Përvjetor krenarie: Jetullah Rifat Gashi- komandant “Drenica”

Përvjetor krenarie:

Përvjetor i sotëm qe më i veçantë, ngase doli në dritë edhe libri “FLAKADANËT E LIRISË 6”, ku vend të rëndësishëm zë edhe HEROI:

JETULLAH  RIFAT GASHI- KOMANDANT “DRENICA”

 Gjatë luftës sonë të fundit çlirimtare, që e zhvi­lluan trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pati ngjarje dhe data, të cilat janë ngulitur thellë në kujtesën tonë historike. Një e tillë, e skalitur me shkronja gjaku, mbetën edhe betejat e panumërta në Rrasë të Kosharës, ku u shqua për heroizëm e strategji trimi drenicas Jetullah Rifat Gashi (1974-2007), i njohur me nofkën Komandant DRENICA, gjegjësisht Komandant JETA!                

Jetullah Gashi u lind në Kryshefc të Skënderjat më 10 janar 1974. Ishte sugari i bashkëshortëve, Rifatit (veterinar i njohur në komunën e Skënderajt) e Zojës (bijë e Ramajve të Klinës së Ultë), të cilët rritën dhe edukuan mirë e mbarë fëmijët: Musën, Zelën, Sherën, Isanë, Arifen, Sefën dhe Jetullahun.

Pra, sugari tyre, Jetullahu ishte më i veçanti e më dalluari. Mbase edhe pse e donin më së shumti, ngase trashëgonte një emër të nderuar familjar, emrin e gjyshit, i cili kishte bërë emër në Drenicë e më gjerë. Jetullah Gashi i vjetër kishte qenë njeri me autoritet, që shquhej për bujari, për burrëri, për pasuri e mbi të gjitha për mençuri. Shtatë fëmijët: Zejnullahun (u vra në Srem), Habibin, Rifatin, Enverin, Hamiden, Havën dhe Hatën), i rriti dhe i edukoi mirë e mbarë në rrugën e mbarësisë. Kulla e tij qe shndërruar në odë kuvendesh. Aty, para se dilte hapur kundër sllavokomunistëve serbë, kishte qenë edhe vetë Shaban Polluzha dhe sikur e kishte marrë edhe bekimin e të zotit të saj për formimin e Brigadës së Drenicës…

Prandaj, jo rastësisht, ky burrë me nam, qe në shënjestër të barbarisë serbe dhe bashkë me mulla Brahim e Polacit, Osman Kryshefcin etj., u goditën të parët nga pushteti antipopullor, duke u burgosur  dhe  duke iu konfiskuar e gjithë pasuria.

 Trung i lashtë atdhetar

Djaloshi kureshtar me emrin Jetullah, mësimet e para, me sukses të shkëlqyeshëm,  i mori në Polac, ndërkaq ato të mesmet, në drejtimin e teknologjisë, në Skënderaj. Ishte i urtë, i sjellshëm, kureshtar e lexues i pasionuar i veprave me peshë kombëtare, sidomos ato të ndaluarat. Mirëpo, para tyre, kishte marrë një edukatë të shëndoshë familjare, duke u brumosur me atdhedashuri e ndjenjën e zjarrtë të patriotizmit. Nga derë e tyre kishin dalë edhe pishtarët e parë të dijës e të shkencës: mësimdhënësit Ali Gashi, Habib Gashi, pastaj dr. Ramadan Gashi etj.

Në formimin e këtij personaliteti ndikim të veçantë kishin pasur edhe dajallarët e tij atdhetarë nga Klina e Ultë. Veprimtaria e suksesshme e Rrahim e Sadik Ramës në ilegalitet, qe e bujshme. Rrahimi, i angazhuar në organizatat e ndryshme çlirimtare, pastaj në Partinë e Luftës, la gjurmë të pashlyera tek nipat sypatrembur Isa e Jetullah Gashi, të cilët edhe e ndoqën me veprime konkrete atë rrugë…

Mirëpo, gjendja dhe rrethanat politike veçse po keqësoheshin në Kosovë. Çdo ditë dhunë e reprezalje. Çdo ditë edhe aksione e kundërshtime. Rinia shqiptare ishte vënë në lëvizje, me parulla, me pamflete e me demonstrata. E në ballë të tyre, përherë edhe Jetullahu sypatrembur.

