Cyrihut mbështet Mitrovicën për ngritjen e një shtëpie pleqsh

Delegacionin e përbënin edhe ministri i diasporës, Ibrahim Makolli dhe konsulli i Kosovës në Cyrih, dr. Salih Sefa si dhe mjekët dr. Christoph Held e dr. Bahri Rexha, që janë ideatorët dhe mbështetësit kryesor të këtij projekti, që parasheh edhe sjelljen e një pjese të personelit nga Kosova në Zvicër për aftësim profesional

Rexhep Rifati

Se ka ardhur koha që mërgatën shqiptare përgjithësisht e sidomos atë në Zvicër, nuk duhet shikuar vetëm si burim parash, por para së gjithash si burim kuadrosh të arrira profesionale e me përvojë, që me një përkushtim profesional mund ti kontribuojnë dhe ndihmojnë vendlindjes përmes projekteve, duke pas mbështetjen edhe të miqve dhe institucioneve të vendeve ku jetojnë.

Kjo e vërtetë deri më tash është dëshmua sa e sa herë, e veçmas në rastin e një vizite që i bëri më 18 mars, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, disa enteve që merren me përkujdesjen e të moshuarve dhe shtëpive të pleqve në qytetin e Cyrihut.

Ky delegacion dhe kjo vizitë as që do të realizohej po të mos ishte më parë përkushtimi dhe angazhimi i mjekut bashkatdhetar me punë e banim në Zvicër, dr. Bahri Rexha i cili në saje të miqësisë të krijuar nga lëmi i profesionit, dr. Christoph Held, një ekspert i njohur zviceran i gerontologjisë, që së bashku sa e sa herë e  biseduan dhe analizuan mundësin e realizimit të një projekti që ndërlidhet me ngritjen e një shtëpie bashkëkohore të moshuarve që kanë nevojë për një mjekim të dhe përkujdesje të vazhdueshme. Që të dy këta mjek njëri shqiptar e tjetri zviceran eshin edhe për vizitë në Mitrovicë me autoritetet e atjeshme e biseduan këtë projekt, meqë rast patën edhe mbështetjen konkrete të kryetarit të porsazgjedhur të kësaj komune Agim Bahtiri, i cili edhe tash ua ktheu vizitën për të parë nga afër se si qëndrojnë punët nga pala zvicerane. Kësaj nisme iu bashkua organizata e bashkatdhetarëve nga Zvicra “Shtëpia e Mirë”, duke pasur edhe mbështetjen e qytetit Cyrihut, për të investuar në funksionalizimin e shtëpisë së të moshuarve në Mitrovicë. Nismës iu bashkua edhe konsullata e Kosovës në Cyrih, në krye me konsullin dr. Salih Sefa, i cili ishte edhe pjesë e delegacionit dhe e angazhimit gjatë vizitës në institucionet dhe shtëpitë apo spitalet përkatës në Cyrih.

Njëri nga nismëtarët kryesor të këtij projekti doktor, Bahri Rexha na deklaroi se  duke e parë gjendjen e tanishme të moshuarve në komunën e Mitrovicës, ka ardhur deri tek ideja për realizimin e këtij projekti, që si qëllim ka vendosjen e të moshuarve në një shtëpi adekuate pëlqesh, që duhet aftësuar e pajisur, në mënyrë që të jetë në gjendje tu shërbejë jo vetëm qytetarëve të Mitrovicës, por edhe të tjerëve që janë të shpërndarë në qytete të tjera të Kosovës. Pra, sipas tij, duhet të aftësohet shtëpia e pleqve në Mitrovicë, që aty të vendosen të moshuarit.  Para se kjo të arrihet pritet që pala zvicerane të tregojë gatishmëri që një pjesë e personelit të vijë për disa muaj, qofshin ata mjek apo personel ndihmës, për të shfrytëzuar përvojën e shtëpive gjegjëse në Cyrih, ku jo pak punojnë edhe punëtorë shqiptarë nga kjo lëmi. Sa për ilustrim , gjatë vizitës në shtëpinë Dolder  , mësuam se nga 22 punëtorë, 6 janë me përkatësi shqiptare.

Delegacioni para se të bëj vizita në shtëpitë e pleqve u prit nga në drejtorinë e qendrave për përkujdesje (PZZ) nga drejtori, Kurt Meier dhe zëvendësdrejtori, Rene Zaug., meqë rast u bisedua edhe për konkretizimin e planit për ngritjen e një shtëpie sa më bashkëkohore të pleqve në Mitrovicë. Për këtë projekt pritet edhe përkrahja e këtyre themelatave dhe të vet qytetit të Cyrihut e të institucioneve gjegjëse zvicerane, përfshi këtu edhe gatishmërinë për të mundësuar që të sillet edhe një pjesë  e personelit nga Kosova në Zvicër për aftësim dhe specializim të mëtejshëm. Delegacionin e ka shoqëruar gjithashtu edhe dr. Bahri Rexha, si iniciues i projektit bashkë me dr. Christoph Held, i cili që nga fillimi ka treguar përkushtimin e tij për realizimin e këtij projekti, që ndërlidhet edhe me njohjen dhe miqësinë e tij edhe me doktor Bahri Rexhën dhe shqiptarë të tjerë që punojnë nëpër shtëpi pleqsh e spitalet e Cyrihut. Atmosferën e vizitës së delegacionit nga Kosova e bëri edhe më të afërte e miqësore prania e një pjese të personelit që përbëhej nga shqiptarë, por edhe përshëndetjet me ndonjë fjalë shqipe nga vet drejtuesit e mikpritësit zviceranë, që shoqëruan grupin vizitor edhe nëpër repartet ku janë të strehuar pacientët, për të pa nga afër kushtet e punës në këto shtëpi, ku të moshuarit në kushte optimale i kalojnë ditët e pleqërisë. Në fund të kësaj vizite kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri iu falënderua nikoqirëve për pritje dhe gatishmërinë e treguar për realizimin e këtij projekti, duke u zotuar gjithashtu se krejt çka është obligim i palës së komunës që drejton, do ta realizojë me përkushtim e përpikëri.