“Arbëresha” e Zvicrës, që shquhet për masivitet, cilësi e kolegjialitet  

 

Padyshim se Ansambli „Arbëresha“ nga Sirnachu në Zvicër, duke bërë një rrugëtim 18 vjeçar, jo vetëm që ka arrit të rekrutojë me dhjetëra artistë të moshave të ndryshme në këngë e në valle, por edhe që të përjetojë një rritje të përhershme si në cilësi e sasi, por edhe të krijoje një bashkëpunim të ngushtë jo vetëm me simotrat e saj në shtetin helvetik por edhe me grupe artistike arbëreshe nga Kalabria

Testi e fotot: Rexhep Rifati  

Për rrugëtimin e Ansamblit të këngëve dhe valleve “Arbëresha “ me seli në Sirnach të kantonit të Turgaut, i cili u formua më 12. nëntor 2003, si Grupi folklorik “Arbëresha”. me mbështetjen e Misionit Katolik Shqiptar në Sirnach, në saje ndihmës që dha misionari, Mr. Don Marjan Marku, shkëputa një fragment nga libri im “Shqiptarët në Zvicër- në 1001 pamje”, nga një deklaratë e marrë 9 vjet më parë nga kryetari i këtij grupi , Nua Uka:

Parësore ruajtje e kulturës dhe identitetit kombëtar

-Grupi folklorik “Arbëresha” u formua me qëllim shumë të mira, që edhe pse jemi larg vendit tonë, larg qenies sonë, megjithatë ta ruajmë e të kultivojmë kulturën, gjuhen dhe vlerat tona të përbashkëta, në mënyrë që fëmijët tanë te jenë sa ma afër kulturës tonë, mentalitetit dhe tipareve tona, në fund të fundit që janë vetvetja e jonë dhe me atë rast potencoi se : “Hapat e parë te valles shqipe i mësuam nga koreografi Agron Bajrami, ndaj edhe e falënderoj nga zemra për punën e tij të çmuar”. Përndryshe, grupin tonë e përbëjnë gjithsej 38 valltarë, të cilët ndahemi në dy grupe: grupi fëmijëve me 16 valltarë dhe ai i të rriturve me 22 valltarë.

Nga themelimi i grupit “Arbëresha”. Sivjet po mbushen 9 vite dhe grupi u rrit si në sasi ashtu edhe në cilësi, me një numër më të madh anëtarësh e seksionesh, ndërsa që në 5 vjetorin e veprimtarisë, themeluesit e ngritën në gradë ansambli.  Ndihmesë në këtë drejtim dhanë edhe koreografi Arsim Berisha për një periudhë dhe së voni edhe  koreografi profesionist, profesori,  Xhemali Berisha”.

Dhe pak vite më vonë ja edhe një deklaratë e kryetarit të më vonshëm Lulëzi Saliqani, kontributi i të cilit përherë ishte i madh për vet “Arbëreshën por që për fat më nuk është në këtë botë: “Karakteristike është se “Arbëresha”, na kujton lidhje shekullore të shqiptarëve edhe më atan Adriatikut , duke hap zakonisht programin e saj me këngën arbëreshe “Si të lash e më s`të pashë”, që me një mënyrë është bërë si himen i këtij ansambli”,  Përndryshe, po sipas, Lulzim Saliqunit,  ansambli   “Arbëresha”, numëron rreth 70 anëtarë, përfshi këtu grupet e valleve të fëmijëve e të rriturve, të këngëve, të instrumentistëve si dhe atë të aktrimit,  çka e bëjnë këtë grup artistik edhe më të kompletuar”

Një ansambël i pajisur mirë edhe me kostume e instrumente muzikore

Ansambli po ashtu ka edhe lokalet e tija për ushtrime të rregullta , si dhe është i pajisur mirë me instrumente e kostume kombëtare. Ansambli merr pjesë aktive në mjaft manifestime që organizohen në kanton e rrethinë por edhe më gjerë në Zvicër dhe jashtë saj dhe kudo që ka shkuar ka fituar simpatinë e publikut, qoftë shqiptar apo edhe i huaj.

Dhe nga viti në vit, përcolla në vazhdimësi rrugëtimin “Arbëreshës” së Sirnachut, kësaj trope artistike, që shënojë me manifestime të mëdha çdo përvjetor, me përjashtim të këtij viti shkaku i pandemisë.

Ja edhe shkrimi im i fundit për 16 vjetorin e themelimit të arbëreshes nga manifestimi i mbajtur më 25 Janar 2020 ku edhe “Arbëresha” para disa qindra shikuesve në Stadtsaal Wil, doli me një program më se mbresëlënës, të përgatitur nga vet anëtarët tejet aktiv të kësaj trupe, por edhe me disa pika artistike nga mysafirë special nga fusha e muzikës.

Do theksuar se falë një pune të përqendruar si në planin organizativ , ashtu edhe artistik “Arbëresha” sot radhitet në mesin e grupeve më aktive e më cilësore por edhe më kolegjiale në mesin e shoqërive, falë edhe një komuniteti që nuk kursen as mjete e as përkrahje morale për që ta mbështet këtë shoqëri, ku edhe kanë fëmijët e tyre të angazhuar në masë të madhe.

