Derisa merrej me pastrimin e shtëpisë, diçka u rrokullis me një zhurmë që prishi qetësinë, pasi tërhoqi fshesën e merimangave. Dhe nga pjesa e parketit ku ishte e rrinte ormani në korridor, doli ky topth i xhamtë, kjo sferë kristali, që tashti po e vërtit nëpër duar. Sikurse ta vërtiste botën. U mundua të kujtohej se si kishte hyrë kjo sferë rrumbullake aty, dhe diçka iu kujtua turbull, e nuk e lodhi mendjen më për të gjetur fijen që do ta shpinte deri te kujtimi që do ta shpjegonte këtë punë. Sidoqoftë, iu duk se edhe topthi i xhamtë ishte si glob dhe kishte brenda tij një pjesë të verdhë, që herë i dukej si diell, që siç thoshte gjëegjëza “me një lugë tlyn krejt botën e përlyn”, herë si gogëluq veze, që o do ngrente kryet e do dilte si zogth, o si topth akulloreje pas shpështjelljes së pëlhurës së bardhë. Për ca kohë u përhumb duke e vështruar, e u kthye me vështrim nga një lojë fëmijërore. Andej kah “loja me kilikerë”, siç quhej. Nuk shquhej për lojtar të mirë. Por kjo lojë i pëlqente. Luante ndonjëherë por edhe shikonte shokët kur luanin, diku në tokë, diku nëpër oborre. Sa ishte lojë e thjeshtë po aq ishte dhe e këndshme. Mund të luhej së paku me dy lojtarë, ose më shumë. Së pari hapej një vrimë në tokë. Kush arrinte i pari ta fuste kilikerin në vrimë fitonte të drejtën të gjuante i pari në drejtim të kiilikerit të kundërshtarit. Dhe ai i cili e qëllonte kilikerin me kiliker e fitonte atë. Ndonjëherë nga forca e goditjes ndonjëri prej topthave thërrmohej, i hiqej ndonjë copë, ose edhe thyhej përgjysmë. Më të pasionuarit e kësaj loje bëheshin edhe koleksionues të tyre, rrëfenin ngjarje e ndodhi garash, duelesh, humbjesh, fitoresh, mosmarrëveshjesh, e diç tjetër. U kthye aty ku ishte. Derisa shihte fëmijët e tij që kishin mosmarrëveshje për mjetet teknologjike, për telefon a kompjuter, mendoi se si do të mund t’i nxiste për t’u marrë me diç më atraktive që sadokudo do t’i largonte për një kohë nga lojërat e ekranet internetike. Dhe u hodh te koha e fëmijërisë së tij, te lojërat që e bënin ditën më të bukur, e më interesante. Vërtiste kilikerin në duar, pastaj e kapi me gishtin e madh e gishtin tregues, jo për të marrë në shenjë si dikur por duke formuar shenjën që ia kujtoi një skeç reklamues të një produkti ngyrëverdhë kripërash e erëzash, (ku figurë qendrore ishte portreti i një njeriu me rroba e kapelë kuzhinieri), përdorej mjaft në atë kohë, por që përdoret edhe sot. Ndërsa loja e lartpërmundur iu duk se më nuk luhet askund. Iu duk shenjë e mirë që ky kiliker i doli në udhën e kësaj dite, duke e nxitur të luante pak me fjalë.