E premte, 30 prill, Kukës: Si do të kthehen në Kosovë, vetëm një Zot e di!

ALBANIA; Kukes, April 1999Kukes is the main influx area for refugees from Kosovo. More than 200'000 refugees have passed through this town of 20'000 inhabitants. During March/April 1999 over 300'000 refugees from Kosovo arrived in Albania.

Përsëri sot, dogana e kufirit në Morin është mbushur.

Deri në orën 15 kaluan kufirin rreth 8000 vetë, kryesisht nga Prizreni dhe rrethinat. Të ardhurit thonë se deri në mbrëmje numri i tyre mund të dyfishohet. Ata thonë se kanë pa kolona të gjata njerëzish të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe një pjesë me traktorë, një pjesë në këmbë, ashtu varg -varg, po i afrohen Morinit.

Dje mbërritën në Kukës 1950 vetë, ndërsa pardje 105 vetë.

Në dy javët e fundit, ky është më i madhi fluks i të ardhurve.

U duk se po ndërpritej diçka, por kjo krijoi një qetësi të rreme, të përkohshme. Sidoqoftë, mosardhja e të dëbuarve nga Kosova krijoi njëfarë lehtësie që qyteti të zbrazej sadopak. Një pjesë e të ardhurve është zhvendosur për në zona të tjera të Shqipërisë.

Tani, në këto tre ditët e fundit filloi përsëri ardhja e të dëbuarve. Por ardhja e tyre këto ditë në krahasim me ardhjen e madhe (fundi i marsit), ka një ndryshim të madh, madje as që mund të bëhen krahasime. Të sapoardhurit qëndrojnë një natë a dy në strehimet e përkohshme të ngritura nga UNHCR-ja në qendër të qytetit dhe të nesërmen a të pasnesërmen nisen për në zona të tjera. Por ka edhe nga ata që mbeten jashtë, në shesh të hapur. Ardianë Veseli, nxënëse maturante në shkollën mjekësore të Prizrenit, kallëzon    se natën e mbrëmshme e kaluan jashtë, pa shtrojë e mbulojë dhe në këtë mëngjes të ditës së sotme po i nisin për në zona të tjera. Ajo thotë se ndoshta, ndonjë ditë edhe mund të kthehen, por si do të kthehen e kur do të kthehen, vetëm një Zot e di!

(Nga ditari shkrimtarit, Petri Palushi, Kukës)