Ky është Jon Krasniqi, i lindur në marsin e vitit 2012, në Dietikon të Zvicrës. Një djalë 7 vjeqar, nxënës i klasës së parë, i cili pos që është i mirë në mësime, e ka pasion futbollin dhe frymëzimi më i madh i tij vjenë nga futbollistët më të mirë shqiptarë, që sot po na përfaqësojnë nëpër botë.
Joni ëndërr e ka të punojë fort dhe të luaj për ndonjë ekip të njohur ndërkombëtar, por me nostalgji e ruan ëndrrën e tij që të luaj për kombëtaren e Kosovës. Ai ka lindur në Zvicër, ndërsa tani jeton në Mellingen. Është fëmija i parë i familjës Krasniqi, i pari anëtarë në familje që pritet në të ardhmen të bëhet një futbollist i njohur.
Në pyetjen e ProIntegrës se cila është dëshira e tij më e madhe, Joni u përgjigjë duke thënë se dëshiron të bëhet lojëtar i mirë, të ketë teknikë, ta njohin të gjithë dhe të luftojnë për të. Ai madje ka shumë besim se do ta arrijë këtë, sepse sic na tha edhe neve, po punon shumë, pa përtesë dhe pa u ndalur.
Joni është nxënës i shkollës së futbollit “Swiss Football School”, ku kanë fitur vendin e parë në turniret e grupmoshave të njejta të organizuara në pjesën e Zvicrës gjermane, ndërsa ai vet disa herë është shpallur si lojëtari më i mirë i ndeshjes. Madje, edhe trajneri i kësaj shkolle Rene Wiger, na ka thënë se Joni po përparon cdo ditë e më shumë dhe se pritshmëritë për të janë të mëdha. Ai ka besim në aftësitë për lojë të Jonit dhe na tha se e sheh në të ardhmen në mesin e yjeve të futbollit.
Joni pos futbollit, tash e tri vjetë ushtron edhe për tenis, ku gjithashtu ka treguar performancë shumë të mirë. Por, kur e pyetëm se në mes të tenisit dhe futbollit cilën do të zgjedhte, ai pa asnjë hezitim na tha se do ta zgjedhë futbollin, sepse aty e ndjenë veten më mirë dhe më të plotësuar.
Jon Krasniqi, ky djalë 7 vjeqar, ka arritur të nisë rrugën e ndjekjes së ëndrrës së tij, falë përkrahjes së madhe që ai e merr nga prindërit, të cilët nuk kursehen asnjëherë, vetëm e vetëm që ai të arrijë majat e suksesit.
Në sirtarin e Jonit, gjenë pothuajse të gjitha dresat e ekipeve më të mëdha në botë, ku i ka edhe lojëtarët e preferuar të tij sic janë: Messi, Modriq, Ronaldo,Mbappe por na tha se më së shumti i pëlqen Shaqiri dhe ka dëshirë që më së shpeshti ta vesh dresën kuq e zi të Shqipërisë, ndërsa u emocionua shumë kur e mendoi se ndoshta në të ardhmen edhe do të luajë për të.
Jemi të lumtur të takojmë fëmijë kaq të vegjël, por me një dashuri kaq të madhe për Kosovën dhe Shqipërinë. Joni dhe shumë fëmijë të tjerë që rriten në frymën e atdhedashurisë, janë shpresë, janë dritë, janë e ardhmja e kombit shqiptarë. Kjo dashuri që ata e nxjerrin nga thellësia e zemrës së tyre, na bënë të jemi krenar dhe falenderues që janë ambasadorët tanë më të mirë në botë.