Në takimin letrar Azem Shkreli morën pjesë të ftuar të shumtë nga diaspora shqiptare dhe më gjerë. Ndër të pranishmit ishte edhe Lazim Destani i cili për këtë takim shkruan:
Takimi Letrar “Azem Shkreli”, që për çdo vit organizohet në Gjermani, u mbajt dje në hapësirat e Klubit Ekonomik të Dyzeldorfit. Ishte nder dhe kënaqësi pjesëmarrja në këtë manifestim ku ashtu si viteve të kaluara, për ta nderuar, për t’i dhënë bukurinë e për ta respektuar këtë ngjarje artistiko-letrare kishin ardhur shkrimtarë, historianë e studiues që punojnë e veprojnë në diasporë por sigurisht edhe nga trojet tona.
Paraqitjet e folësve në këtë manifestim nderuan dhe respektuan fjalën e shkruar shqipe dhe kolosin e saj, lirikun modern Azem Shkreli, i cili i dha aq shumë letërsisë dhe kombit tonë. Jam krenar që pata fatin të takohem shpesh e ta kem mik këtë njeri dhe veprimtar me vlera të larta.
Bukuri të veçantë kësaj ngjarje letrare i dha nderimi me çmime për poezinë më të mirë si dhe pikat muzikore me këngën e bukur shqipe.
Në takim mori pjesë edhe i biri i poetit, Valon Shkreli, i cili falemnderoi të pranishmit dhe foli më shumë rreth punës së babait të tij.