Mirëpo, hienat tinëzare po i ndiqnin me qiri e me pishë veprimtarët e çështjes kombëtare. Dhe, një ditë prilli 1991, edhe Jetullahu u detyrua t’i lëshoi trojet stër­gjyshore. Vajti në Gjermani, në rrethinën e Hamburgut. Por, as atje, shpirti i tij luftarak nuk gjente qetësi. Fill u angazhua në grupet, që natë e ditë mendjen e kishin në Kosovë. Qysh gjatë viteve 1993-94 arriti të grumbullonte para për vajzën e vetme të kryetrimit Azem Galica, për Azeminën, e cila atëbotë jetonte te dajallarët e tij, në Klinë të Skënderajt.

Edhe më vonë ai u bë shtylla kryesore në organizimet e mërgatës, sidomos në Vendlindja thërret. Ishte edhe sportist i dalluar dhe kishte trup atleti. Mirëpo, lufta në Kosovë po merrte përmasa tragjike dhe zemra e djaloshit nuk kënaqej me ndihmën materiale që po bënte. Kur u dha kushtrimi nga Shtabi i Përgjithshëm, ai i la të gjitha mënjanë dhe me një grup shokësh të idealit u nis drejt zjarrit të luftës për liri a vdekje!

Nënë, nuk dua të të shohë të mërrolur. Ti vetë duhet të më thuash shko në Kosovë. Jo nuk jam mërro­lur, veç edhe këtu po kontribuon mjaft. Jo, jo, pa shkue atje në vijat e frontit zemra ime nuk shëndoshet!- i kishte thënë së ëmës, Zojë Gashit, para se të nisej për në Kosovë.

Rrahim Rama, daja i tij, një veprimtar i shquar i atdhetarizmit, duke folur për Jetullahun, pos tjerash thotë:

Jeta posa erdhi në perëndim u kyq në lëvizjet atdhetare që vepronin në mërgatë, konkretisht në rrethin ku ai u vendos. Mirëpo, e veçanta e tij ishte se ai më shumë i donte veprimet konkrete, ishte njeri i aksioneve dhe, si mahitar që ishte, me atë buzëqeshjene tij karakteristike thoshte: Ka përfunduar koha e llafeve, ne duhet t’i kapim armët!

Isa Gashi, i vëllai i dëshmorit, shprehet:

Ishte djali më i vogël i familjes me u nis për në rrugën e fronteve, por vendimi i tij ishte i prerë. Kur i përcollëm, dolëm gra, burra e fëmijë dhe të gjitha ata të rinj ndjeheshin krenarë që po e merrnin atë rrugë të nderit. Më të mërzitur e me emocione ndjeheshin ne që i përcillnim”.

Nga mërgimi në zjarrin e luftës çlirimtare

Ky grup vullnetarësh, posa zbret në tokën shqiptare, regjistrohen në qendrën e mobilizimit, në hotel DRENICA të Durrësit, pronë e vëllezërve Kapiti dhe nisen për në kufi…

Pak ditë ushtrohen e përgatitën në Kalimash, pastaj kalojnë nëpër Babinë dhe fill nisen për në Padesh.

Gjatë stërvitjeve ushtarake ishte përzgjedhur si grupi më i përgatitur për fronte, andaj, me bekimin e ushtarakut shqiptar, Azem Parllaku, e në përcjellje të Avni Imerit nga Vushtrria shkojnë deri në pikën strategjike, prej së cilës varej fati i gjithë Koshares, pra në Rrasë të Koshares.

