Në këtë qytet dhe në rrethina e përditshmja po administrohet dhe organizohet në mënyrë të pavarur. Shteti duket ende i vonuar dhe i pafuqishëm. Atëherë, intuitivisht, banorët e kësaj treve, përveçse kanë hapur dyert e shtëpive të tyre, kanë krijuar një harmoni të çuditshme me të ardhunit: Në shtëpitë e tyre, në mjedise të ndryshme. Është një rregullsi si e ndreqme me dorë që administron situatën, një rregullsi e jashtëzakonshme.
Nga ditari Petrit Palushit, Kukës
Qytetin e ka lidhë mbas veti varfëria ekonomike, por mungojnë edhe kushtet më elementare të higjienës për të përballuar fluksin e njerëzve që erdhën.
Këtu shfaqet dhimbje, por edhe dashni njerëzore.
Megjithatë, këtu sikur s’ka ndodhë gjë. Të duket se banorët e kanë të lehtë për ta përballuar këtë situatë. Shumë prej tyre thonë se po ndajnë kafsha- tën me shqiptarët e Kosovës (Në mbaroftë, le të mbarohet!) dhe përsëri me një siguri të tepruar thonë se botën e preku drama e këtyre njerëzve dhe ajo është bashkuar me ta për ta përballuar atë më së miri.
Qyteti duket se i ka shpëtuar humbjes
Sidoqoftë, ka ndërtuar një jetë normale brenda anormales: Popullsi dhjetë herë më tepër, infrastrukturë të shkatërruar, njerëz të përfshirë në dramën e tyre, uria, etja dhe epidemia që rrinë mbi kryet e njerëzve siç qëndrojnë retë e zeza nëpër qiell, ndërsa banorët e qytetit arrijnë ta normalizojnë ditën dhe ta bëjnë të zakonshme në ditët më të jashtëzakonshme të këtij qyteti.
Prapë shteti duket i ngathët, shumë i ngathët, i pafuqishëm. Të krijohet përshtypja se shteti funksionon vetëm në sheshin qendror të qytetit, ku forcat speciale policore të Tiranës, e ruajnë rregullin aty në mënyrë të admirueshme.
Në shtypin e përditshëm dhe në mediat elektronike (të vendit apo të huaj), flitet për një mik- pritje të admirueshme të banorëve të qytetit dhe të rrethinave të tij. Kukësin e cilësojnë si qytet të mikpritjes, të bujarisë dhe të respektit njerëzor. Por, mbase është ndër rastet e vështira për t’u kuptuar a zbërthyer: Askush nga banorët e këtushëm, pavarësisht se i kanë shtëpitë plot e përplot s’e përdor në ligjërimin e përditshëm fjalën mik- pritje. Pra, njeriu e administron shkëlqyeshëm krejt procesin që ka të bëjë me mikpritjen (pritja e mikut, respekti dhe të gjitha nderet që i takojnë) dhe e ka të vështirë dhe ndihet jo shumë krenar kur dikush ia përmend respektin që i ka bërë tjetrit. Kjo, ka të bëjë me një lloj kodi moral, të veçantë, që mekanizmin e respektit ndaj mikut e ka shndërruar në një çelës që mund ta lëvizë në çdo kohë: Kur dikush troket në derën e shtëpisë së tij, i njohur apo i panjohur qoftë, apo kur dikë ose disa i ka ftuar vetë. Pra, njeriu në këtë zonë e ndien si detyrë ta presë dhe ta përcjellë dikë kur i vjen në shtëpi, por me nderet e veçanta që i takojnë natyrisht vetëm mikut. Miku është i shenjtë, i respektuar. Këtu nuk përdoren fjalët mikpritje, mikpritës (ose përdoren shumë rrallë), por përdoren: pritje, pritës. Fjala mik është si të thuash, e tepërt e panevojshme. Kur thuhet pritje, pritës, njeriu i ka thënë të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me respektin e tjetrit. Por përdoret shpesh edhe fjala shpijak, për dikë që është i sojshëm dhe pret e përcjell njerëzit në shtëpinë e tij në mënyrën më shembullore. Veç kësaj, kur thirret dikush për darkë, në raste të veçanta si me humor i thuhet:
“Hajde heqim keq një natë!”. Madje, kur dikush që tregon se ka qenë bujtës diku, bashkëbiseduesi i tij me lehtësinë më të çuditshme mund ta pyesë: “A hoqe keq?”. Ose, kur dikush tregon se po shkon si bujtës diku, atëherë bashkëbiseduesi mund t’i thotë: “Paske me heqë keq!”. Kjo do të thotë se fjalët në këtë rast marrin kuptim tjetër, të kundërt. Pritja këto ditë mori një formë të institucionalizuar, formën e saj më të përkryer.
