ÇKA DUHET TË RIKUJTOJNË VOTUESIT PARA SE TA HEDHIN VOTËN

Edhe një muaj na ndanë nga dita e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës, të cilat aq shpesh po mbahen si të parakohshme dhe me kosto shumë të lartë jo vetëm financiare, për shkak të tendencave gjithnjë më të shprehura të kapjes së shtetit nga matrapazë dhe oligarkë politikë që po i mbajnë peng institucionet shtetërore dhe ekonominë e vendit

 Nga Gani Bajrami, Prishtinë

Qytetarët me të drejtë vote të Republikës së Kosovës serish do të dalin në votim më 14 shkurt 2021 për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen 15 muaj pas zgjedhjeve të fundit të 6 tetorit 2019, që po ashtu ishin të parakohshme. Ndonëse zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019 u cilësuan si zgjedhje të shpresës, shumë shpejt kapësit e shtetit e përmbysën atë shpresë, duke e rrëzuar Qeverinë e Albin Kurtit me një komplot antidemokratik ende pa i bërë plot dy muaj. Me këtë komplot ata e grabitën pushtetin duke e lënë në opozitë partinë fituese të zgjedhjeve – Lëvizjen Vetëvendosje. Këtij komploti i priu Hashim Thaçi, atëherë president i Kosovës, i ndihmuar nga Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, si dhe nga liderët e tjerë partiakë, duke e implikuar në këtë komplot edhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe administratën amerikane kryesisht nëpërmjet emisarit të posaçëm të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, por edhe nëpërmjet Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Gjykatës Kushtetuese të Kosovës iu deshën më shumë se gjashtë muaj për të vendosur për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe për të konstatuar se Qeveria e Avdullah Hotit ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Si rrjedhojë Kosova shkon në zgjedhje të reja dhe tani plot një muaj na ndanë nga dita e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës, të cilat aq shpesh po mbahen si të parakohshme dhe me kosto shumë të lartë jo vetëm financiare. Ndodh kështu për shkak të tendencave gjithnjë më të shprehura të kapjes së shtetit nga matrapazë dhe oligarkë politikë, të cilët nuk po zgjedhin mjete për ta kapur shtetin në të gjitha segmentet e tij në mënyrë që të ushtrojnë kontroll të plotë politik dhe ekonomik në vend.

Të shpresojmë se elektorati i Kosovës tashmë është vetëdijesuar se është momenti i fundit që Kosova të ketë pushtet me legjitimitet dhe shtet me dinjitet, me institucione kredibile që nuk mund të përdhosën nga matrapazë politikë dhe nga parapolitika që ka lëshuar rrënjë bukur të thella tek ne, e njohur si prontomafia, e cila po vazhdon t’i mbajë peng institucionet shtetërore dhe ekonominë e vendit.

Sot secili njeri normal që logjikon esëll e ka të qartë se çfarë dëmi i sillën vendit dhe popullit nomenklaturat e udhëheqjes së deritashme. Shpresoj se kësaj radhe elektorati do të logjikon esëll më shumë se asnjëherë tjetër kur do të përcaktohet për votë. Nëse kjo ndodh atëherë në pushtet do të vijnë njerëz të ndershëm, të arsimuar dhe me një shkallë të lartë të intelektualizmit, të cilët dinë dhe duan të ndërtojnë e forcojnë shtetin, por edhe guxojnë t’ua tregojnë vendin gjithë atyre që janë përgjegjës për ngecjen për rreth dy dekada në shtetndërtim të Republikës së Kosovës, për varfërim gjithnjë e më të madh të vendit dhe për pasurim të tyre personal në dëm të shtetit dhe popullit.

RIKUJTO DHE VOTO

Çka duhet të rikujtojnë votuesit para se ta hedhin votën? Votuesit duhet të rikujtojnë se viti që shkoi ishte viti më sfidues i Kosovës që nga çlirimi, i cili vendit i solli shumë të këqija në të gjitha fushat e jetës. Nuk ishte vetëm pandemia botërore e korona virusit që në një farë mënyre i goditi më së shumti kosovarët edhe për shkak të keqmenaxhimit, por edhe lëmshi i skenës politike e institucionale të Kosovës që kulmoi me komplotin e partive parlamentare kundër Lëvizjes Vetëvendosje, e cila doli fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019 dhe me rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit ende pa i mbushur dy muaj nga formimi i saj.