Duke folur për Jetullah Gashin, ushtaraku Azem Parllaku thotë:

“Jo rastësisht dhe pa qëllim ai dëshmoi tek eprorët dhe bashkëluftëtarët e tij, karakteristikat e lartpërmendura dhe pikërisht për këtë iu ngarkua atij detyra e rëndësishme e Komandantit të Kompanisë, me bindjen që “Komandant Drenica” e meritoi dhe kreu me nder këtë detyrë, duke nderuar jo vetëm vëllezërit dhe familjen e Tij, por dhe të gjithë neve që e njohëm dhe bashkëpunuam me të, pikërisht për këtë Jetullah Gashit i jemi mirënjohës.

Kur Jetulla Gashi u nis për në front mbaj mend se u betua që, do të ishte shpirti dhe shembulli frymëzues për vartësit e tij, ndërkohë që unë dhe bashkëpunëtorët e mi e kishim krijuar këtë bindje. Kur Gjenerali i Luftës Kudusi Lama, ose “Babushi” siç e thërrisnin ndryshe bashkëluftëtarët e Jetullah Gashit erdhi një ditë të inspektonte kampin tonë të stërvitjes, teksa po përshën­detej me të gjithë ndër të tjera u tha luftëtarëve “Populli i Kosovës, u ka besuar Ju si dritës së diellit, e si ajrit pa të cilët nuk mund të ketë jetë”.

Komandant i drejtpërdrejtë i tyre në vijën e zjarrit ishte vetë Jetullah Gashi, tashmë i njohur si Komandant DRENICA, gjegjësisht Komandant JETA! Ai me të drejtë, nga bashkëluftëtarët dhe nga eprorët, është konsideruar Jeta e Koshares! Ashtu, edhe ishte, sepse që nga vendosja e tyre në atë pikë të vdekjes, më 14 prill 1999 e deri më 20 qershor 1999, për asnjë moment nuk ka munguar nga arenat luftuese.

Mund të më vrisni a me u kthye jo!

Ky nëntitull është thënë nga vetë Jeta në restorant DRENICA të Durrësi, gjatë regjistrimit dhe mobilizimit, kur i kërkuan të kthehej sërish në mërgatë (e tregoi Selman Kajtazi).

Strategjinë  luftarake dhe trimërinë e pashoqe të Komandant DRENICËS më së mirë e shpërfaqin ata që ishin me të, bashkëluftëtarët:

Selman Kajtazi nga Smrekonica e Vushtrrisë, i njohur me nofkën Komandant LIKA, i cili, bashkë me të vëllain, Sakipin u kthyen nga Gjermania, pos tjerash thotë:

«Sot, edhe 20 vjet mbrapa, nuk është e vështirë ta kujtojmë luftën që e kemi bërë me komandant Jetën. Komandant Jeta ka qenë një strateg, një luftëtar që kurrë nuk diti të ndahet prej shokëve, ishte gjithmonë në vijën e parë të frontit, i cili luftonte krahas me neve sikur me ushtarë, sikur me komandantë gjithë kohën ka qenë me neve…

Aty, jo që u luftua çdo ditë, por nga dy-tri herë brenda ditës, kështu që betejat janë të panumërta. Mjafton të përkujtohet ajo e datës 11 maj 1999, kur në pozicionet tona depërtoi edhe një tank M-84. Ne me Jetën ishim në pikë, e në anën tjetër ata të Abaz Thaçit, të cilit vajta për t’i ndihmuar. Sakaq më thërret Daja (Xhevdet Ahmeti) që kishte parë  këmbësorinë serbe që po na afroheshin. U ktheva me vrap dhe filluam luftën, e cila zgjati mbi një orë e gjysmë. Aty ishte edhe komandant Fadil Hadërgjonaj. Kërkuam ndihmë nga DELTA dhe i zmbrapsëm serbët. Tanku shkoi në anën tjetër dhe kaloi mbi bunkerin e Abaz Thaçit. Andej vrapoi si era trimi Jetullah Gashi, duke qëlluar tankun, por kot. Na kanë ndihmuar shumë edhe Naim Loshi me Shkëlzen Shehun, duke sulmuar pandërprerë me minahedhës…

Jetullahu ishte komandant që thoshte ejani pas meje dhe vetë futej i pari në front.

