Diku tej Jonit, atij t´tonit … kah Maqi drejt Shën Adrianit
Kalabria e Luçanëve, Mesapëve … t´lirë ilirë,
tevona e Moreasëve Arbëreshë
pikëmbështetëse e pikëpyetjeve të kohës
*
Eh … Bota ka sytë kah shejtnia … që heret
lindja e jugme ecë n´lëvizje, kah eci Moses
atje ku kjè … u luftua n´rrajë
Iu desh´ luftë shekujsh
erdh një Konstantin … dha Madhështi n´vulosje
Shejtnitë para e pas, n´kornizë u vnuan
*
Një gur Mullini mbi gjashtëqind vjeç, diqysh si ata t´Dardanisë
para Shpisë së (de) Radëve … gjurmon e gjurmim jèp
fjalëve të bac´s Rexhep Rifati, vulë n´pasqyrim kjenësie
Jeronimi i Shejtnisë së letrave tona i vogël, i hajthëm …
gomari i pa mbërrishëm në shalim pa hypje n´atë gur
Shpia me shikim kah Deti … kah ai (i) Joni …
sytë kah Shqypnia, kah Morea, atje janë vëllëzërit e gjakut
dylbitë nuk i duhen syrit, ai sheh me dritë shpirti
ai … ai sheh me xhixhë malli … sheh me lotin xixë stralli
E Guri i Mullinit … ai aty, gomari iku para t´zotit,
shalimi ishte i pamundur … u bë i pa arsyeshëm
se shkolla tashmë i kish rritë shkollarët
Nuk luejti vendit Guri,
i ngulitun n´kohë, mbështetun n´kjenësi … aty
ruan shpirtin e papërmortshëm të Plakut me t´birin
shikimi ende i pa k´putun … ende i freskët …
ruan Epokën e De Radës … Milosao këndon psallme shqipe
dashunisë në shtim luftën, rrumbullaksim dhimbjesh
Ah sa e madhe kjè Rilindja jonë, tejfeniksiane, tejilirike,
Shqypnia nuk vdiq, u rilind, e thjeshtë kjo
apo jo Djalosh, baca Rexhë i eceiakeve shtegtare
pa hjekë syrin e kristaltë prej dore
Mentor Thaqi
VS., 01-02 Kallnuer 2021
Në shenjë falënderimi për frymëzimin e poezisë nga një foto të një uri mulliri nga viti 1659 të familjes Rada dhe një bashkëbisedim vëllazëror me poetin Mentor Thaqi, po i ilustroi vargjet e tij mbresëlënëse me bustat e De Rades në Maki, Ungra dhe në kolegjin Shënë Adriani në Shënë Dhimitër Koronë si dhe me dy foto nga muzeu në katundin Çifti/Qivita : një foto të De Rades me disa vargje të tij dhe në një me gomar, të cilin edhe e kishte mjet udhëtimi nga Maki deri në Kolegjin Shënë Adriana, në një udhëtim prej afro dhjetë kilometrash në dy drejtimet, si dhe foton e varrit brenda kishes që gjendet në qendër të Makit (Maqi)!

























