Mjekët e diplomuar jashtë shteteve të EU/EFTA që punojnë në Zvicër, me anë të një peticioni online kërkojnë mbështetje tek masa e gjerë

Valbona Hysenaj Miftari, 29 maj 2020


Në vitet e fundit në disa kantone është duke u rritur presioni për mjekët e vendeve që kanë diplomuar jashtë EU/EFTA, që ata t‘a kryejnë provimin shtetëror, madje edhe nëse ata punojnë me vite tė tëra dhe me kontratë pune të palimituar. Poashtu tashmë në shumë spitale si parakusht për të hyrë në punë, kërkohet së pari njohja e diplomës.

Dispozitat ligjore që mundësojnë ushtrimin e profesionit të mjekut në Zvicër për shtetasit e vendeve jashtë BE/EFTA

Ligji për Profesionet Mjekësore (MedBG) i cili hyri në fuqi më 1 shtator 2007, përbën bazën ligjore për shkollimin, trajnimin e mëtutjeshëm si dhe praktikimin profesional të pesë profesioneve mjekësore universitare; mjekësisë humane, stomatologjisë, mjekësisë veterinare, farmacisë dhe kiropraktikës. MedBG ka për qëllim të sigurojë lëvizjen e lirë të profesionistëve shëndetësorë me diplomë universitare në gjithë hapësirën e Konfederatës zvicerane.

Zvicra njeh diplomat e huaja dhe titujt e arsimimit të vazhdueshëm të profesioneve mjekësore të lëshuara nga shtetet kontraktuese, pra shtetet me të cilat ekziston një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave dhe titujve të arsimimit të vazhdueshëm. Një marrëveshje e tillë (marrëveshja për lëvizjen e lirë të personave) aktualisht ekziston vetëm me vendet e BE-së dhe EFTA-s. Kjo quhet njohje automatike apo direkte.

Nëse një shtet kontraktues, pra një vend tjetër nga BE/ EFTA njeh një diplomë nga një vend i tretë (jashtë BE /EFTA), Zvicra atëherë pranon njohjen në mënyrë indirekte, por vetëm nëse aplikanti/-ja apo bashkëshorti /-ja e aplikantit është shtetas/e e EU -së. Kjo është ashtuquajtura (“njohja e njohjes”). Këtu si kusht është përvoja e punës të paktën tre vjet në pesë vitet e fundit para aplikimit, dhe poashtu posedimi i njohurive të mjaftueshme të një gjuhe zyrtare zvicerane (minimalisht niveli B2).

Diplomat e marra jashtë BE/ EFTA nuk do të njihen nga Zvicra direkt pa i plotësuar kriteret e lartëpërmendura. Aplikanti i cili nuk i plotëson kriteret e lartëpërmendura megjithatë ka mundësi të pajiset me diplomë të njohur pasi t’a ketë dhënë provimin shtetëror (federal).

Kriteriet për të punuar në Zvicër si mjek

Personave të profileve mjekësore që posedojnë një diplomë universitare në mjekësinë humane, stomatologji, mjekësinë veterinare, farmaci dhe kiropraktikë me origjinë nga vendet jashtë BE/ EFTA, gjegjësisht të cilëve nuk u njihet diploma në përputhje me Rregulloren e BE-së 2005/36, u kërkohet pikë së pari regjistrimi i diplomës në regjistrin mjekësor (MedReg), licensa kantonale për të ushtruar profesionin e tyre në Zvicër e poashtu njohja federale e diplomës.

Regjistri i profesioneve mjekësore (MedReg)

Nga 1 janari 2018, nuk mund të ushtrohet aktiviteti profesional në Zvicër pa regjistrimin e diplomës në regjistrin e profesionit mjekësor, pra nga 01.01.2018 është DOMOSDOSHMËRI. Ky regjistrim para kësaj date nuk ishte domosdoshmëri përpos atyre që dëshironin të punonin në ordinanca apo spitale private.

Në vendin e njohjes, pra aplikanti ka të drejtë të ushtrojë profesionin njëjtë sikur ata që kanë përfunduar shkollimin në vendin e njohjes sipas nenit 2, paragrafi 2 i Rregullores së BE-së 2005/36/EC. Pra ata që punojnë në Zvicër por akoma nuk e kanë diplomën e njohur nga MEBEKO, mund të punojnë në institucionet shtetërore nën mbikëqyrjen e punëdhënësit, mund të kryejnë trajnime të mëtutjeshme në Zvicër, por nuk mund ta marrin njē titull specializimi pa e kryer provimin federal.