 

Bashkëluftëtari tjetër, Xhevdet Ahmeti-DAJA (nga Rosinovci), për trimin e paepur Komandant JETËN shton:

“S’ka fjalë që mund ta përshkruaj heroizmin e Jetës! Me të kemi qenë të pandashëm që nga kthimi prej Gjermanisë. Ama qëndrimi për javë të tëra (16 prill- 19 qershor 1999) në Rrasë të Koshares (Rrasë të Zogut) na bëri më shumë së vëllezër. Aty, edhe të ftohtit e patëm armik të përbetuar! Por, komandanti ynë, DRENICA, e mbajti gjallë frymën e luftës, jo vetëm në Kompanisë tonë (Kompania II) që numëronte dyzet ushtarë, por thuajse në gjithë vijën e frontit. Kemi pasur aksione luftarake të përditshme, por unë po e përkujtoj dy prej tyre:

Ditën e 27 prillit 1999, kur i sulmuam bunkerët e ushtrisë serbe. U ndamë në dy  grupe: Jeta, Jashar Dobra, Selman Kajtazi dhe unë, Xhevdeti, në njërën anë, e në anën tjetër Milazim Mavraj-ÇEÇENI me disa të tjerë. Gjatë një orë e gjysmë luftimesh, u vranë shumë serbë dhe u siguruan shumë armë e municion. Mjerisht, atë ditë ra dëshmor edhe Milazim Mavraj-ÇEÇENI…”.

Dhe, dita tjetër, kur forcat serbe me dy tanke sulmuan pozicionet tona. Kjo qe një ditë e veçantë. Që nga ora katër e mëngjesit filluan granatimet, gjë që nuk kishte ngjarë më parë. Pas katër orësh, diku në orën tetë kemi dëgjuar zhurmë dhe e kemi parë tymin e tankeve që u turren drejt nesh. Ata, duke menduar që e kanë pastruar terrenin vinin lirshëm. Ne qëndronim të heshtur, derisa janë afruar. Tanku i parë ka ardhur drejt grupit tonë: Komandant DRENICA, Abaz Thaçi, LIKA, Uran Demiri dhe unë (Xhevdeti). Kur na ka parë të gatshëm për sulm fill është larguar. Tanku tjetër i rrethuar me këmbësori i ka shkuar grupit tjetër: Enver Bytyqit, Nehat Agushit etj. Ata kishin ngelur në një pozicion të bllokuar dhe na kanë ftuar në ndihmë.  Komandant DRENICA, LIKA dhe unë kemi shkuar vrap dhe kemi filluar luftën. Tanku zu të tërhiqej e këmbësoria serbe mbetën si në kurthe, duke pësuar shumë humbje. Nga tanët u plagos nga snajperi Enver Bytyqi.

Pas asaj beteje mbetëm të rraskapitur sa nuk e njihnin njëri-tjetrin. Rrobat na i kishin përshkuar plumbat, por fati na kishte kursyer.

