Me kalanë e Tiranës, “prointegra” e përmbyll vitin me 48 kala shqiptare!

Si portal që në fillim të këtij viti bëmë zotimin, që çdo fundjavë të prezantojmë nga një kala, gjegjësisht kështjellë shqiptare në trojet tona etnike, meqë rast shumicën edhe i vizituam,

duke sjellë edhe foto origjinale.

Nga Rexhep Rifati

Në përmbyllje të këtij projekti, sot në këtë të shtune të fundit të këtij viti po u njoftojmë me kalanë e Tiranës, që ndodhet në qendrën historike të qytetit të Tiranës, në një nga zonat më të frekuentuara të tij, e të cilën e vizituam më 14 Nëntor 2018, me rastin e sjells së eshtave të atdhetarit të shquar Mit`hat Frashëri në Tiranë, ku edhe afër kësaj kalaje iu bënë homazhe nga mijëra qytetarë.

Përndryshe kalaja sipas, portalit të qytetit të Tiranës, ajo përfaqëson:” një fortifikim fushor me planimetri drejtkëndore 160 x 120m me pjesën më të gjatë lindje – perëndim.
Gjatë gërmimeve të kryera në vitet 2001 dhe 2008 mendohet se kalaja i përket njërit prej fortifikimeve të ndërtuara ose të rindërtuara nga Perandori Justinian në Epirin e Ri (provincë e Durrësit) në shek. IV – VI të erës sonë.
Një pjesë e mureve rrethuese që shihen sot mbi tokë i takojnë ndërtimeve të shekujve të fundit, të cilat janë ndërtuar nga Ahmet Pashë Bargjini në gjysmën e dytë të shek. XVIII mbi rrënojat e kalasë së vjetër.

Në vitin 1798 ra në duart e familjes Toptani nga Kruja. Gjatë kësaj periudhe kalaja u shndërrua në objekt të luftës shumëvjeçare të zhvilluar midis Toptanasve dhe sunduesve Bushatllinj të Shkodrës.
Në vitin 1817 ajo përjetoi një rrethim pesë mujor, i cili pati pasoja të rënda jo vetëm për kalanë por edhe për një pjesë të madhe të qytetit. Pas bombardimit u rindërtua pjesërisht nga Toptanasit por nuk pati jetë të gjatë sepse në vitin 1832 ajo u shemb me urdhër të Vezirit të Madh, Mehmet Reshit Pasha, i cili urdhëroi prishjen e të gjitha kalave.
Sot ruhet një pjesë e murit verior dhe trakte në anën jugore të saj, e cila ndërthuret këndshëm me infrastrukturën përreth.

Brenda mureve të kalasë së Tiranës është krijuar së fundmi një zonë e re pedonale, e shndërruar në një hapësirë rekreative për kryeqytetin. Kjo hapësirë shërben si një mjedis ku promovohen artizanët dhe traditat lokale, kulinaria dhe arti i Tiranës”.

(Me këtë rast po sjelli edhe dy foto origjinale që shkrepëm një të kalasë dhe një me familjen Toptani, q¨shekuj më parë ishte në zotërim të kësaj kalaje).