Lulëkuqet mbi kangjela

Shkolla politike jugosllave nuk sfilitet. Na është qepur prej shekujsh dhe po na e nxin jetën. Ditë për ditë. Me katalogun e të gjitha metodave represive në dorë që ka njohur historia e njerëzimit. Ndonjërën prej të cilave e ka promovuar vetë ajo. Një alfabet të tërë planesh e ka hartuar për t’na nxirë e për t’na shkrirë. Dhe kënd? Popullin, me të cilin historia e ka caktuar fqi. Duke e mohuar atë me hekur e me fjalë. Çfarë mallkimi!

„Të mallkuarit e kësaj toke“ quhet libri i mjekut dhe filozofit francez Frantz Fanon, i cili më vjen ndër mend saherë që dalin në shesh „xhevahire“ si këto që e kanë trazuar opinionin publik në Maqedoninë e Veriut. Ditëve të fundit. Viteve të fundit. Pafund. Ai tregon zellin e kolonizatorëve për të ngulitur te popujt e pushtuar vetëdijen për epërsinë kulturore të sërës së padronëve. Kur të kishte ngjitur kjo, atëherë është legjitimuar rendi i tyre. Është mbytur qëndresa.

Platforma më e përshtatshme për këtë operacion janë kurrikulat e shkollave. Tekstet mësimore. Aty gjërat marrin karakter shkencor. Dhe shkenca është shkencë, or t’paçin sytë! Instancë tjetër më të lartë që ndan davanë e së vërtetës nuk ka. Ajo e ndan shapin nga sheqeri. Ky është rendi i gjërave. Prandaj shtroju detyrimeve që ka robi dhe mos kërko të drejta të tjera nga ato që t’i njeh ai. Ule kokën dhe bindu. S’ia vlen asnjë kryengritje.

A nuk është në këtë kuptim shënimi në faqen 99 i librit të gjeografisë për klasat e gjashta në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut? Shqiptarët paskëshin prejardhje rome, çerkeze… Ata janë barbarë. Siç sygjeronin ca tekste të tjera të denoncuara më herët. Siç sugjeronte enciklopedia në tentativë e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë (po e shkruajmë me të madhe për korrektësi gjuhësore). Siç sugjeronin kurrikulat shkollore në kohë të komunizmit…

Për të mos u lënë shteg keqkuptimeve, pohimi në faqen 99 të librit të gjeografisë në gjuhën shqipe për klasët e gjashta të shkollës fillore nuk është skandaloz shkaku se i bën shqiptarët pasrendës të romëve, të cilët mjerisht gjithandej shihen me paragjykime, por sepse kjo nuk është e vërtetë. Sepse për këtë tezë, e cila nuk meriton t’i kushtohet ndonjë vëmendje, nuk ka evidencë historike. E gjithë bota e di nga kanë ardhur sllavët në hapësirat e Ballkanit, kurse nga kanë ardhur shqiptarët e di vetëm historiografia jugosllave!

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë ta mësojnë maqedonishten nga klasët e para të shkollës fillore. Nga klasa e pestë fillore, dhe besoj se në thelb programi mësimor ka ngelur i njëjti që nga ajo kohë, në kuadër të lëndës së maqedonishtes mësohej letërsia maqedonase. Jo më vetëm gjuha dhe gramatika. Në mënyrë sistematike. Kurse në gjimnaz i mësonim autorët bashkëkohorë maqedonas, duke u thelluar me javë të tëra në vepra të caktuara.

Portretet e rilindasve maqedonas përfshiheshin edhe në „librin e leximit“, të lëndës së gjuhës shqipe! Më ka bërë gjithmonë përshtypje si nxënësit e shkëlqyer shqiptarë shpërbleheshin me libra të autorëve jugosllavë. Një të tillë nga Borisav Stankoviq, „Gjaku i papastër“, i dhuruar me dedikim të bukurshkruar nga drejtori, për një të afërm timin, e kam në bibliotekën time. Si libra lektyre në gjuhën shqipe për klasët e ulta fillore figuronin edhe ato të Ivo Andriqit.

Dy rebelime mbaj mend nga shkolla në Maqedoni. Një mënjgjes të 1991-shit ambientet e shkollës fillore „Zufer Musiq” në Tetovë, pa asnjë nxënës maqedonas!, nëse nuk lajthis, jo vetëm kabineti i maqedonishtes, u gdhinë me portrete të rilindjes maqedonase. Rilindasit shqiptarë askund! Ne e bojkotuam mësimin dhe protestuam në oborrin e shkollës kundër drejtorit. Gjersa na erdhën forcat speciale dhe na zbuan si ‘lulëkuqet mbi… kangjela’ me shkopinj dhe me shqelma.

Tjetri ishte në gjimnazin „Kiril Pejçinoviq”! të Tetovës, ku shqiptarët tradicionalisht kanë përbërë shumicën dërrmuese të nxënësve. Në kuadër të lëndës së maqedonishtes, profesoresha nga bashkësia sllave e Maqedonisë na ligjëronte për gjuhët. Do të duhej t’na fliste për maqedonishten, por i dha karar dhe për shqipen. Të cilën profesoresha e kualifikoi si një gjuhë të folur, të paemancipuar… Atëherë ne protestuam dhe e bojkotuam. Po këtë radhë s’na gjeti gjë. As neve, as ate.

Shembuj të tillë nuk kanë të mbaruar. Po si është e mundur që elitat maqedonase nuk po heqin dorë nga ky poshtërim i shqiptarëve? Pse nuk marrin fund këto marifete njëherë e mirë?

Kjo njëherë trimërohet nga mungesa e një përgjigjeje të njëmendtë të elitave shqiptare. Përgjigje e mirëfilltë shkencore, profesionale dhe kompetente. I kujtoj përgënjështrimet e disa shkollarëve shqiptarë ndaj provokacioneve të tilla të akademikëve maqedonas me tekste të shpifura me burime nga interneti. Duke u thirrur në Wikipedian, referimi së cilës në shkolla serioze ndalohet edhe për punime modeste shkencore siç janë proseminaret.

Më tepër se shkoncore çështja duket të jetë politike. Për këtë partneri shqiptar në qeverinë e Maqedonisë së Veriut nuk ka këllqe. Vërtet „pashallëku” i vetëm i tij në shtet janë shkollat shqipe, por ai është i zënë me sistemimin e njerëzve të vet në universitetet shqiptare, pastaj nëpër gjimnaze dhe shkolla fillore. Deri te ato në katundet më të thella. Duke qenë se fjala është për shqiptarët si të tillë, konceptuesit e këtyre kurrikulave duan një leksion të mirë mbarëshqiptar.