Statistikat mjekësore në Zvicër

Departamenti i të dhënave, demografisë dhe cilësisë (DDQ) publikon cdo vit shifrat më të fundit mbi statistikat mjekësore.

Sipas këtij departamenti, numri i përgjithshëm i mjekëve që punojnë në Zvicër në vitin 2019 ka qenë 37.882 (16.372 gra, 21.510 burra). Në krahasim me një vit më parë, numri i përgjithshëm është rritur me 357 persona (plus 1%), por rritja është dukshëm më e vogël se në vitet e kaluara (2018: 625; 2017: 725; 2016: 850; 2015: 977). Duke marrë parasysh ngarkesën e punës, mjekët vijnë në 33486 ekuivalentë me kohë të plotë (një ekuivalent me kohë të plotë korrespondon me rreth 55 orë në javë.

52.0 % e mjekëve punojnë në ordinanca private, 46.5 % në spitale dhe 1.5 % në një sektor tjetër (p.sh. në administratë). Përqindja e mjekëve me një diplomë të huaj është mbi një e treta e profesionit të përgjithshëm mjekësor (36.3 %) dhe është rritur pak me 0.9 % në krahasim me një vit më parë. Shumica e mjekëve me një diplomë të huaj vijnë nga Gjermania (53.4 %), e ndjekur nga Italia (8.9 %), Franca (6.9 %) dhe Austria (6.0 %). Ngarkesa mesatare e punës është 8,9 ditë e gjysmë që korrespondon me një javë pune rreth 48 orë me një ekuivalent me kohë të plotë rreth 55 orë në javë. Specialistët e mjekësisë së përgjithshme dhe mjekësisë interne kryesojnë me 22.9 %, e ndjekur në vendin e dytë nga specialistët e psikiatrisë dhe psikoterapisë me 10.2 % dhe pastaj nga gjinekologjia dhe obstetrika me 5.1 %.

Mungesa e mjekëve

Në Zvicër plakja e popullsisë sikurse në shumë vende evropiane vazhdon të rritet si dhe numri i specialistëve mjekësorë është pothuajse në stagnim, thonë raportet nga buletini i statistikave mjekësore. Mjekët e sektorit privat janë mesatarisht dhjetë vjet më të vjetër se kolegët e tyre në sektorin e spitalit (54.9 vjet krahasuar me 44.0 vjet). Diferenca në moshë midis sektorëve është kryesisht për shkak të trainimit të mëtutjeshëm të profesionit të asistentit mjekësor, i cili bëhet kryesisht në spitale.Dendësia e mjekëve në Zvicër është 4, 4 mjekë për 1000 banorë (3.9 mjekë për 1000 banorë në ekuivalentë me kohë të plotë).

Pra për shkak të plakjes së popullatës, shtimit të sëmundjeve kronike, gjegjësisht rritjes së nevojës së trajtimeve dhe ekzaminimeve, për shembull për sëmundjet mendore, kancerin, diabetin dhe sëmundje të tjera, nevoja për mjekë bëhet edhe më e madhe. Më tutje shumë ordinanca private të mjekëve familjarë, por edhe të specialistëve të lamive tjera të cilët do të pensionohen do të mbyllen së shpejti në mungesë zëvendësimi. Vetëm në domenin e psikiatrisë brenda 10 vitesh Zvicra do të ketë nevojë për 1000 psikiatër shtesë. Një nevojë e tillë është evidente në cdo lami të mjekësisë. Pra me një fjalë numri i mjekëve që diplomojnë në Zvicër dhe kërkesave është në proporcion të zhdrejtë. Kështu që nevoja për mjekët e huaj ështe tejet evidente. Sidoqoftë, nuk është vetëm çështje e mbulimit të nevojës shtesë për shërbime mjekësore përmes më shumë profesionistëve shëndetësorë, por edhe e ofrimit të një kujdesi të synuar. Potenciali për përmirësim në kujdesin mjekësor duhet të njihet dhe shfrytëzohet.