Vendasit nuk e përdorin fjalën refugjat
Këtu vendasit nuk e përdorin fjalën refugjat, por as t’ardhunit s’e përdorin një gjë të tillë. Fjala refugjat noton vetëm në shtypin e përditshëm apo në mediat elektronike. Zakonisht këtu përdoren shprehjet: “Jemi të njëri-tjetrit”, “Të mirën dhe të keqen e ndajmë përgjysmë, jemi shqiptarë”, etj. Njerëzit që erdhë n në Kukës pas asaj drame dhe përjetimi filluan të marrin frymë lirshëm dhe u duket vetja si në shtëpinë e tyre, pavarësisht se ajo çka ndodhi dhe ç’po ndodh në Kosovë i ka lodhur dhe tronditur.
Nuk e di ku kam lexuar se mikpritja dhe bujaria është virtyt i njerëzve të varfër. Padyshim që kjo shprehje duhet qortuar. Mbase i nisur edhe nga rasti i fundit në Kukës. Në këtë zonë pritja që i bëhej tjetrit dhe bujaria, qenë pjesë e veçantë e jetës së këtyre njerëzve edhe në vitet e diktaturës, pa shkuar në vitet e mëhershme, që e pat vënë re dhe pat shkruar zonja Edit Durham.
Në vitet e diktaturës varfëria e mbante njeriun për fyti.
Radhët e gjata të njerëzve për qumësht, vezë, mish, etj., i kapërcyen kufijtë e legjendës. Por, sido- qoftë, respekti për mikun, bujtësin, kishte normat e veta të pashkruara. Ishin disa norma të përcjella prej kohës në kohë. Me ndërrimin e sistemit, ekono- mia pësoi ndryshimet e veta, sa mund të thuhet se, i varfëri i sotëm ndihet edhe i pasur: Ai ka për të ngrënë, por edhe gjen mundësi për ta respektuar mikun apo bujtësin në shtëpinë e vet. Do të thoja se, i varfëri i sotëm ndihet disi luksoz në varfërinë e tij në krahasim me kohën e diktaturës. Dhe tashmë është bërë pothuajse proverbiale një thënie në këtë qytet se, po të vijë njeri për darkë dhe, sado vonë qoftë, edhe sikur të mos jesh i përgatitur, menjë- herë shkon në Mishtoren e Dan Kakelit apo njësi të tjera me ble mish të freskët dhe e zgjidh problemin.
Është e natyrshme që tani kërkesat e njerëzve janë rritur.
Por në Kukës ka të varfër, siç ka dhe të pasur. Mund të kish edhe më të pasur, në rast se nuk do të kishin humbur një pjesë të pasurisë në firmat mashtruese. Por në këtë qytet mund të kish edhe më të pasur, në rast se një pjesë e njerëzve që vunë pasuri përmes tregtisë që bënë me Prizrenin apo dhe një pjesë e tyre që e vunë këtë pasuri duke qenë pjesëtarë në drejtime shtetërore, nuk do t’ishin larguar drejt kryeqendrës duke i dhënë lamtumirën përgjithnjë këtij qyteti.
Sidoqoftë, Kukësi i hapi dyert dhe këtë e bënë të varfëritë dhe të pasurit.
Qe një reagim i përgjithshëm ndaj gjendjes së krijuar.
Së pari, për të shpëtuar jetën e të shpërngulurve dhe për të zbutur sadopak dramën e tyre.
Së dyti, duke qenë njerëz të gjakut, gjuhës së njëjtë, të zakoneve e kulturës së njëjtë, banorët e këtij qyteti ia mbërritën që dhimbjen ta ndajnë përgjysmë. Ndërkaq, kjo gjë vërtetoi absurditetin e kufirit tragjik ndërmjet dy pjesëve të Shqipërisë.
Më vjen ndërmend se ditën e dytë të mbërritjes së kosovarëve në qytet, pashë Kujtim G. Cengun me afër 50 vetë prej tyre. Kujtimi ngriti dorën dhe më thotë: “Në Kukës s’ka dëshpërim, por vetëm njerëzillëk!”. U afrova dhe e pyeta të zotin e kësaj familje të madhe se kur erdhën këtu. Më thotë se
në mëngjesin e asaj dite. Quhej Mirdaim Kica dhe i ishte shumë faleminderues Kujtimit që po i merrte te shpija e vet.
Kukësi reagoi ndaj dramës së të shpërngulurve: Hapi dyert dhe zemrat duke mënjanuar një tragjedi tjetër.
Banorët e bënë të tyren, aq sa mund të bëhet. Nuk e di nëse qeverisësit vendorë dhe të qendrës, përfaqësuesit politikë, do jenë në gjendje të administrojnë si duhet dhe sa duhet këtë imazh që krijuan banorët e kësaj zone, që të dëshmojnë realisht se këta njerëz që jetojnë në periferi meritojnë tjetër vëmendje, tjetër kujdes.



















