Leximi – informim dhe komunikim

Leximi formon një kulturë në gjykimet tona mbi botën. Rëndësia dhe roli i teksteve të lexuara në evolucionin e ideve të njeriut kanë një rol dominues. Ekzistojnë shumë vepra në shërbim të çlirimit të njeriut në luftërat e dallimeve politike dhe sociale. Veprat janë promotori i shtjellimit të problemeve të strategjive argumentuese. Leximi nuk është vetëm informim por edhe komunikim.

Avni AZIZI

Leximi në jetën e njeriut është një mrekulli. Si i tillë ka ndikimin, pasurimin dhe njohjen tonë mbi botën, dhe njohjen e pafundme të dukurive shoqërore, qenieve njerëzore.. Përvoja dhe praktikat e gjitha qytetërimeve botërore kanë dëshmuar se pa lexuar asnjë njeri nuk mund të krijoj personalitet dhe asnjë  shoqëri nuk ka arritur përparimin. Leximi është mjet i cili ndihmon njeriun në formimin e parimeve dhe bazave morale, vlerave kulturore, zotërimit të informacionit por edhe zhvillimit të imagjinatës njerëzore.

Përmes leximit njeriu mendon, analizon dhe vlerëson veprimet e tija dhe të rrethit në të cilin jeton. Leximi është ndjenjë kënaqësie estetike, burim njohurish i cili kthen orët dhe çastet e pashmangshme të mërzisë dhe përtacisë në jetë e mundësi magjepsëse.

Shprehia e njeriut për të lexuar, përmirëson mënyrën e formimit të vetvetes. Ai që lexon rregullisht pas leximit transformohet, bëhet ndryshe, ushqehet shpirtërisht dhe vazhdimisht mëson diçka të re dhe të panjohur. Duke eksploruar jetën, kohët, ngjarjet dhe rrethanat lexuesi fiton dhe mëson përvoja për të vepruar saktë dhe me vend në situata të veçanta. Duke analizuar gabimet e të tjerëve ai i eviton t’i përsërisë ato në shoqëri dhe kudo që ndodhet.

Leximi ndihmon njeriun të kuptoj dhe të aplikoj bukurinë e të folurit dhe në momente të duhura, të gjej fjalët adekuate për të përshkruar gjithë kënaqësitë e jetës apo edhe fatkeqësitë e saj. Leximi qetëson mendjen dhe gjendjen shpirtërore, perceptimin e situatave dhe krijimin e botëkuptimeve. Përmes leximit ne krijojmë aftësi motivimi. Ndonjëherë, njeriut i mungon guximi për një veprim dhe mbulohet nga dyshimet, janë heronjtë e guximshëm të veprave që na mëshirojnë shpirtërisht për të krijuar ide të reja, për të mbushur zemrën guxim e vendosmëri.

Ndonëse leximi nuk zëvendëson asnjëherë komunikimin e drejtpërdrejtë, ai mund bëhet këshilltar dhe katalizator mes mendimeve më të përzgjedhura dhe njohurive që jepen. Leximi, pra të kuptuarit e fjalës së shkruar, është sistem më i vështirë se të folurit gojor ngase në komunikimin gojor, intonacioni, pauzat, nënvizimet shprehëse kontribuojnë më shumë në të kuptuarit.

Leximi formon një kulturë në gjykimet tona mbi botën. Rëndësia dhe roli i teksteve të lexuara në evolucionin e ideve të njeriut kanë një rol dominues. Ekzistojnë shumë vepra në shërbim të çlirimit të njeriut në luftërat e dallimeve politike dhe sociale. Veprat janë promotori i shtjellimit të problemeve të strategjive argumentuese. Leximi nuk është vetëm informim por edhe komunikim.

Leximi dhe të kuptuarit            

Qëllimi kryesor i një leximi është të kuptuarit. Është përpjekja si të arrijmë për të nxjerrë kuptimin e një tekstit të lexuar. Procesi i leximit është një përjetim i brendshëm. Fillimisht krijohet një hamendje se a do të plotësohen parashikimet tona apo jo nga ajo që kemi filluar ta lexojmë. Ndodh shpesh që parashikimet nuk plotësohen pra, teksti nuk ishte ajo që prisnim për ta lexuar. Megjithatë, lexuesi duhet të filloj ndërtimin për përmbajtjen e këtij teksti si dhe ai duhet të analizoj cila mund të ishte strategjia më e mirë për të gjetur idenë qendrore të tekstit.  

