Midis 13 komuniteteve: dominoi kultura shqiptare

Në Kloten të kantonit të Cyrihut në një manifestim shumetnik tradicional, bashkiaku i këtij qyteti, Mark Wisskirchen vlerësoi lartë kontributin e palës shqiptare: Ministrinë e Diasporës, Ansamblin “Vatra” të Bylahut dhe gratë shqiptare që kishin sjell ushqime nga kuzhina jonë e begatshme

Rexhep Rifati

Gjatë dhjetë ditëve në disa lokalitetet të Zvicrës janë organizuar disa manifestime , ku në masë të madhe ka dominuar kultura shqiptare, qoftë me artistë nga Kosova apo edhe nga mërgata. Edhe takimi tradicional i organizuar në qytetin  e Klotenit të kantonit të Cyrihut më 27 tetor, i organizuar nga shoqata “Hegnerhof” me pjesëmarrjen e 13 komuniteteve që jetojnë në këtë lokalitet u mbajt në shenjë të kulturës shqiptare. Ky organizim shumetnik, që u mbështet materialisht nga këshilli bashkiak e këtij qyteti me bashkitë e kishës katolike dhe protestante, në qendër të vëmendjes kishte vëne kulturën shqiptare. Ndaj edhe në fillim këtë akt kulturor në emër të organizatorëve e shpallën të hapur, Stephan Pfeninger Schait, në emër të kishës së reformuar dhe mësuesja Remzije Shabani, në emër të palës shqiptare.

Në ballë skenës së sallës, ku u mbajt manifestimi ishte vu një pano e madhe me flamurin e Kosovës dhe të Zvicrës, ku në shqipet ishte shkruar : “Mirë se vini!”, ndërsa që në një kënd ishte edhe një kuzhinë e pasur me ushqime tradicionale shqiptare. Në këtë eveniment kulturor ishte e angazhuar edhe Ministria e Diasporës së Kosovës, në emër të së cilës Shukrije Ramadani , i dorëzoi një plakat me Deklaratën e pavarësisë së Kosovës kryetarit të komunës së Klotenit, Mark Wisskirchen . Zonja Shukrije, me rastin e dorëzimit të kësaj mirënjohjeje tha se Kosova dhe populli i saj çmon lartë ndihmën e Zvicrës dhe të popullit zviceran për Kosovën , por edhe mërgatën tonë të madhe në shtetin helvetik, përfshi edhe Klotenin me rrethinë.

Duke u falënderuar për ktë mirënjohje marrët, bashkiaku i këtij qyteti, Mark Wisskirchen vlerësoi lartë kontributin e palës shqiptare: Ministrisë së Diasporës së Kosovës, të Ansamblit “Vatra” në Bylah dhe të mërgimtarëve tanë në këtë mjedis, të cilët si pjesë e pandashme, veprojnë aktivisht në rrjedhat e përditshme të shoqërisë zvicerane.

Ajo çka e bëri shumë tërheqëse ambientin ishte Ansamblit muzikor “Vatra” nga Bylahut, që u prezantua me një program sa solid aq edhe dinjitoz. Thuaja se të gjitha pikat e programit u duartrokitën nga pjesëmarrësit e shumtë, me prejardhje prej më shumë se dhjetë shtetesh. Edhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera u prezantuan me kostumet e vendeve të tyre dhe ushqimet e tyre tradicionale, të cilat ishin falas për të gjithë pjesëmarrësit. Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe mikesha dhe humanistja e madhe zvicerane Analiss Schneler, bashkë me një familje shqiptare nga Kosova që prej sa javësh ishte mysafire e familjes bujare, Schneler.