Jakup Reka: 72 VJET NGA PROÇESI I GJILANIT (1-7 SHKURT 1947)

(Nga „Kujtimet“ e babës tim)

„Në Shkurt të vitit 1945 në Kosovë u vendos Administrimi ushtarak. Pas kësaj filluan ditët e zeza për kosovarët. Por filluan edhe kundërveprimet dhe organizimet e ndryshme të popullit shqiptar gjithandej nëpër Kosovë, si në Ferizaj, Gjilan, etj. Pasuan masakrat e njohura: e Ferizajt, Gjilanit, Tivarit, etj.

Qëllova në kursin e shëndetësisë në Prizren kur nga Sheshi i Shadërvanit e hoqën bustin e Skënderbeut dhe në vend të tij e vuan të njëfarë Jociqit. Prizrenasit e përcjellën këtë ngjarje me shum dhimbje.

Po n’atë kohë në Prizren u mbajtë gjykimi i grupit (NDSH) të Halim Spahijës dhe Marije Shllakut me shokë. Isha në sallën ku u mbajtë gjykimi. Halimin dhe Marijen i denuan me vdekje, e të tjerët me burg të rëndë. (Nga ai grup, në burgun e Mitrovicës së Sremit, e gjeta Xhemil Flugën).

Pasi iu shqiptua dënimi Marijes, ajo iu drejtua gjyqit me fjalët:

„Po t’i kisha 100 shpirta, të gjithë i kisha dhanë për çashtjen kombëtare, për Shqipni“.

Nga 1 Korriku 1945 isha në një kurs tjetër tremujor të shëndetsisë në Prizren. N’atë kohë, (8 – 10) Korrik 1945 u mbajtë Kuvendi i Prizrenit. Pas mbarimit të punës së Kuvendit i takova dy delegatët nga Kaçaniku, Ismail Hoxhën dhe Isa Krasniqin. Shum të dëshpruar, më thanë: tani për tani e humbëm Kosovën. E kuptova që ishte shpërfillur Rezoluta e Konferencës së Bujanit (mbajtur nga 31 Dhjetori 1943 – 2 janar 1944). Me këtë Rezolutë të nënshkruar, Kosovës i njihet e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje, dhe realizimi i dëshirës së popullit shqiptar të Kosovës për bashkim me Shqipërinë.

Më patën tronditur masakrat e Ferizajit, Gjilanit, Tivarit etj, por kjo TRADHËTI ishte kapaku i të këqijave.

Në NDSH u anëtarësova me propozimin e kryetarit të Komitetit të Kaçanikut Fahri Shurdhani – Xhaxhi. Zhvilluam aktivitete të gjithanshme. Unë nëpërmjet kushëririt tim në Shkup, Nebi Jonuzit, mbajsha lidhjet me Hasan Bilallin e Komitetit të Shkupit.

Komiteti i Kaçanikut u themelua në shtëpinë e shokut tim Danush Nika, i cili pas arrestimit të grupit të parë, arriti të arratiset dhe i shpëtoi burgut.

Mua më arrestuan me grupin e dytë, më 21 Tetor 1946, 70 ditë pas grupit të parë. Para hetuesit Shaban Kajtazi s’pranova asgjë, por ai më tha më mirë prano se ke qenë anëtar i NDSH-së, pasi që e kam deklaratën e një shokut tuaj që i ka pranuar të gjitha dhe ju ka denoncuar. E kuptova që kishte shum të dhëna për aktivitetin tonë.

Fillimisht, n’a mbajtën në burgun e Ferizajit, e më vonë n’a grumbulluan në burgun e Gjilanit. Aty ishim shokë nga shum vise të Kosovës.

Proçesi gjyqësor i Gjilanit u mbajtë nga (1 – 7) Shkurt 1947. Sipas aktgjykimit të Gjyqit të Qarkut në Gjilan P.Nr. 18/47, thuhej se këtë gjykim e udhëhiqte Këshilli i përbërë nga kryetari Zaharie Orgjikinidze dhe gjykatësit porotë Isak Selmani dhe Hafiz Kaculi, dhe proçesmbajtësi Milorad Nikoletiq. Aktakuzën e përfaqësonte prokurori publik i KAKM-së, famëkeqi Ali Shukrija.

Para gjyqit dolëm 38 veta, nga to kishte të shkolluar, tregtarë, zanatli dhe fshatarë. Të gjithë u akuzuam për vepër penale nga neni 23, paragrafët 8 e 14 të Ligjit mbi vërtetimin e ndryshimit dhe të plotësimit të ligjit mbi veprat penale kundër popullit dhe shtetit.

Ali Shukrija me këmbëngulje kërkoi për ne, anëtarët e NDSH-së, dënime sa ma të rënda.

Hamdi Berisha nga Gjilani, kryetar i Komitetit për Gjilan, Ferizaj dhe Kaçanik, u dënua me vdekje me pushkatim, ndërsa ne tjerëve n’a dënuan me dënime të ndryshme. (Më vonë Hamdi Berishës dënimi me vdekje i ndërrohet në dënim me 20 vjet burg të rëndë). Pasi në sallë shumica e publikut ishin zgjedhur sërbë, kur iu shqiptua dënimi me vdekje Hamdiut, ata brohoritën dhe duartrokitën. Ndërsa kur n’a u shqiptuan neve tjerëve dënimet, masa serbe bërtitnin “vdekje ballistëve”.