Pse nganjëherë na duket e vështirë për të lexuar?  A është leximi aq i lodhshëm që nganjëherë e imagjinojmë?  Këto janë disa pyetje që i bëjmë vazhdimisht, kur ne mundohemi për të gjetur formulën e saktë dhe përgjigjen e vërtetë si duhet të lexojmë?

Pa dyshim, se ndër problemet e paraqitura në procesin e të kuptuarit të një teksti gjatë leximit është mungesa e efikasitetit në përdorimin e njohjes së thellë. Numri i fjalëve të pa njohura, gjatësia e fjalive, frazat konfuze, sintaksa dhe elemente tjera të dhëna brenda një teksti shpesh krijojnë vështirësi në të kuptuarit. Disa lexuesve u mungon aftësia për të përdorur strategji efektive për t’u marrë me tekstin. Ata nuk kanë krijuar sa duhet shprehi që të artikulojnë atë që kanë lexuar dhe nuk kanë krijuar aftësinë e krijimit të imazheve mendore të përmbajtjes së atij teksti etj

Kuptimi është aftësi e secilit për të kuptuar dhe për të zhvilluar kuptimin e ideve relevante në tekstet e shkruara të natyrave të ndryshme. Aftësi për të analizuar dhe interpretuar mesazhet e përfshira në tekst. Kjo aftësi është po ashtu edhe pjesë e procesit të deshifrimit të një teksti.

Kjo zakonisht mund të ndodhë vetëm kur jemi duke lexuar diçka të veçantë, diçka të zgjedhur që me çdo kusht jemi të detyruar për ta lexuar. Këtu duhet të mundohemi për të ecur para me leximin por edhe për tu kthyer prapa. Duhet shpesh që të ndalemi, të mendojmë. Gjithashtu duhet të kemi mundësinë për të bërë pyetje dhe brenda këtyre pyetjeve të nxjerrim konkluzione se çfarë është e rëndësishme dhe çfarë është e mesme. Ky është një proces i brendshëm, dhe i domosdoshëm për ta mësuar tekstin që lexojmë.

Ekzistojnë tri koncepte teorike në lidhje me procesin e leximit.  E para, e sheh të lexuarit si një transferim të informacionit. Me konceptin e dytë besohet se leximi është produkt i ndërveprimit mes mendimit dhe gjuhës, dhe ai i tretë është se leximi është një proces i transaksioneve në mes të lexuesit dhe tekstit. Lexuesi gjithmonë duhet të përpiqet për të gjetur konfigurimin e sistemeve apo shenjave të cilat janë të përshtatshme për të shpjeguar tekstin. Kështu, lexuesi ka për të kuptuar një tekst vetëm kur ai është në gjendje për të krijuar diçka si fotografi mendore në kujtesën e tij.

Të gjitha tekstet që lexojmë janë të ndryshme, lexuesi duhet të dijë se si duhet të akomodoj stilin e autorit. Ka tekste shkencore ku ju duhet të keni një njohuri të përgjithshme të avancuar në mënyrë që të kuptojmë domethënien dhe porosinë, tekste letrare të cilat nuk kanë nevojë për njohuri paraprake, sepse ato janë të ndërtuara mbi një kuptim. Sido që të jetë ai tekst, është e rëndësishme që të paktën të kemi aftësi për të identifikuar idetë kryesore të tij.

Për të dalluar Idenë kryesore të një teksti duhet t’i kushtojmë vëmendje, sidomos fjalëve që përsëriten pa sinonime, të cilat shpesh janë grupuara nën të njëjtin koncept semantik. Përveç kësaj, ideja kryesore e tekstit është thelbësore. Nëse në një tekst kuptimi i përgjithshëm fshihet tek paragrafët ai tekst është jo i plotë. 

Në çdo lexim, procesin e leximit duhet ta ndajmë në tri etapa të rëndësishme: p.sh. – para leximit, gjatë leximit dhe pas leximit. Në çdo lexim medoemos duhet ti përgjigjemi pyetjeve në çdo fazë të procesit të leximit. 

