Rrëfime nga lufta – Pjesa e parë

Nga Blerim Metaj, Burim

Blerim Metaj
Blerim Metaj

Lufta ka shumë vite që ka mbaruar, gati po bëhen dy dekada. Por tmerret e asaj kohe dhe asaj lufte, si shumëkend, edhe mua po më përcjellin gjithandej. Isha fëmi dhe shumë gjëra nuk i kuptoja dhe nuk isha në gjendje t’i kuptoja, pse ndodhnin gjëra që as në filma horror nuk i tregonin. Nuk e merrja vesh pse duhej t’i vrisnin njerëzit nëpër shtëpitë e tye, në rrugë, pa i bërë asnjë gjë të keqe askujt… Njerëzit lenin shtëpitë e tyre dhe gjithçka kishin duke marrë rrugën e panjohur nëpër shtigjet që ua kishin përcaktuar të tjerët, rrugë që të çonin në drejtim të Shqipërisë. Prapa tyre ata linin shtëpitë, të cilave serbët dhe paramilitarët pasi i plaçkisnin ua venin flakën. Isha i vogël dhe nuk e kuptoja pse u dashka të iknim nga shtëpitë tona, pse na shanin e na rrihnin rrugës njerëz të uniformuar dhe me maska e me disa shamia në kokë. Nuk e kuptoja se çfarë kishin ata me ne e me shtëpitë tona… Në gjithë këtë gjendje të tmerruar dhe trishtuar për mua si fëmi, nuk e di pse, por në një fletore kisha filluar të shkruaj shkurt për ato që shihja e dëgjoja, ashtu me aq sa dija të shkruaj në atë moshë…. Nganjëherë vetëm shkurt, sikur më shtynte diçka të hedh në letër ato që shihja e dëgjoja, sikur nuk doja t’i harroja.

Një ditë, derisa isha duke kërkuar në tavanin e shtëpisë nëpër rreckat e vjetëruara, gjeta edhe shumë fletore të mia të shkollës, të cilat u kishin bërë ballë kohës dhe minjve të tavanit, në mesin e të cilave gjeta dhe fletë të grisura nga fletorja e shënimeve të viteve të fëmijërisë…. Aq shumë më mbërthyen kujtimet dhe më kthyen mbrapa në ato vite të mbrapshta e ogurzeza, sa nganjëherë më duket sikur po i jetoj tani… Tanimë nuk po mund t’i bart me vete këto ngarkesa të një kohe pa kohë dhe vendosa t’i hedh në letër. Dua që t’ua rrëfej edhe të tjerëve ato që përjetova për ta lehtësuar edhe veten por edhe për të mos lënë që ato të harrohen fare…

Vjeshtë 1998…

Ishte vjeshtë e vitit 1998, në kohën kur ne vetëm për luftë e luftime dëgjonim. Dëgjonim nga të rriturit për krime e për të vrarë të pafajshëm, për paramilitarë, për….

Unë isha 8 vjeçar dhe ndiqja mësimet në klasën e tretë në shkollën “Zymer Zeka” në fshatin Kaliçan. Atë ditë mbanim orën e tretë mësimore me mësuesin Emin Maksutaj. Ishte ditë me shi, një shi i mërzitshëm… Me sa mbaj mend, në atë orë kishim lëndën e gjuhës shqipe dhe ishim duke e shkruar një hartim, kur pa pritmas filluan të dridhën xhamat e dritareve të klasës! Klasa jonë gjendej përballë dhe afër rrugës kryesore Vrellë – Radavc. Filluan të dridhën xhamat dhe bankat në klasë, dukej sikur po të rrëzohej tërë shkolla! Disa nxënës filluan nga frika të bërtasin. Edhe pse mësuesi Emin nuk toleronte zhurma dhe bërtima të askujt në klasë, atë ditë nuk na tha asgjë. Disa filluan të qajnë, derisa disa të tjerë të fshihen nën banka, ndërsa une shkova te dritaret. Çka me pa?! Ishin duke kaluar 10-15 tanke të zeza si korbi, ndërsa sipër tyre qëndronin nga dy ushtarë me helmeta të blinduar, njëri e mbante një armë më të vogël (kallashnikov) ndërsa tjetri e mbante një armë më të gjatë!

Mësuesi na bërtiti të madhe që të largohemi të gjithë nga dritarët, kurse unë, si i krisur në kokë, e mora çadrën dhe e drejtova të xhami. Mësuesi Emin më goditi me shuplakë dhe atëhere u largova nga dritarja.

Derisa ushtria serbe po kalonin rrugës kryesore afër shkollës tonë, mësuesi na nxori përjashta, duke na fshehur mbrapa shupës, ku shkolla i palonte drurët për dimër. Aty qëndruam për pak kohë. Mësuesi bashkë me kujdestarin e shkollës, të cilin e thërrisnim korrili i shkollës, na thanë që t’i fshehim çantat me libra aty në shupë, se po na kontrolluan ushtria, do të na nxirrnin problem. Mësuesi Emin na kapi për dore duke na thënë se nuk mund të na linte vetëm, prandaj, kështu për dore na përcolli deri në shtëpitë tona.

Rrugës për në shtepi isha aq i frikësuar e aq i tmerruar sa që nuk mund ta imagjinoja atë që po përjetoja në realitet, por shpresoja që jam në në një ëndërr e kur të zgjohem do të kalojë ajo ëndërr e keqe. Por jo, nuk ishte ëndërr, isha në realitet, duke ecur asaj rruge që kishte qenë plot me gurë që e kalonim çdo ditë, por që tanket i kishin shtypur të gjithë ata gurë të bardhë si bora! Rrugës më kujtohet mësuesi që na thoshte “Shpejtoni, shpejtoni dhe po qe se tanket kthehen përsëri kësaj rruge, futuni në livadh dhe shkoni afër përroit duke vrapuar, e futuni aty!”

Për fat të mirë, serbët nuk u kthyen gjersa ne ishim duke ikur për në shtepi. Kur arritëm në fshat mësuesi u kthye nëpër livadhe. Ishim bërë qull nga shiu. Edhe pse gati të gjithë kishim çadrat e shiut, ndoshta nga frika e madhe që kishim, nuk na ka ra ndërmend të mbrohemi me çadrat nga shiu.

Kur shkova të dera e oborrit, dera ishte e mbyllur dhe menjëherë më kapi paniku! U futa shpejt e shpejt te baci Halil. Aty ishte gjyshi im (tash i ndjerë) duke më pritur. “Baba e nëna nuk janë në shtëpi – më tha gjyshi dhe vazhdoi – kanë shkuar në Lebush të Deçanit për ta marrë nusën e axhës, e cila donte të ikte për në Gjermani!” Unë qaja nga frika mos u ka ndodhur gjë gjatë udhës. Edhe pse gjyshi më thoshte që mos të frikësohem, unë e shihja trishtimin në sytë e tij, duke e kuptuar se puna nuk ishte mirë. Dikur shkuam në shtëpinë tonë. Pas një kohe hynë brenda edhe baba e nëna. Ne u gëzuam shumë që nuk iu kishte ndodhur asgjë. Ajo ditë mbaroi si në filma horror, por unë nuk e harrova kurrë më….

(vazhdon….)