Grupi Artistik i Konispolit që ruan e kultivon vallen çame të Osman Takës

 

 

Në vazhdën e prezantimeve të grupeve tona, kësaj të shtune “prointegra.ch”,  ju njeh me Grupin Artistik nga Konispoli në jugë të Shqipërisë, që në raportor ka kryesisht valle burimore çame.- Grupi nga Taip Madani (Meshtër i Madh) Korife dhe koreograf i grupit të valles Çame, që u ngrit në vitin 1973 u shqua në disa manifestime e festivale, ndër to edhe në atë të Gjirokastrës,- Ndërsa dy brezat e fundit me shumë sukses i udhëhiq specialisti i artit, Vangjel Taho, të cilin bashkë me grupin e takova për herë të parë në Festivalin Folklorik  Plavë-Guci në vitin 2016, prej nga edhe janë shumica e fotove në këtë prezantim

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Ajo që i jep një dimension të veçantë artit dhe kulturës shqiptare, padyshim se janë grupet tona të shumta artistike të këngëve dhe valleve, qoftë në trojet etnike apo në mërgatën e madhe shqiptare. Nga pozita e një kronisti të dhënë pas këtyre grupeve, për këtë vit kalendarik për 52 javë rresht do të prezantoj këto grupe, kryesisht me foto origjinale që i kam shkrep gjatë pjesëmarrjes sime në manifestime dhe festivale. Filluar me Ansamblin autokton “Rugova” dhe vazhduar me “Shotën” e Zvicrës e pastaj me grupin “Vëllezërit arbëresh” nga Frasnita e Kalabrisë, sot përzgjodha një grup nga Konispoli në Jug të Shqipërisë i cili kryesisht demonstron në skenë valle me prejardhje nga treva e Çamërisë. Fjalë është për Grupin Artistik të Konispolit, që ka një traditë mjaft të gjatë të themelit, që nga viti 1973, e që sipas drejtuesit të saj Vanxhel Taho, një specialisti të artit, që sivjet shkel në të 65- tatë, por që ende është kontribuues i madh si në udhëheqje ashtu edhe në mobilizimin dhe frymëzimin e brezave për ta dashur dhe lozur vallen e bukur shqiptare, sidomos atë të jugut shqiptar.

Këtë grup dhe drejtuesin e tij tejet profesionist dhe entuziast i njoha në Festivalin Kombëtar të Folklorit Plavë- Guci, mbajtur në Vuthaj më 1 dhe 2 Gusht 2016, kur edhe ky grup nga Konispoli me vallet e tij impresionoi qindra pjesëmarrës të ardhur nga gjitha trojet etnike dhe mërgata.

Kësaj radhe përmes postës telefonike më në hollësi u njoha për historikun e këtij grupi që tashmë ka krijuar rrugën dhe fizionominë e tij artistike, miku dhe artistin Vangjel Taho, nga i cili mësova se: Ansamblit i këngëve dhe valleve popullore të Konispolit është ngritur nga qysh në vitin 1973, edhe atë filluar nga Taip Madani (Meshtër i Madh) Korife dhe koreograf i grupit të valles Çame, duke u shqua sidomos me pjesëmarrje në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, ku qe përfaqësuar me vallen e Osman Takës e Limereve e Isuf Arapit si dhe valle të kënduara të vajzave, Kjo hardhi e rrushit Me kadale valle-o etj, karakteristik e valles së kënduar nga vajzat është se ajo shoqërohet edhe nga orkestra.

Mësojmë gjithashtu se në festivalet folklorike 1973-1978 kanë marrë pjesë Valltari Koreograf Taip Madani (Mjeshtër i madh), Vullnet Dine Alush Dora Aramush Veli etj. Nga vajzat mund të përmendim Trëndafile Lame, Leta Shehu, Remzo Emini, Besnike Mullai Lindita Kasapi, Fato Hazbi, Teuta Çokalli etj. Rrugëtimi artistik i kësaj grupe me këtë trashëgimi të mirëfilltë kulturore u bart nga brezi në brez deri më sot në gjeneratën e re të djemve e vajzave të Konispolit siç janë: Adrian Arapi, Beqir Emini, Olsi Shorri, Selaudin Arapi etj dhe nga radhët e vajzave: Alva Haxhiu, Altea Çokalli, Anxhi Beqo, Ermelinda Rakipi, Sildi Isufaj. Kjo është breznua e tretë dhe vazhdojmë me brezin më të ri si: Klajdi Papara etj etj.

