KOSOVA NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË DEMOKRACISË

Me qeveri pa legjitimitet, me parlament pa integritet dhe me kapje të shtetit në çdo segment nga ata që nuk zgjedhin mjete për ta mbajtur pushtetin, Kosova po shkon drejt anarkisë

 Shkruan: Gani BAJRAMI

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me qëllim që të inkurajon qeveritë që të forcojnë programet kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë, në vitin 2007, me një rezolutë e ka përcaktuar 15 shtatorin Ditë Ndërkombëtare të Demokracisë. Kjo ditë në vende të ndryshme të botës shënohet me aktivitete të shumta. Është paralajmëruar që në Kosovë kjo ditë sot do të shënohet me një takim virtual të misionit UNDP në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës me temën “E ardhmja që duam të shohim – demokracia dhe sundimi i ligjit në kohë krize”.

Po cila është shkalla e demokracisë në Kosovë?

Në Kosovë, siç thuhet i madh dhe i vogël e kanë gojën plot demokraci, por zhvillimi i demokracisë së mirëfilltë lë shumë për të dëshiruar. Që nga pavarësia në vitin 2008, asnjë qeveri në Kosovë nuk e ka përfunduar një mandat të plotë dhe jo për shkak të shkallës së lartë të zhvillimit demokratik, por për shkak se këto qeveri ndërtohen mbi pazaret që i bëjnë partitë politike për interesa të ngushta e në dëm të popullatës. Pazaret politike asnjëherë nuk prodhuan qeveri që i meriton Kosova dhe populli i saj, por as situata aktuale në të cilën ndodhet Kosova që nga paslufta e deri në ditët e sotme.

Liderët e partive, shumica prej të cilëve u dëshmuan si tyxharë të mirë edhe me vullnetin dhe votën e qytetarëve, të prirë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u bën bashkë dhe tash e disa muaj e grabitën pushtetin pa votën e qytetarëve. Ata po vazhdojnë ta qeverisin Kosovën duke e mbajtur peng më zi se të ishte një plaçkë lufte dhe duket aleatë të fortë e kanë edhe një pjesë të faktorit ndërkombëtar, i cili këta liderë i do të dobët dhe të shantazhuar, servilë të paparë që dinë të thonë vetëm “lepe peqe”.

Të tillët e grabitën pushtetin dhe pa fije turpi e mbajnë peng Kosovën dhe popullin e saj, madje edhe moralizojnë për çdo ditë se pushtetin po e mbajnë në duart e tyre, gjoja në emër të interesave të Kosovës. Çfarë ironie?! Ata që deri më tani e katandisën buzë greminës Kosovën me nepotizëm, korrupsion e krim të organizuar paraqitën si shpëtimtarë të vetëm të saj.

 Demokracia me kutin e Thaçit dhe të Mustafës

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë Kosovën e gjen me një qeveri pa legjitimitet dhe në esencë antidemokratike, e cila erdhi në pushtet me minimumin e votave, dy prej të cilave ishin të diskutueshme: Njëra e një deputeti të dënuar dhe tjetra e siguruar në mesnatë nga presidenti Thaçi dhe ish-kryeministri Haradinaj, të cilët ia mësynë shtëpisë së një deputeti për ta “bindur” se duhet të votojë pro qeverisë së re. Për këto dy vota Gjykata Kushtetuese e Kosovës i futi veshët në lesh edhe pse kishte kërkesa për verdiktin e saj.

Kosova aktualisht ka një parlament jokredibil, mbase edhe jashtë juridiksionit kushtetues. Si mund të konsiderohet ndryshe një parlament që me mbi dy të tretat e deputetëve e kanë braktisën verdiktin që ua dha votuesi, duke u rreshtuan pas interesave personale të presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. A nuk e dogjën këta deputetë mandatin e fituar nga votuesi?! Rezoni i shëndosh thotë se me të gjitha normat pozitive kushtetuese ata braktisën mandatin që u dha votuesi dhe u shndërruan si marionetë, vegël në duart e Thaçit e Mustafës.

