemrës që mbet memece!
***
JERONIM De RADËS
-Me rastin e themelimit
të Seksionit letrar „De RADA“ të Ferizajt –
Në fshat të vogël – M a k i
që pasqyrohet në J o n,
kur ujt‘ s’trazon duhija
e rrezet hana l’shon,
për komb e për njerzim
e linde o Natyrë.
Me qumësht dielli mbajti
që pastër gjiun amnor
që ty t’dha trup e shpirtë
De RADË, – t’strehoi n’krahnor
njerëzore zemrën, poet,
e dritën t’reshi1) n’fytyrë.
Ariosti, Tasso e Virgjili
e njaj që shkroi ILIADËN
e Ygo – dëshmues i shekullit
sa bukur m’sue të patën
si nxiret n’pah ndjesija,
si del i artë mendimi!
Këndue ke për GJERGJIN
të cilit drita e diellit
lakmi t’ja ketë ndriçimin
pse kqyrun pat prej qiellit
si u na Europ’s muroje
kur e zgërgjiu trishtimi
1)Resh: mbushi, dikoi (nga nalt)






















