Adem Demaçi do të kujtohet nesër për gjëra që s’na kujtohen sot

Po bëhet një javë nga ndarja nga jeta e Adem Demaçit dhe në opinioninin publik nuk po rreshtin së foluri për të. Si duket nuk po i gjejnë shprehjet që do ta thonin figurën e tij. Kanë thënë shumë, po s’po i qëllojnë akcentet dhe notat e pikërishme. Vdekja e tij i ka zënë gafil të gjithë, të kënduar e të pakënduar.

Njëri e shquan sakrificën e tij prej 28 vite burg, një tjetër angazhimin e tij partiak, njëri atë si aktivist i të drejtave të njeriut, tjetri funksionin si zëdhënës i gueriles shqiptare… Më rrallë e kanë kujtuar aktivitetin e tij letrar, me çka ai realisht e ka filluar jetën e tij publike. Janë thënë shumë gjëra dhe prapë nuk u gjet se ç’ishte thelbi i qenies së Adem Demaçit. Atij që si pakkush tjetër, a askush si ai, thoshte në mënyrë sovrane çfarë mendonte. Për politikën e vendorëve dhe atë të ndërkombëtarëve të paprekshëm. Atij që gjente role në dobi të komunitetit dhe të shtetit të Kosovës që s’i ishin kujtuar askujt dhe s’i luante dot një tjetër.

Për dallim nga figurat që e sundojnë jetën publike shqiptare, ai nuk komunikonte me veshjen ekskluzive, as me frizurën, as me mjekrën, as me shtatin, as me muskujt, as me… Ai imponohej me zemrën mal e shkëmb, mendjen e kthjellët dhe gjuhën brisk. Buzëqeshja e tij, e një shpirti bujar, ishte mediumi me të cilin ai i shpërblente miqtë më të largët dhe shpotiste kritikët e tij më të hidhur.

Adem Demaçi nuk u zgjodh kurrë në mënyrë formale si përfaqësues i popullit të tij. Por ai ishte reprezentuesi i tij i padyshimtë. Ai ishte shqiptari. Ai ishte Kosova. Legjitimiteti i Demaçit rridhte nga karizma e tij. Në Kosovën e pasluftës doli një familje me një autoritet, të cilin po e ruan akoma; pastaj u afirmua edhe një tjetër dhe një tjetër, të cilat e kanë ruajtur më shumë a më pak integritetin e tyre. Por asnjëra nuk e errësoi atë autoritet moral që në Kosëvë e kishte vetëm një njeri tjetër, i vetëm: Adem Demaçi.

Si një njeri i angazhuar në diciplinën e rëndë të politikës, edhe Adem Demaçi në rrugëtimin e tij të guximshëm ka regjistruar asi që koha hë për hë i ka nxjerrë si lajthitje. Patjetër edhe mendime dhe aksion të papëlqyer për elitat. Por ndaj tij nuk ngjitën kritikat e hidhura diskualifikuese si i harxhuar, i rrjedhur e matuf. Autorët e tyre, kritikë të pakursyer dhe ‚koka të mëdha’, që i ranë në qafë për inerci a për t’i këthyer një kusur, këto ditë kanë shprehur konsiderata për veprën e Adem Demaçit dhe e kanë ngushëlluar popullin e tij për humbjen…

Në të kundërt, fjala publike e Adem Demaçit është ndër më të rëndat, ai nuk ishte i pagabueshëm, por ai ishte i qartë dhe i drejtë-përdrejtë. Kjo është parë edhe këto ditë. Konsideratat e Adem Demaçit për një ndër figurat tjera më të popullarizuara të historisë së re të Kosovës ka bërë që trashëgimtarëve të partisë së tij të mos iu kalojë akoma marazi, e të mos gjejnë fisnikërinë t’i japin atij as lamtumirën e fundit.

Adem Demaçi është një xhevahir tjetër i shkëputur nga vargu i figurave të shquara të gjeneratës së 1936-ës te shqiptarët, si Fahredin Gunga, Gazmend Zajmi, Mahmut Bakalli, Bekim Fehmiu. (Të kësaj gjenerate janë edhe Shyqri Nimani, Ismail Kadare, Rexhep Qosja dhe ndonjë tjetër, që nuk na kujtohet.)

Besoj se Adem Demaçi nuk do të mbahet mend vetëm si shqiptari më i përvuajtur në burgjet e Jugosllavisë, si shkrimtar, si politikan, si zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si aktivist i të drejtave të njeriut. Besoj Adem Demaçi do të kujtohet si prozator me një sensor për tema të rëndësishme dhe të guximshme. Ai do të kujtohet si intelektual me një vizion për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi, për më tepër si lider i aksionit për implementimin e kësaj ideje. Adem Demaçi do të kujtohet si një publicist, që gazetarinë nuk e ka profesion për sigurimin e ekzistencës, por mënyrë të angazhimit për idealin e tij politik. Ai do të kujtohet si një autoritet, i cili nuk heziton që për të mirën e vendit të marrë edhe rolin e opozitarit në politikë. Demaçi do të kujtohet për faktin se si zëdhënës i gueriles shqiptare refuzonte të përdorej thjesht si transmetues i vendimeve të krerëve të saj, por një aktor vendimmarrës. Ai do të kujtohet për angazhimin humanist si aktivist i të drejtave të popullit tij dhe të minoriteteve të Kosovës, sidomos të atyre më të margjinalizuarve – romëve. Ai do të kujtohet për rolin e tij në krijimin e një prej lëvizjeve më të bujshme politike të kohëve moderne të vendit të tij.

Adem Demaçi do të kujtohet për gjëra që s’na kujtohen këto ditë.

Adem Demaçi do të kujtohet me të gjitha dritëhijet e tij. Për karrierën me sfond letrar, politik, marksist, enverist, pacifist, spiritualist, maoist, revolucionar… Gjëra që sa mund t’i vishen, aq edhe s’mund t’i vishen. Sepse ai nuk bindej përfundimisht, nuk ishte rehat në asnjë izëm, përveç në bindjet për lirinë e kombeve dhe mirëqenien e qytetarëve. Adem Demaçi nuk ishte nxënës i dëgjueshëm i njërit a tjetrit idhull. Ai me natyrën e tij ishte i prerë të bëhej vetë idhull.

Ai ishte një personalitet unik. Me përmasa tejshqiptare. Nuk ka një tjetër të demaçërojë në këtë kohë të turbullt.