Po në këtë qytet do të qëndroje edhe një delegacion nga Gjakova i kryesuar nga Kryetarja e kësaj komune, Mimoza Kusari-Lila, i cili pos që do të përcjell turneun sportiv, ku do të marrin pjesë sportist eminent shqiptarë, si dhe do të ketë takim pune edhe me Kryetarin e Parlamentit të Kantonit të Bazelit, Christiann Egeler
Ditën e dele, me datën 22 Qershor 2014 në stadiumin Bachgraben-Allschwil (Bachgraben-Areal, Hegenheimermattweg 150, 4123 Allschwil), zhvillohet Turneu tradicional sportiv me temën „ Edhe sporti flet një gjuhë”. Edhe për këtë vit veprimtaritë sportive në kuadër të këtij turneu me pjesëmarrje të gjerë sportistësh amatorë dhe me spektatorë të shumtë shqiptarë e zviceranë, do të organizohen me bashkëpunimin dhe përkujdesjen e ABSM-Qendra për arsimim dhe këshillim të emigrantëve dhe të Klubit futbollistik „DARDANIA”. Hapja solemne fillon në orën 11.00 dhe zgjat afërsisht një orë, kurse veprimtaritë sportive do të vazhdojnë deri në mbrëmje.
Ashtu si edhe në turnetë e mëparshëm të pranishëm do të jenë edhe drejtues dhe përfaqësues të disa prej departamenteve të Kantonit të Bazelit, si Drejtori i Departamentit për Kulturë dhe Sporte, Z. Meriton Ferizi, e tj. Do të jenë të pranishëm gjithashtu edhe disa figura të shquara sportive të Komunitetit Shqiptar në Zvicër, që jetojnë dhe kanë pasur një karrierë të suksesshme sportive në Zvicër dhe vende të tjera, si Fadil Vokrri, Kryetar i federatës së futbollit të Kosovës, Milaim Rama, futbollist, i cili ka luajtur për kombëtaren e Zvicrës, Arnold Gjergjaj, boksier profesionalist, i cili deri tani i ka fituar të gjitha ndeshjet, etj. Në programin e turneut përfshihen edhe lojëra për fëmijë. Veprimtaritë e këtij turneu do të ndiqen dhe pasqyrohen edhe nga një ekip i RTK-së.
Ky turne do të ketë si të ftuar special një delegacion nga Komuna e Gjakovës, të kryesuar nga Kryetarja e kësaj komune, Zonja Mimoza Kusari-Lila. Ky delegacion do të qëndrojë për vizita dhe takime në Kantonin e Baselit nga data 21-25.06.2014. Me këtë rast Kryetarja e Komunës së Gjakovës do të zhvillojë takime pune me Kryetarin e Parlamentit të Kantonit të Baselit , Z. Christiann Egeler, me drejtuesin e zhvillimeve të Kantonit/Qytetit te Bazelit, z. Thomas Kessler, së bashku me përfaqësues dhe drejtues të Departamenteve dhe sektorëve të ndryshëm, me Dr. Hans Peter Wessels, drejtues i departamentit të ndërtimit dhe komunikacionit, e tj. Parashikohet që delegacioni nga Gjakova të zhvillojë një takim edhe me bashkatdhetarë kosovarë, që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër si dhe vizita në disa objekte kulturore dhe muzeale, siç janë Katedralja e Bazelit, Muzeu i Qytetit dhe Monumente të ndryshme në Qytetin e Bazelit dhe rrethinat e tij.
Të shtunën në mbrëmje delegacioni nga Kosova do të marrë pjesë edhe në shfaqjen e Operës RIGOLETO të Guiseppe Verdit, në Shtëpinë e Operës dhe Baletit në Cyrih, ku një nga rolet kryesor, të Dukës së Mantovës, e interpreton tenori i mirënjohur shqiptar, Saimir Pirgu. Mbas shfaqjes Znj. Mimoza Kusari-Lila dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit do të kenë një takim me këtë artist shqiptar me famë ndërkombëtare.
Zyra e Shtypit e ABSM



