Shembull para Leximi duhet ti bëjmë vetës pyetjet:  Pse duhet lexuar, Pse duhet mësuar, A mund të marrim informacionin e saktë nga ky tekst, Cilat janë njohurit tona paraprake etj. Ndërsa gjatë procesit të leximit duhet të bëjmë këto pyetje: – Të formulojmë pyetje në atë që kemi lexuar, të sqarojmë dyshimet në lidhje me tekstin, të konsultojmë nganjëherë edhe fjalorët po që se është e nevojshme, të rilexojmë pjesët konfuze, të krijojmë imazhe mendore për të shfaqur përshkrimet e paqarta etj. Pas leximit: duhet të bëjmë një përmbledhje të tekstit të lexuar, të bëjmë një formulim të pyetjeve dhe përgjigjeve, të nxjerrim konkluzione dhe të mundohemi për ta ritreguar tekstin e lexuar etj

Sipas shumë studiuesve kjo teori kalon nëpër tri faza kryesore të cilat janë: njohuria e fjalëve, të kuptuarit, dhe nivelin i tretë ai vlerësimit.

Të kuptuarit është konsideruar të jetë i përbërë nga disa nën-nivele: të kuptuarit apo aftësia  për të kuptuar shprehimisht në përfundim tekstit, pastaj aftësia për të kuptuar se çfarë është e nënkuptuar dhe leximi kritik apo aftësi për të vlerësuar cilësinë, idetë e tekstit dhe qëllimin e autorit. Lexuesi e ka kuptuar një tekst, kur ai është në gjendje të nxjerrë kuptimin e saktë që ofron ai tekst. 

Konkluzioni i një teksti

Një nga përfundimet e zakonshme të procesit dhe të kuptuarit të leximit është se lexuesi përherë në fund duhet nxjerrë konkluzione. Kjo është thelbësore për të kuptuar një tekst të lexuar. Konkluzionet janë shpirti i procesit dhe i të kuptuarit. Kjo metodë me përfundime të tilla është e rekomanduar jo vetëm për nxënësit dhe studentët por, për gjithë lexuesit që dëshirojnë për të nxjerrë përfundime nga ajo që lexojnë.

Konkluzioni është një aftësi për të kuptuar disa aspekte të tekstit të dhënë dhe për të arritur që ne të regjistrojmë kuptimin dhe porosinë që jep ai tekst. Kjo konsiston që ne të kemi mundësinë në kapërcimin e mangësive të ndryshme që janë paraqitur në procesin e ndërtimit të mirëkuptimit të atij teksti.  Duke nxjerrë konkluzionet e një teksti ne shpesh gjejmë edhe kuptimin e vërtet të ndonjë fjale ku autori nuk e ka paraqitur në mënyrë të shprehur. Pastaj, korrigjojmë edhe gabimet e mundshme teknike që kanë mundur të rrjedhin gjatë shkrimit etj.

Lexuesit e vëmendshëm nga nxjerrja e konkluzionit do të përfitojnë të dhëna kontekstuale, të kuptuarit e fituar dhe të njohurive të përgjithshme. Ata do të kenë mundësinë që të atribuojnë një kuptim të saktë në përputhje me tekstin dhe fjalët e panjohura apo atyre që janë dhënë në mënyrë jo të drejtë. Për shembull, nëse ju e dini kuptimin e një fjale, lexojeni me kujdes dhe përpiquni për të treguar kuptimin e saj në kontekst të tekstit.

Kuptimi i të lexuarit është qëllimi përfundimtar i çdo leximi. Fokusimi fillestar është shprehja e shkruar nga një autor i cili dëshiron të bëjë të ditura dhe publike mendimet e tija si dhe përmes komunikimit me shkrim të transferoj tek lexuesi këto mendime. Në kuptimin e leximit ka edhe faktorë tjerë që lidhen me lexuesit dhe tekstet e vështira për të krijuar kuptimin e vërtet që është menduar nga autori. Nëse lexuesi nuk ka aftësi të duhura për të kuptuarit dhe për të bërë konkluzione ai tekst do të mbetet i pa kuptuar. Andaj konkluzioni i një teksti të lexuar i cili duhet të bëhet në fund të çdo leximi ofron mendimin e shkruar dhe zbërthen idetë e shfaqura në atë tekst.

Përmes leximit njeriu grumbullon njohuri jo vetëm për veten e familjen e tij, por edhe për shoqërinë. Njohuritë e fituara janë të pa vdekshme. Shpesh leximi e bën prezentë të kaluarën, sjellë frymën dhe zakonet e kohës dhe koloritin e saj.  Leximi duhet të bëhet qëllim i jetës dhe jeta qëllim i dijes. Nëse ju lexoni një libër të mirë, jo veçse do të jeni një lexues i mirë por edhe një vlerësues dhe interpretues i mirë i jetës praktike. Leximi si ushtrim intelektual e fisnik aspak dhe asnjëherë nuk do të ju merr kohën, por ai do të ju dhuroj lumturinë për të sfiduar terrin dhe fshehtësitë e botës.