Dega e Zvicrës Qendrore e Rrjetit të BSHZ, shquhet me investime e ligjërime

 

Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër- dega e Zvicrën Qendrore, degë kjo që nga muaji në muaj po forcohet dhe po e zgjeron aktivitetin e saj si në shtimin e anëtarësisë, investimeve të përbashkëta dhe në mbajtjen e temave me interes të zhvillimit të biznesesve private të shqiptarëve në Zvicër.

Nga Rexhep Rifati

Madje, ky rrjet nuk është përqendrua vetëm në takime të zakonshme të kryesisë, por edhe në grumbullimin e mjeteve për investime të përbashkëta. Si rezultat i kësaj është në realizim e sipër edhe objekti i parë i këtij karakteri. Ndërkohë po mbahen edhe tema nga fushat e biznesit me ekspertë dhe drejtues firmash nga radhët e shqiptarëve.

Kështu në takimin e mbajtur me 5 shtator 2020, në  lokalin e Qendrës për Kulturë dhe Integrim, pati një ligjerat nga Visar Robelli nga firma Anrotec GmbH, i cili prezantoi temën rreth energjisë dhe subvencioneve që mund të përfiton privati dhe biznesi gjatë ndërtimit. Krejt ky aktivitet zhvillohet me qëllimin, siç na tha kryetari i kësaj dege të këtij rrjeti, Florim Useni, për ta sjell informacionin deri tek afaristët që të përfitojnë nga kjo lëmi. Pas prezantimit të temës anëtarët e këtij rrjeti kanë zhvilluar edhe një aktivitet sportiv në volejboll në Risch platz Ebikon.

Kjo degë ndër më aktivet dhe më të organizuarat në nivel të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, gjatë këtij muaji më 20 Shtator 2020 do të ketë edhe një temë me shumë interes jo vetëm për anëtarësinë e ngushtë por bizneset shqiptare në Zvicër e më gjer. Ligjërues do të jetë doktori i shkencave, Dr. Lumni Ademi, i cili, më konkretisht do të flet mbi temën: ,, Suksesi juaj në prodhimtari”. Por që takimi është vetëm për afaristët që janë anëtarë në rrjet, pasi që qëllimi është që anëtarët e rrjetit të përfitojnë njohuri sa më gjera jo vetëm praktike por edhe teorike nga ekspertë të shquar shqiptarë të shkolluar e diplomuar këtu në Zvicër.

Me sa mësuam, DR. Lumni Ademi, njihet në Zvicër, jo vetëm për mbrojtje e doktoratës në Zvicër, por edhe me përvojën e tij profesionale shkencore ne Institute kimike dhe kompani zvicerane, si dhe publikimeve shkencore. Ai ka hapur edhe firmën e vet private në Cyrih, me emërtimin: “FloMir Company GmbH” (www.flomir.com), që orientim kryesor ka, pos tjerash edhe zhvillimin  ekonomik në trevave shqiptare. Kompania e tij ofron projekte konkrete mërgimtarëve shqiptarë që janë të interesuar për investim në vendlindjet e tyre.

Edhe kësaj radhe Lumniu me anëtarët e këtij rrjeti të bizneseve do të flas, mbi punën e firmës së tij,  “FloMir Company GmbH”, me selinë kryesore në Kantonin e Cyrihut të Zvicrës dhe përfaqësuesit e saj në Gjermani, Maqedonia e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri, bazuar në eksperiencën e saj shkencore në Zvicër, si dhe në bashkëpunim me partnerët e saj nacional dhe internacional, që ofron projekte me “çelësa në dorë” (turn-key), në fushën e prodhimtarisë  ushqimore, kimike, farmaceutike, kozmetike dhe ndërtimore.