Votuesit duhet të rikujtojnë se është koha e fundit të ndërgjegjësohen dhe të shkunden nga letargjia politike, duke e parë në sy realitetin tragjik, i cili po rrezikon shtetësinë e Kosovës, por edhe qenien tonë kombëtare me braktisje të vazhdueshme të vendit dhe të shtetësisë. Ata duhet të rikujtojnë se kasta politike nepotiste e deritanishme e ka shndërruar vendin në një shtet privat të përmasave tribaliste dhe votën ta japin vetëm për ata njerëz që kanë një formim intelektual të kënaqshëm, një edukatë qytetare shembullore, një vetëdije të lartë kombëtare dhe vizion për ndryshime pozitive duke i shpallur luftë të pakompromis korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Para se të votojnë votuesit duhet të rikujtojnë se sa i kushtoi deri tash Kosovës komploti i rrëzimit të Qeverisë Kurti në marsin e vitit 2020 në kohë pandemie në aspektin material e moral, si dhe të mundohen ta llogarisin cila do të jetë kjo kosto edhe në të ardhmen, sidomos nëse nuk u prehet rruga tendencave për përsëritjen e skenarëve të njëjtë të kapësve të shtetit për ta marrë pushtetin pa votën e qytetarëve. Votuesit duhet të rikujtojnë përgjegjësinë për rreth 200 mijë euro për zgjedhjet e pa nevojshme të jashtëzakonshme për kryetar komunash në Podujevë dhe Mitrovicën Veriore, si dhe për rreth 6 milionë për zgjedhjet e tanishme, pra aq sa u shpenzuan për zgjedhjet e 6 tetorit 2019, e që po mbahen serish pas 15 muajve.

Para se të votojnë votuesit duhet të rikujtojnë se krahas pandemisë Kosovën e goditi shumë edhe politika korruptive antidemokratike e antikombëtare, e cila përmbysi shpresën e qytetarëve për ndryshime pozitive dhe sot thuaja çdo i ri mendon vetëm si ta braktis vendin. Votuesit nuk duhet të harrojnë se në shtetin më të varfër në Evropë ka më së shumti politikanë milionerë dhe komandantë të UÇK-së po ashtu milionerë dhe duhet të rikujtojnë se shumicën e veteranëve të luftës nuk kanë para as për mbijetesë. Nuk duhet të harrojnë se si rezultat i politikës kriminale veteranët e luftës në buxhetin e tyre kanë tre herë më shumë hisedarë veteranë të rrejshëm të luftës, të cilët zhvatin buxhetin e shtetit dhe u shërbejnë si klientelë komandantëve politikanë.

Votuesit duhet të rikujtojnë edhe përgjegjësinë institucionale për degradimin e sistemit shëndetësor, arsimor e kulturor, degradimin e ambientit me kaosin urbanistik, dëmtimin e pyjeve, shkatërrimin e shtratit të lumenjve, gërryerjen pa kurrfarë kriteri të kodrave e brigjeve… Duhet të rikujtojnë mashtrimin e madh me premtimet për liberalizim vizash të atyre që nuk qajnë kokën për liberalizim vizash, pasi ata për vete dhe familjarët e tyre mund të kenë pasaporta të Shqipërisë e të Serbisë, madje edhe pasaporta diplomatike.

VOTË PËR GUXIM DHE NDËSHKIM

Votuesit duhet t’ia rikujtojnë vetes se votën e meritojnë vetëm ata njerëz të ndershëm, të arsimuar dhe me një shkallë të lartë të intelektualizmit, të cilët dinë dhe duan të ndërtojnë e forcojnë shtetin e jo çifligjet e tyre fisnore e klanore. Votën e meritojnë vetëm ata që guxojnë t’i thuan stop të keqes dhe tua tregojnë vendin gjithë atyre që Kosovën dhe popullin e saj e katandisën buzë humnerës. Votuesit nuk duhet ta hedhin votën pa i rikujtuar vetvetes se shumica e atyre që deri tani ishin në pushtet me veprimin e tyre e katandisën Kosovën në gjendjen e paperspektivës dhe popullin e saj e shpurën buzë mjerimit.