Mirëpo edhe pse ekziston mungesa e paralajmëruar e mjekëve të kualifikuar, shumë mjekë me diploma të huaja (jashtë Bashkimit Evropian), shumica e të cilëve janë shtetas zviceranë, të cilët kanë praktikuar në Zvicër për shumë vite dhe janë njohur në mënyrë të përkryer me funksionimin e institucioneve zvicerane, do të jenë ndoshta në një periudhë të afërt të detyruar ta varin mantelin e bardhë poçëse nuk e kryejnë provimin shtetëror, ndonëse ata janë trajnuar si specialistë në institucionet arsimore të njohura zvicerane, janë të regjistruar në regjistrin e profesioneve mjekësore dhe kanë trajtuar me mijëra pacientë përgjatë viteve.

Ligji për t’iu nënshtruar provimit shtetëror, gjegjësisht mos mundësia për të hyrë në provimin specialistik pa provimin shtetëror hyri në fuqi në vitin 2010.

Krijimi i shoqatës MEDENS

E gjithë kjo pakënaqësi e akumuluar që një dekadë bëri që mjekët e vendeve jashtë EU/EFTA) të cilët jetojnë dhe punojnë ndër vite në spitale zvicerane, të krijojnë shoqatën e tyre me emrin MEDENS në maj 2018, e cila shoqatë si mision kryesor ka vendosjen e barazisë me kolegët zviceranë dhe kolegët nga vendet tjera evropiane, poashtu forcimin e marrëdhënieve ndërprofesionale dhe shoqërore të këtyre mjekëve që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, si dhe vendosjen e partneritetit dhe bashkëpunimit zyrtar me organet shtetërore zvicerane të mjekësisë (Mebeko, FMH, VSAO etj).

MEDENS përkujdeset për përfaqësimin sa më të denjë të interesave të mjekëve të lartëpërmendur duke promovuar dhe mbrojtur veprimtarinë e tyre në institucionet shëndetësore të Zvicrës.

MEDENS konsideron që çelësi për të dalë nga një situatë që përndryshe kërcënon të përkeqësohet në vitet në vijim është vlerësim i barabartë i kategorisë së mjekëve me diploma të huaja me kolegët zviceranë dhe ata nga shtetet europiane, vlerësim ky me njohjen e diplomës universitare, para së gjithash të atyre që punojnë me vite në Zvicër. Trajtimi i barabartë u mundëson mjekëve të vendeve jashtë EU/EFTA avancimin e dëshiruar profesional si dhe dhënien e ndihmës optimale mjekësore ndaj popullsisë në Zvicër.

Javë më parë MEDENS lansoi një peticion drejtuar autoriteteve më të larta të shtetit, peticion i cili u përkrah edhe nga shumë drejtues klinikash, me kërkesë të vetme njohjen e diplomës së tyre mjekësore universitare dhe dhënien e së drejtës që t’i nënshtrohen provimit specialistik.

Ata që me vite të tëra me përkushtim të plotë kontribuan dhe vazhdojnë të kontribojnë në funksionimin e mirëfilltë të sistemit shëndetësor zviceran dhe shumë prej tyre bartin edhe funksione me rëndësi e përgjegjësi të lartë, konsiderojnë që diploma e tyre universitare në mënyrë të paarsyeshme nuk njihet nga autoriteti federal (MEBEKO).
Këtë ata e konsiderojnë paradoksale dhe tejet diskriminuese për faktin se mosnjohja e diplomës nuk bëhet për mungesë kompentencash profesionale, por ndodh për shkak të prejardhjes së diplomës.

Me 12. maj 2020 ata lansuan edhe peticionin online të cilin mund ta nënshkruajë çdo banor që jeton në Zvicër dhe është mbi 16 vjet.

Andaj ata ftojnë të gjithë bashkëatdhetarët nga të gjitha komunitetet të ndajnë 5 minuta nga koha e tyre dhe t‘a nëshkruani peticionin në përkrahje të tyre.

Atyre u nevojitet përkrahja e masës qytetare, ashtu siç masës i nevojitet ndihma e tyre humane dhe profesionale.

Referencat:
1. Informacione të nxjerrura nga Komisioni i Profesionit Mjekësor (MEBEKO)
2. Informacione nga Zyra Federale e Shëndetit Publik BAG
3. Statistikat nga Schweizerische Ärztezeitung, Nr. 13, 2020

 

Dr. Valbona Hysenaj Miftari është kryemjeke pranë Departamentit të Varësisë në Klinikën Psikiatrike në Brugg të Zvicrës, qendër kjo akademike e Universitetit Shtetëror të Cyrihut.

Valbona përndryshe është sekretare gjenerale e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, si dhe anëtare aktive e kryesisë së shoqatës MEDENS me seli në Neuchâtel.