Kanunet shqiptare, një thesar i rrallë në bibliotekën arbëreshe të Antonio Belluscit

Sa herë që gjendem në Bibliotekën Internacionale Arbëreshe «A. Bellusci» në Frasnitë të Kalabrisë, objektivi sikur “zbulon” libra të reja apo shumë të veçanta për nga pesha e përmbajtja e tyre, me një domethënie jo vetëm kulturore e historike, por edhe një peshë të madhe kombëtare.- Këtu do të japim ballinat e disa nga kanuneve që ruhen me shumë kujdes në këtë bibliotekë, filluar me Kanunin e Lekë Dukagjinit, “Kanunin e Skënderbeut”, Kanunin Labërisë, “Kanunin e Dibrës”,  “Kanuni i Bendës”, e kanune të tjera ku flitet për të drejtat zakonore të popullit shqiptar, e që paraqesin një dëshmi të gjallë historike dhe juridike të ndërgjegjes kombëtare.  

 Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Vetë shtëpia- bibliotekë e këtij personaliteti të shquar arbëresh, 88-vjeçarit At Antonio Bellusci Belushi), studiues gazetar, shkrimtar, pedagog etnolog dhe mbi të gjitha misionar dhe atdhetar i devotshëm, kjo shtëpi stërgjyshore e shndërruar në një bibliotekë unike ndërkombëtare, me rreth 6 mijë ekzemplarë librash dhe 700 revistash, rrëfen një histori sa të lashtë aq edhe të bujshme përmes së cilës rrugëtuan arbëreshët. Por jo vetëm kaq ata bartën tej Adriatikut edhe shumë vlera, mbi të gjitha mikpritjen si dhunti hyjnore të paraardhësve të tyre.

Po intelektuali dhe vëllai e misionari ynë, Atë Antonio Bellusci (Belushi) pos asaj që barti si trashëgimi, përmes bibliotekës së tij grumbulloj thesaret më të çmueshëm të kombit të tij, ndër të tjera edhe librat kanunore nga rrethet  rrethet e ndryshme të trojeve etnike.

Ndaj edhe gjatë vizitës së fundit përmes aparatit veçova dhe shkrepa disa nga këto kanune që ruhen me prioritet të rrallë në këtë bibliotekë. Krahas Kanunit të Lekë Dukagjinit në disa botime të ndryshme aty hasa edhe në “Kanunin e Skënderbeut”, pastaj Kanunin Labërisë, që nga këndvështrimi, jo vetëm i shtrirjes gjeografike të tij, por edhe nga këndvështrime të tjera, paraqet rëndësi historike, etno-kulturore, juridike dhe kombëtare ; “Kanuni i Bendës”, ku flitet për të drejtat zakonore e popullit shqiptar, që paraqesin në veçanti edhe një dëshmi të gjallë historike dhe juridike të ndërgjegjes kombëtare.

Mësojmë se gjithsej janë gjashtë kanune: “Kanun’i vjetër”, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, “Kanuni i Çermenikës”, “Kanuni i Papa Zhulit”, “Kanuni i Labërisë” dhe “Kanuni i Skënderbeut” ose ndryshe “Kanuni i Arbërisë”. Shumica e këtyre kanuneve gjenden në Bibliotekën e Atë Belushit. Po këto kanune, tërhoqën edhe interesimin e të huajve ndaj edhe u përkthyen në disa gjuhë, sa për ilustrim mësojmë se vetëm Kanuni i Lekë Dukagjinit u përkthye fillimisht në gjuhën italiane, pastaj serbisht, frëngjisht, rusisht, anglisht dhe në ndonjë gjuhë tjetër.
Sipas asaj që mësojmë nga studiuesit tanë Kanuni është ligj apo përmbledhje ligjesh dhe normash të pashkruara, të trashëguara në mënyrë gojore, që pasqyrojnë gjendjen ekonomike-shoqërore të periudhave të kaluara. Pa pas mundësi të lëshohem në brendinë dhe përmbajtjen e këtyre librave kanunore me peshë, po jap vetëm ca nga fotot që me objektiv i shkrepa këtyre librave që bartin nga një shekull në tjetrin “ligjet e pashkruara” të një populli e cili përmes mbamendjes së tij kolektiv barti nga një brez në tjetrin jo vetëm këngën, ritet e zakonet por edhe rregullat e normat në kuadër të një mjedisi apo krahine.   Me këtë rast nuk dua të lëshohem në rrethanat aktuale kur edhe më tej në disa mjedise veprojnë ligjet e shtetit dhe nga ana tjetër veprojnë edhe norma të kanunit, sepse ky nuk është objekti i im i trajtimit pasi ajo është temë e studiuesve dhe ligjdhënësve e të tjerëve.