Para se ta hedhin votën, votuesit duhet të rikujtojnë përgjegjësinë për llogaridhënie, respektivisht papërgjegjësinë e pushtetarëve dhe të vendosin t’i ndëshkojnë për shkak se ata me veprimin e tyre të papërgjegjshëm po ndikojnë që Kosova të ketë në vazhdimësi jo-stabilitet institucional dhe politik me pasoja për shtetin dhe popullin. Votuesit duhet të rikujtojnë çfarë parlamenti e qeverie patëm. Të rikujtojnë kabinetet qeveritare të Qeverisë Haradinaj dhe Qeverisë Hoti me numër enorm ministrash e zëvendësministrash, këshilltarësh e zyrtarësh të ndryshëm vetëm për ta zhvatë sa më shumë buxhetin e shtetit. Duhet rikujtuar se në këto dy megaqeveri kishte zyrtarë të shumë madje edhe në poste të rëndësishme jo vetëm si këshilltarë pa fakultete e ndonjë edhe pa shkollë të mesme. Po ashtu duhet rikujtuar edhe mënyrën e plotësimit të posteve diplomatike dhe të bordeve të ndërmarrjeve publike me njerëz joprofesionalë, por familjarë të pushtetarëve dhe militantë partiakë.

Para se të votojnë votuesit duhet të rikujtojnë se si talleshin me elektoratin disa nga deputetët që e tjetërsuan votën dhe vullnetin e votuesit për interesa të ngushta. Votuesit nuk duhet t’i lënë pa ndëshkim ata deputetë dhe subjektet e tyre politike që tradhtuan vullnetin e votuesit duke e tjetërsuar votën e tyre për interesa të matrapazëve dhe oligarkëve politikë. Duhet t’i ndëshkojnë me mosvotim ata deputetë që sallën e Parlamentit të Kosovës e shndërruan në një log të debatit të turpshëm me grindjet politike dhe me gjuhën shumë vulgare ndërmjet veti. Gjuha fyese dhe denigruese ndaj kundërshtarëve politikë u bë diçka si shumë e zakonshme, madje në shumë raste nuk dallohej nga gjuha e rrugaçëve. Një numër i këtyre zyrtarëve me këtë gjuhë jo vetëm në rrjetet sociale e në media, por edhe në institucione shtetërore lansuan shpifje për njëri-tjetrin dhe këdo që i kundërshtoi apo kritikoi. Nga goja e tyre nxorën plot akuza drejtuar njëri-tjetrit për krime, tradhti, vrasje, hajni, manipulime, korrupsion, ndërsa prokuroria, policia dhe gjyqësori vazhdimisht heshtën.

Qytetarët që kanë të drejtë vote kur të dalin në vendvotime duhet të rikujtojnë procesin e privatizimit dhe plaçkitjet e fabrikave duke i lënë në rrugë mijëra punëtorë, njësoj si Serbia kur i përzuri nga puna në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar. Nuk duhet të harrojnë se në procesin e privatizimit oligarkët blenë nga një euro arin e tokave për t’i lënë djerrina, apo për të fituar pastaj me to mijëra euro në ari me anë të shpronësimit pasi i orientuan andej trasetë e autostradave, rrugëve magjistrale dhe ndërtimin e objekteve kinse në interes të qytetarëve.

Nuk duhet të harrojnë kurrsesi tradhtinë që pushtetarët ia bënë vendit duke i falë tokë të Kosovës në procesin e demarkacionit Maqedonisë e Malit të Zi, por as neglizhencën dhe papërgjegjësinë për gjendjen në veriun e Kosovës. Pra, para së gjithash ditën e votimit votuesit duhet t’i ndëshkojnë ata që paturpësisht e kërkojnë votën edhe pse me punën e sjelljen e deritashme e mashtruan Kosovën dhe popullin e saj. Duhet të ngulitet një herë e përgjithmonë në nderdijen tonë se ata që mashtrojnë një herë, do të mashtrojnë çdo herë.