Komandantët tanë; Rrustem Berisha e Fadil Hadërgjonaj na dërguan në Papaj për pushim. Madje, tre vetave: Komandant DRENICA, LIKA dhe unë (Xhevdeti) u shpërblyem me nga tri ditë pushim në Bajram Curr! Mirëpo, ne e shfrytëzuam vetëm një natë, ngase nuk na rrihej larg vijës së frontit, ishim mësuar në zjarrin e luftës (kjo ishte e vetmja natë që qëndruam jashtë vijës luftarake)…

Kështu, të nesërmen u kthyen në fronte, ku qëndruam deri në përfundimin e luftës. Duhet cekur se nga dyzet luftëtarët e Kompanisë, vetëm nëntë u kthyem, të tjerët ishin vrarë ose ishin plagosur…

Ndërkaq, Uran Demiri nga Gjilani, është më i kursyer në fjalë:

“Tipari kryesor që e dallon një komandant të zoti është strategjia. Këtë e kishte Komandant DRENICA! Unë isha më i riu dhe kujdesin që e ka treguar Jeta për mua është e madhërishme. Si Komandant i Kompanisë sonë, ai, disa herë më ka mbuluar me trupin e tij kur na granatonin…”.

Shpëtim Agushi (Agusholli), i pandashmi i tij deri në plagosje, shprehet:

«Zinxhiri komandues i Rrustem Berishës, Fadil Hadërgjonajt, tek komandant Drenica (Jetullah Gashi), ka qenë aq i mirë edhe kemi pasur sukses në beteja. Jetullah Gashin deri jam plagosur unë asnjë moment nuk jemi ndarë, kemi qenë gjithë bashkë dhe për atë arsye kemi pas suksese në beteja kundër armikut. Aq kemi qenë afër me pozicionet serbe që edhe jemi sha me ta, le që kemi bë luftë po edhe jemi sha, kemi qenë shumë afër. Fati ka qenë plagosja më ka nda nga Jetullah Gashi».

Për strategun dhe luftëtarin dragua të Rrasës së Padeshit, Komanadant DRENICA, fjalë miradie kanë edhe eprorët e asaj Zone luftarake.

Fadil Hadërgjonaj: Rrasa e Koshares ishte jetike për të dyja palët ndërluftuese, pasi që ai që kontrollonte Rrasën kontrollonte tërë frontin e Koshares. Dhe, kur arrita aty, pyeta: Kush komandon këtë njësi? Komandant Drenica dhe komandant Lika,- më thanë. I takova dhe nga pamja e tyre pashë burra të vendosur, fisnik, të përkushtuar dhe fizikisht shumë të zotë. Nga kjo ditë në Rrasë të Koshares u luftua për jetë a vdekje. Çdo ditë luftime, çdo ditë humbje nga të dyja palët, plagosje të luftëtarëve, por trimat e Jetës nuk u lëkundën. Ai që qëndron 1 minutë më gjatë e fiton betejën. Lufta vazh­dojë deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës. Misioni i Agimit, Salihut, Abazit, e të gjithë 113 dëshmorëve e mbi 300 të plagosurve në këtë betejë u përmbush. Pra, Jeta me bashkëluftëtarët e vet i dha shpresë e jetë Kosovës, i dha lirinë».

Duke folur për këto luftime, gjeneral Kadusi LamaBABUSHI, pos tjerash, thotë:

“Në luftimet e Koshares deri në përfundim të luftës, u angazhuan rreth 1700 luftëtarë, ndërsa në Pashtrik mbi 2200 forca ushtarake të UÇK-së…Sa i përketë operacionit “Shigjeta”, potenciali i armatimit dhe i municioneve, që u përdorën, ia dhanë atij vlerat e një operacioni të mirëfilltë klasik luftarak. U përdorën 100 granatahedhës kundërtank, dhjetëra topa kundër­tank 75 mm, dhjetëra mortaja 60 mm, 82 mm dhe 160 mm, si dhe topa deri 122 mm.

Rrustem Berisha, komandant brigade: “Ai që vërejta te Jetullahu ishte morali i tij i fortë dhe besimi në fitore. Në fakt atë e kam takuar vetëm dy herë, por vlerat e tij heroike e luftarake i kam mësuar nga hierarkia ushtarake, përmes raportimeve që më vinin nga terreni.”

