LDK para sprovës së madhe, të jetë apo të mos jetë

Lidhja Demokratike e Kosovës si lëvizje nismëtare e pluralizmit politik dhe e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës i duhet skenës politike të Kosovës, por për tu kthyer LDK në drejtim të duhur ka nevojë sa për reforma të thella aq për pastrim të radhëve të veta nga një llum matrapazësh që e katandisën në fund të pusit

 Shkruan: Gani BAJRAMI, Prishtinë

Është paralajmëruar se në fund të kësaj jave, pra nesër, pritet që Lidhja Demokratike e Kosovës ta zgjedhë kryesinë dhe kryetarin e ri të saj, pas dorëheqjes së ish-kryetarit Isa Mustafa, të cilit i atribuohen të gjitha të këqijat që sollën katandisjen e LDK-së, sado që dihet se Mustafa nuk ishte i vetëm në këtë ndërmarrje vdekjeprurëse për partinë e tij.

Unë mendoj dhe dua që LDK të këndellet duke u kthyer në drejtim të duhur me një lidership të ri, i cili do të duhej të jetë i pa ndikuar nga ai i vjetri. Jam thellë i bindur se LDK i duhet skenës politike të Kosovës jo vetëm pse ishte lëvizje nismëtare e pluralizmit politik dhe e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës.

Siç dihet LDK lindi atëherë kur Kosova dhe shqiptarët e saj ishin në prag të shuarjes dhe ajo ishte më shumë se parti, më shumë se ëndërr, më shumë se shpresë. LDK-ja që u formua nga elita intelektuale e kohës, mblodhi rreth vetës kokat më të zgjuara e kombit dhe si një grusht i vetëm kundërshtoi makinerinë shkatërruese serbe, e cila synonte të shkatërronte çdo gjë shqiptare.

LDK kishte si synim kryesor që të fitonte miq të shumtë të demokracive perëndimore dhe atyre të ua bënte me dije hallin që kishin shqiptarët e mbetur padrejtësisht nën okupim të Jugosllavisë, respektivisht Serbisë. Ishte pra programi i LDK-së mbi të cilin u ndërtua vetë Lëvizja Kombëtare.

LDK me Kuvendin e saj zgjedhor, të dielën, do të gjendet para sprovës së madhe, të jetë apo të mos jetë pjesë e skenës politike të Kosovës. Nëse LDK arrin të ketë një lidership të ri që distancohet nga udhëheqja e deritanishme e cila nuk e ka dëmtuar vetëm LDK-në, por edhe shumë procese politike në vend, atëherë mund të shpresohet se LDK do të kthehet në drejtim të duhur, do të bëjë reforma të thella të cilat i nevojiten po aq sa edhe pastrimi i radhëve të veta nga një llum matrapazësh që e katandisën në fund të pusit. Mirëpo, rruga për ta kthyer imazhin që e ka pasur dikur LDK-ja nuk do të jetë aq e lehtë. Parasëgjithash LDK-së duhet t’i kthehet demokracia e brendshme, liria dhe e drejta demokratike e anëtarësisë së saj, që janë fundament i një subjekti politik që vetën e quan demokratike.

Kosovës i duhet një LDK e vendosur në mbrojtje dhe ruajtje të sovranitetit shtetëror dhe të integritetit territorial të Kosovës, që është vënë në shënjestër nga veprimet e Serbisë, por që në mënyrë të heshtur po përkrahen edhe nga një pjesë e shteteve të Evropës dhe jo vetëm nga ato pesë që nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës

Nuk është kurrfarë zbulimi nëse thuhet se ata që e shkatërruan LDK-në, nuk mund ta rikthejnë atë, përkundrazi mund ta fundosin përfundimisht. Rrugëtimin e ri LDK mund ta bëjë vetëm me njerëz që e duan LDK-në dhe Kosovën, me njerëz të devotshëm qe janë të gatshëm të japin më të mirën nga vetja për të mirën e të gjithëve.

Servilet dhe heshtakët e shumtë rreth lidershipit të deritashëm të LDK-së, të cilët interesat personale patën vendosur mbi ato partiake dhe shtetërore, nuk duhet të kenë vend në lidershipin e ri. Sepse, falë udhëheqjes neglizhente, të papërgjegjshme, labile e statike, injorante e ndikuar nga forcat destruktive antishtetërore e antidemokratike, ishte në bashkëpunim të ngushtë dhe në koalicion me kupolën e nepotizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

LDK duhet shpejt të çkapet nga klani uzurpatorë që e mbajti për një kohë të gjatë këtë subjekt nën kthetrat e veta, si dhe nga klanet e klikat korruptive, që pushtetin e panë vetëm si mënyrë të përfitimit e të zhvatjes për vetvete.

Lidershipi i ri i LDK-së, po doli ai që ka për synim që LDK-në ta kthej në drejtim të duhur, duhet të ketë kurajon që ti kërkojë falje publike anëtarësisë dhe simpatizantëve për pabesitë, dredhitë dhe lidhjen e ngushtë të udhëheqjes së saj me kupolën e krimit dhe korrupsionit