Prandaj sot kemi një kryeministër dhe një qeveri të pazareve të Hashimit dhe Isës dhe një parlament të lënduar në palcë po nga këta të dy, parlament ky që në vend që të bëhet krah i ndryshimit për të cilin votuan qytetarët e Kosovës, ai u bë krah i rikthimit edhe më të egër të kapjes së shtetit, rikthimit të shantazhit, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pazaret e vjetra të dyshes Thaçi-Mustafa, u riaktivizuan për të jetësuar interesat e tyre meskine, njëri për t’i ikur drejtësisë ndërkombëtare e tjetri drejtësisë vendore dhe që të dy së bashku për ta mbajtur shtetin e kapur në të gjitha segmentet.

Kosova ka vite që i nënshtrohet demokracisë me kutin e Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës, të cilët nuk lanë gurë pa rrotulluar që të mbisundojë “demokracia” e tyre, e pazareve të ndyra politike që vendin e kanë shpie buzë greminës. Ndërkaq, vetë ata, si i mbyturi që kapet edhe për shkume, me çdo kusht duan ta mbajnë shtetin e kapur, në të cilin ka lulëzuar nepotizmi, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Dhe sa më shumë që ta kapin shtetin në çdo segment të tij, mendojnë se aq ma larg do të jetë ballafaqimi i tyre me drejtësisë.

Qytetarë të politizuar e të përçarë si është më së keqi

Kosova gjendet në një shkallë të ulët të unitetit të qytetarëve të saj, të cilët janë instrumentalizuar nga pushtetmbajtësit dhe e kanë humbur edhe tolerancën ndërnjerëzore që e kanë pasur. Mjafton të shihen komentet për çështje të ndryshme në rrjetet sociale dhe të nxirret përfundimi se nuk kemi as tolerancë e as kulturë dialogu. Mjafton të ndiqen seancat e Kuvendit të Kosovës dhe të dëgjohen deputetët që pa asnjë konsideratë e fyejnë kolegun a kolegen vetëm se i takon partisë tjetër dhe ka mendim ndryshe për ndonjë çështje. Mjafton të ndiqen debatet e analistëve, shumica e tyre edhe të vetëshpallur, në televizionet tona dhe njeriu të përjetoi torturën më të rëndë psikike nga gallata që shkaktohet në studio.

Prandaj, edhe nëse një fije uniteti ndërqytetar ka ekzistuar te Kosova dhe populli i saj, atë unitet e rrënoi për toke kasta politike. Me politikanë të këtillë, të cilët e përdorën me mjeshtri parullën “përçaj e sundo”, nuk ka shpresë për të nesërmen më të mirë. Kur vdes shpresa, asnjë qeveri nuk mund të vazhdojë më tutje. Shpresa e kosovarëve u shua që kur zaptuesit e pushtetit, në pranverën e sivjetshme u bën bashkë dhe e grabitën pushtetin pa votën e qytetarëve.

Prandaj, demokracia në Kosovë ka vdekur që nga pranvera e sivjetshme dhe çuditërisht këtë nuk po e shohin shqiptarët e mjerë të Kosovës, të cilët edhe më tutje i sheh si kope delesh pas liderëve politikë, tyxharë jo vetëm të vullnetit të votës së lirë, por edhe të të gjitha të mirave materiale të Kosovës. Këta liderë politikë me partitë e tyre u bënë bashkë për ta varrosur Kosovën, të cilën ka vite që e patën shpie buzë greminës.

Kosova më shumë se asnjëherë sot ka nevojë për fytyra të reja dhe të pakomprometuara që mund t’ia kthejnë shpresën popullit të katandisur në mjerim e paperspektivë. Kosova ka nevojë që të ndihet zëri i intelektualëve tanë, të cilët duhet të çlirohen njëherë e përgjithmonë nga ndikimet dhe animet politike dhe të bëhen pararojë e të mirës së këtij vendi. Kosova dhe populli i saj sot para së gjithash ka nevojë të dalë nga agonia, në të cilën e sollën politikanët e papërgjegjshëm.