Sa i përket vazhdueshmërisë, Taho potencon me keqardhje se:  kënga polifonike e burrave të shoqëruara me orkestër vjen duke u venitur ndërsa sa i përket pozitës financiare të grupit, drejtuesi i tij shton se : “ Kemi një fond minimal nga Bashkia, por se kryesisht mbizotëron vullnetarizmi dhe dëshira e këtyre valltarëve, që vazhdimisht i shtyn përpara”.  Ai sa i përket lokalit thotë se : “ Kemi një dhomë ku kryejmë provat, por sivjet flitet për ngritjen e pallatit të kulturës dhe kjo është një shpresë e jonë e madhe që do të na ofronte kushte më të volitshme për veprimtarinë tonë artistike. Ndër projektet e grupit sipas Tahos : “Qëllimi im është të grumbullojë të rinj të talentuare për Ison polifonike Çame, ndaj edhe për këtë jam në tentativa”.

Na mban shpresa që këto dëshira si për lokal ashtu edhe për projekte të Grupit Artistik të Konispolit të plotësohen dhe që një ditë ti kemi edhe në mjediset tjera shqiptare, sidomos në Kosovë, veçmas në EtnoFest në fshatin Kukaj, organizatorët e të cilit mezi presin që ky grup të jetë në mesin e tyre, nga vet fakti se ata kanë dëshirë që ta kenë në mesin e tyre një grup artistik që kultivon dhe avancon këngët dhe vallet çame.

________________________________________

  1. Sesi vazhdon tradita në Konispol, po e botojmë si shtojcë edhe një fragment të gazetës MAPO , kushtuar Korifeut të valles çame, Taip Medani

PROFIL/ Taip Madani, njeriu që fliste me valle

Shkruan : Hekuran Halili

Çamëria, ka patur, ka e do të ketë shumë valltare e valltarë të mirë, të talentuar, disa prej tyre të rrallë, sepse është djep i këngës e i valles. Aktiviteti e emrat e tyre janë evidentuar e përmendur të paktën për këto 250 vitet e fundit. Por si Taip Madani, kanë qenë të rrallë, për të mos thënë, se ai ka qenë i pashoq. Pa e tepruar, mund të themi se ishte një Osman Taka i dytë, valltar që historia i nxjerr në skenë njëherë në 200 vjet. Jo më kot shpesh atij i flisnin edhe Taip Taka. Për Osman Takën, valltar i rrallë i Çamërisë e krejt perandorisë turke të viteve 1820-1880, janë thurur shumë këngë, janë thënë shumë gojëdhëna, janë shkruar shumë vjersha e tregime.

Ja dy vargje të një poezie shumë të bukur për komitin e valltarin Osman Taka…

Djal që për trupin tënd të bukur

Kudo këndohej në Çamëri …

Këto vargje na evidentojnë faktin, se vallja çame flet me trup, me lëvizje, me mimikën e fytyrës, me muzikën që e shoqëron, me veshjen, me çdo element e lëvizje të atij që e interpreton atë. Po Taipit…? Taipit i këndonte e i vallëzonte trupi, i këndonte e i vallëzonte fytyra engjëllore, i këndonte e i vallëzonte zemra, i këndonte e i vallëzonte shpirti, i këndonte e i vallëzonte rrobja e trupit, kur ish në valle. Ai i gjithi ishte një këngë e valle e pambarimtë, një krijesë e jashtëzakonshme njerëzore, e burrërore. Vetë vallja e tingujt e muzikës dashuroheshin me të, siç humbiste e dashurohej ai me to.

Me Taipin dashuroheshin e gurët e sokakut ku shkonte e jo më skenat që shkeli e hodhi vallen çame, mbasi këmba e tij ishte e lehtë si krah zogu në fluturim, dheu nga prekja e tij çelte lule dhe përkëdhelej.
Me humbjen e Taipit, Çamëria humbi një pjesë të shpirtit të saj, atë më të bukurin, që përbën thelbin e ekzistencës së saj dhe që është vallja. Taip Madani si askush tjetër na bëri ta shihnim dhe ta preknim nga afër shpirtin e Çamërisë, nëpërmjet valles. Humbje e madhe…

Por ne, krahina e Konispolit, rrethi i Sarandës, Çamëria , e gjithë Shqipëria , do ta kemi atë përherë në mendjen tonë, në festat tona, në vallet tona, në arritjet tona…
Vallëzoftë përherë mes nesh shpirti i tij!

Ps. (Pos fotove që kam shkrep në Vuthaj dhe disa gjatë vizitave të mija në Konispol, huazova edhe tri foto të Taip Madani nga gazeta Mapo)