Iniciativa popullore zvicerane Ecopop

NEOKOLONIALE DHE ASPAK EKOLOGJIKE

Në sesionin e sivjetmë veror Parlamenti zviceran ka refuzuar qartas iniciativën Ecopop. Ajo megjithatë parashihet të hidhet në votim popullor në fund të nëntorit të këtij viti. Edhe pse iniciativa është refuzuar nga Parlamenti, ajo megjithatë është e rrezikshme. Ne na duhet përsëri të përballemi me një iniciativë, e cila migrantët i paraqet si fajtorët kujdestar dhe të vetëm për problemet me të cilat përballet Zvicra dhe e cila iniciativë atakon të drejtat e punëmarrësve.

ÇKA SYNON KJO INICIATIVË?
Shoqata “Ecopop” me iniciativës e saj popullore dëshiron “të stopojë mbipopullimin – për të siguruar themelet natyrore jetësore” përmes kufizimit të imigrimit dhe përmes cytjes së planifikimit vullnetar familjar të stabilizojë popullsinë botërore dhe kështu “të siguroj në afatgjatë themelet natyrore jetësore”. Ideologjia e tyre është e formuluar troç. Resurset natyrore nuk mjaftojnë për të gjithë njerëzit – të kujdesemi që së paku ne të mbijetojmë!
Konkretisht iniciativa kërkon që popullata e përhershme e Zvicrës nuk guxon që për shkak të migracionit në mesataren 3 vjeçare të rritet më shumë se 0,2%, dhe që 10% të parave shtetërore të parapara për zhvillim-bashkëpunim me vendet e varfra të shkojnë për “planifikimin vullnetar familjar”

PËRSE I THOTË UNIA JO ECOPOP-it
Iniciativa Ecopop synon që problemet mjedisore ti “zgjidh” përmes kufizimit radikal të emigracionit, respektivisht rritjes së popullsisë. Kështu ajo migrantë i bënë fajtorë kujdestarë për problemet mjedisore deh cytë diskriminimin e njerëzve që nuk posedojnë pasaportë zvicerane. Edhe nëse përfaqësuesit e saj provojnë të kundërshtojnë këtë, ata megjithatë bëhen bashkëfajtor me partitë dhe rrymave të djathta populiste, të cilat ka vite që predikojnë: Migracioni është i dëmshëm, andaj Zvicra do të duhej që ta “kontrollojë” më fortë dhe të lejojë hyrjen në vend vetëm atyre, të cilët janë të “dobishëm”.

ECOPOP ËSHTË SULM KUNDËR PUNËMARRËSVE
Posaçërisht sindikata Unia i thotë JO Ecopop-it, pasi që ajo qon në përkeqësimin e kushteve të jetës dhe të punës për të gjithë, pasi punëdhënësit për shkak të kufizimit të emigracionit do të anojnë drejtë lejeve të shkurtra të qëndrimit. Iniciativa në fund të fundit nuk zgjidh asnjë problem mjedisor, pasi problemi kryesor për krizat mjedisore nuk janë njerëzit “e shumtë”, por që disa nga ta jetojnë përtej mundësive të tyre dhe konsumojnë bajagi shumë burime.
Iniciativa pos tjerash është kolonialiste, pasi ajo kthehet mbrapsht në paradigmën e vjetër të kontrollimit të popullatës. Ajo obligon Zvicrën që tu predikojë vendeve të varfra heqjen dorë nga fëmijët. Kërkesa e njëanshme për “planifikim vullnetar familjar”, ashtu si kërkon iniciativa Ecopop, është mjet i gabuar për të luftuar varfërinë. Norma e lartë e lindjeve është pasojë, e jo shkak i varfërisë. Të gjitha përvojat tregojnë: Sa më mirë që të jetojë njeriu, sa më të larta të jenë të ardhurat dha sa më mirë të jetë pozita e gruas në shoqëri, aq më i ulët është niveli i lindjeve. Këtu është e nevojshme për tu përqendruar.

Osman Osmani, 20.06.2014, përgatitur për gazetën sindikaliste (Unia) të Zvicrës, Horizonte Nr. 4, 2014