Dhe, djaloshi, i përgatitur mirë, shpirtërisht e fizikisht, me trupin prej atleti, ia ngjeshi armët krahut dhe para se të hynte në front qe betuar:

“DERI NË SAKRIFICËN MË SUBLIME DO TË DIJMË TË BËJMË DETYRËN E LUFTËTARIT, DO TË NDEROJMË FLAMURIN, GJUHËN E GJAKUN TONË, DO TË NGRISIM VLERAT TONA LUFTARAKE TË FRYMËZUAR NGA AKTI I KOMANDANTIT LEGJEN­DAR ADEM  JASHARI”!

Se Komandant DRENICA nuk kishte luftuar për grada e ofiqe, tregon fakti se ai, pasi u çmall me LIRINË e fituar me gjak e shumë sakrifica, iu rikthye punës së tij në Gjermani, ku më 16 gusht 2007, mortja tinëzare e mori dhe e shpiu në amshueshmëri!

Rivarrimi, nderimi dhe dekorimi

Në 20-vjetorin e Betejës së Koshares, trupi i Jetullah Gashit nga Varrezat e Dëshmorëve në Polac, rivarroset aty ku i flinte shpirti dhe ku e kishte fituar përjetësinë, tek bashkëluftëtarët e tij, në Kompleksin Memorial në Koshare!

Rikthimi i Jetullah Gashit në kompleksin në Koshare i ka gëzuar edhe familjarët.

Vëllau i komandant DRENICËS, Isa Gashi, u shpreh se ai u rikthye përsëri pranë bashkëluftëtareve të tij:

“Besoj që për vëllaun sot kanë folur shoqëria, unë kam veç falënderime për të gjithë ata që sot ishin këtu prezent dhe që kanë qenë çdo herë pranë neve. Unë falënderoj edhe të gjithë ata që janë angazhuar dhe e kanë bërë të mundur që vëllai të vijë këtu prapë në vendin ku ka luftuar dhe ka ardhë prapë tek shokët e vet”.

Ndërkaq, Arian Gashi shton:

“Ky moment të rikthen në kohën kur ka ndodhur rasti. Por, do të doja ta citoja një fjalë të komandantit që e thotë vetë, se vetë Jeta ishte jeta e kësaj Koshareje këtu ku me pushkën e tij, me këngën për liri bashkë me shokët i dhanë jehonë këtij vendi. Tash po kthehet pas 20 viteve ashtu siç ishte nisur për këtë vend para 20 viteve me vullnetin më të madh për ta çliruar vendin”.

Edhe vëllai i madh, Musa Gashi, shprehet: Jam i lumtur që vëllai im u kthye tek shokët e vet!

Këngëtari Ilir Shaqiri, Komandant DRENICËS  ia ka kushtuar këngën: ATDHEU DO JETË.

Lavdi për jetë e mot Jetullah Gashit, komandantit të Kompanis I, të Bataliot II të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, në Rrasë të Koshares, i njohur më shumë si Komandant DRENICA, gjegjësisht Komandant JETA!

Në vitin 2019, konkretisht më 16 gusht 2019, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, me vendimin nr. 138/2019 e dekoroi me titullin “Hero i Kosovës”, me motivacion: PËR TRIMËRI DHE SAKRIFICË PËR LIRINË E KOSOVËS.

“Kryetari i vendit, Hashim Thaçi, e ka dekoruar Jetullah Gashin (pas vdekjes) me urdhrin “Hero i Kosovës” për sakrificën dhe trimërinë e treguar në luftë.

Me urdhrin “Hero i Kosovës” sot kam dekoruar luftëtarin e lirisë, Jetullah Gashin për sakrificën dhe trimërinë e treguar në luftë. Gashi i njohur si Koman­dant “Drenica” dhe Komandant “Jeta” mbante dy nofka shumë domethënëse të përbashkuara në një qëllim-çlirimin e Kosovës”,- ka shkruar Thaçi.

Lavdi për jetë e mot!