Kopshti Kulturor Shqiptar në Cleveland

Jo më kot thuhet se ndonjëherë natyra është gjithcka që të nevojitet. Qyteti  Cleveland në Ohio është një vend ku mund ta gjeni qetësinë e natyrës. Kjo përmes parqeve kulturore për të cilat ky vend njihet. Kopshtet kulturore të këtij qyteti janë një koleksion i mbi 30 kopshteve të vogla që prezantojnë grupet kulturore në Cleveland. Kopshtet kulturore të Cleveland-it synojnë të prezantojnë paqen dhe të festojnë shumëllojshmërinë e kulturave përmes natyrës. Gjatë vizitës në kopshte mund të hasim në lule dhe bimë tjera karakteristike për kulturën që secili kopsht në vete prezanton. Për ta bërë më të lehtë identifikimin, përveç emrit, çdo kopsht ka edhe flamurin e shtetit përkatës. Kopshtet janë të hapura çdo ditë dhe janë të përshtatshme si për turistë ashtu edhe për adhuruesit e ecjes në natyrë.

Brenda këtij atraksioni natyror gjendet edhe Kopshti Kulturor Shqiptar (The Albanian Cultural Garden) që shihet përgjatë rrugës Martin Luther King. Kopshti u krijua përmes bashkëpunimit të komunitetit shqiptar në Cleveland dhe nga shqiptarët në qytetin e Fierit. Veçoria për të cilën njihet ky kopsht është statuja e humanistës së njohur Nënë Terezës e cila u krijua nga skulptori Kreshnik Xhiku. Statuja përmban emrin e plotë të humanistës bashkë me datën e lindjes dhe vdekjes së saj. Ky kopsht ishte i nënti me radhë i shtuar në kompleksin e kopshteve kulturore të Clevelandit që nga viti 1918 dhe vlerësohet si hapësirë që lidh çdo shqiptar me një pjesë të rëndësishme të vendit të tij.