Që në fillim, si edhe disa vite më parë manifestimet fillojnë me një minutë heshtje në nderim të rënëve për liri, por edhe ne nderim të figurës së ish- kryetarit të ansamblit, Lulzim Saliquni.

Ja edhe një fragment nga shkrimi im nga programi 16 vjetorit të themelimit: “Vet programi i mbrëmshëm, qiti në pah sesa janë të angazhuar, prind anëtarë e sidomos kryesia në krye me artistin, Nue Uka, i cili edhe mbajti një fjalë përshëndetëse, duke e ndarë rezultatin e ansamblit të tij edhe me vet anëtarët e grupit por edhe prindërit e tyre, shtuar këtu edhe mbështetjen e përhershme që jep Misioni Katolik Shqiptar në Zvicrën Lindore, në krye me dom Albert Demajn”.

“Arbëresha” shtriu bashkëpunimin edhe me arbëreshët e Italisë  

Gjithashtu edhe në këtë përvjetor, si edhe në të më mëparshmit merrnin pjesë drejtues të grupeve artistike simotra nga disa kantone të Zvicrës, pasi që “Arbëresha” njihet si njëri ndër grupet më bashkëpunuese me gjitha grupet simotra shqiptare në shtetin helvetik.

“Arbëresha”, pos me disa nga ansamblet shqiptare në shtetin helvetik, ka shtri bashkëpunimin edhe me grupe të tjera jashtë vendit ku vepron e sidomos me Grupin folklorik “Vëllezërit Arbëreshë” nga Kalabria me të cilin në kuadër të Vitit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe 14 vjetorit të themelimit të Ansamblit “Arbëresha” te Sirnahut, më 27 Janar 2018 në Bronschhofen të St.Gallent u u mbajt një manifestim madhështor, i cili kthye në një festim të vërtetë me ngjyrim vëllazëror, pasi aty merrnin pjesë edhe dy personalitete të shquara shqiptare që kanë lënë vulë në kohë edhe si misionar e edhe si atdhetar, siç janë: At Antonio Bellusci (Belushi) nga Frasnita e Kalabrisë dhe Monsinjor dom Lush Gjergji nga Kosova.

Me këtë rast Ansambli „Arbëresha“ para publikut artdashës u paraqit me një kore dramë për Gjergj Kastriotin, duke lënë një mbresë të shkëlqyeshme si me numrin e artistëve ashtu edhe cilësinë e programit. Atmosferën e bënë edhe më të veçantë e frymëzuese artistët arbëresh të ardhur nga Kalabria , me një repertor këngësh që nga migrimet e para nga trojet stërgjyshore.

Nua Uka, m e këtë rast nënvizoi se: Ky është vit i madh për kombin shqiptar dhe se edhe për vet Ansamblin “Arbëresha” ka vlerë të veçantë, pasi ansambli bart emrin e atyre arbëreshëve, që pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, u detyruan të emigronin në Itali, duke mos e harruar gjuhën dhe kulturën, doket dhe zakonet, por edhe duke shkruar shqip, lutur shqip dhe jetuar shqip. Dhe se pikërisht. Ky është frymëzim edhe për Ansamblin tonë.

Duke u ndalë tek rrugëtimi i Ansamblit “Arbëresha”, kryetari i kësaj trupe artistike përkujtoi se: Me punë të palodhshme dhe përkushtim të sinqertë, ia kemi dalë që të bëjmë punë të madhe, të organizojmë aktivitete të shumta dhe të marrim pjesë në manifestime të mëdha të kulturës shqiptare kudo në diasporë dhe vendet tona.

Qëllim integrimi e jo asimilimi

Ndërkaq sa i përket synimit: Qëllimi i themelimit të Arbëreshes që në fillimet e hershme ka qenë dhe mbetët bashkimi i të rinjve dhe fëmijëve tanë qe të integrohemi e mos të asimilohemi. Aktualisht Ansambli Arbëresha është e përbërë në tri grupe: 1) Grupi i valleve të Fëmijëve, ku mësuese është Marie Saliquni gruaja e të ndjerit Lulzim Saliquni 2) Grupi i të rriturve koreograf Ndue Uka dhe 3) Grupi Orkestral, përgjegjës Nue Pali. Sipas tij: Gjitha vitet e Ansamblit tonë, janë vite të mbushura me shumë sfida, humbje, suksese e lavdi.
Por, ne vazhdojmë të palodhur rrugëtimin tonë me vepra të reja. Ndaj edhe si çdo herë, ne kërkojmë gjithmonë përkrahjen tuaj, pa të cilën, ne e kemi të vështirë ekzistencën.
Më pastaj kryetari i “Arbëreshës” iu drejtoi një falënderim gjithë atyre që ndihmuan si në themelim, bashkëpunim, koreografi, sponsorim , informim e të tjerë. Për ta përmbyllur fjalën e tij me fjalën se : Ansambli “Arbëresha” është shtëpia jonë e përbashkët, prandaj, t’u kthehemi vlerave tona, tokave tona!

(Fotot e mija në këtë shkrim janë thuaja se të gjitha autoriale dhe të shkrepura ndër vite)