Për zhvillimet që i solli pranvera e vitit 1981 ndonëse aq pak është folur e shkruar, nuk do të ndalem, por do të ndalem në zhvillimet pas atyre ngjarjeve. Pas 11 marsit e sidomos pas 26 marsit dhe 1 e 2 prillit të vitit 1981 e gjithë lukunia udbeske u lëshua në gjah duke ndjekur e burgosur të rinjë e të reja – nxënës e studentë dhe punëtorë shqiptarë jo vetëm në Kosovë por në gjithë hapësirën gjeografike shqiptare të pushtuar nga ish-Jugosllavia. Burgjet u stërmbushën me të rinjë e të reja aq shumë sa më nuk kishte vend në burgjet e Kosovës, për çka autoritetet shtetërore u detyruan t’i largojnë jashtë Kosovës, duke i deportuar nëpër burgjet tjera gjithandej Jugosllavisë.
Nga Ibish Neziri
Tema e trajtimit të të burgosurve politikë shqiptarë në Ish – Jugosllavi ka mbetur fare në periferi, ngase ata që do të duhej të merreshin me këtë temë, ishin të zënë duke e gjykuar Enver Hoxhën e sistemin e tij për burgosjet e shumta në Spaç, Burrel, Borsh, Bënçë e gjetiu, shumë prej të cilëve ishin bërë lidhur me agjentura të ndryshme dhe për vjedhje, përmes të cilave paskëshin dashur ta „dëmtonin sistemin socialist“.
Për këtë simpozium, kam zgjedhur të flas për trajtimin e të burgosurve politikë shqiptarë në burgun e Gospiqit në Kroaci, në të cilin në mënyrën më çnjerëzore u torturuan 75 shqiptarë, të cilët në dy grupe i kishin sjellur nga burgjet e Kosovës. Grupi, i parë prej 49 vetash, më 15 nëntor të vitit 1981 dhe i dyti, prej 26 vetash, më 9 prill të vitit 1982.
Nga Prishtina në Gospiç, mund të arrihej përmes tri rrugëve: Prishtinë – Beograd Zagreb – Gospiq, përmes linjës hekurudhore, dhe tokësore, distanca 1112 km, Prishtinë – Sarajevë – Gospiq 849 km si dhe Prishtinë – Podgoricë – Gospiq 826 km.
Në bazë të një shkrese, të cilën nga burgu i Lepogllavës në dimrin e vitit 1982, e ka nxjerrur Avdi Limani në një pako cigaresh duke i thënë së shoqes Nexhmijes dhe vëllait Nazimit merreni se sigurisht merziteni dhe ndezeni rrugës ndonjë cigare. Vizitën e ka mbikëqyrur Ukshin Bici, i cili ka ditur edhe ta bëjë „syrin qorr“.
Pas arritjes në Kosovë, letra i ipet Sami Abdullahut, e ky e qon personalisht në Zvicër dhe ia dorëzon të vëllait, Kadriut, anëtar i LPRK-së, dhëndërr i Avdiut, i cili e përcjell tutje te organet drejtuese të organizatës.
Letra është e nënshkruar nga 14 të burgosur. Është e përkthyer në gjuhën gjermane, franceze, italiane, dhe angleze. E botuar në gjuhën gjermane është gjetur në arkivin personal të Sali Sadikut, tani i ndjerë. Ajo është botuar në maj të vitit 1983 nga „LËVIZJA POPULLORE PËR NJË REPUBLIKË SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI“ në formë broshure me titull „GEFANGENE IN JUGOSLAËIEN – ANKLAGESCHRIFT ALBANISCHER GEFANGENER IN JUGOSLAËIEN“ (TË BURGOSURIT SHQIPTARË NË JUGOSLLAVI – AKUZË E TË BURGOSURVE SHQIPTARË NË JUGOSLLAVI). Është botuar edhe në „Zëri i Kosovës“ nr.2 të vitit 1983, në faqën 3 dhe 4 me titull „Një dëshmi rrënqethëse e satrapisë jugosllave“, duke u bërë njëra ndër dëshmitë më rrënqethëse për keqtrajtimin e të burgosurve politikë shqiptarë në burgun kroat të Gospiqit.
Një kopje e shkresës ka arritur edhe në Selinë e Amnestisë Internacionale, gjë që edhe këtë organizatë me renome, e ka vënë në lëvizje, duke bërë që Melanie Anderson, njëra ndër zyrtaret e larta të udhëtojë në Zvicër për t’u takuar me njërëzit e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Shkresës së përkthyer i është shtuar shprehja „Jugosllavia fashiste“, për çka zonja Anderson i qorton rëndë duke iu thënë se „edhe këto që janë në letër, pa atë fjalë, janë të mjaftueshme që Jugosllavia të nxirret në bankën e të akuzuarve.“
Deportimi i të burgosurve
Ditën e 12 nëntorit të vitit 1981, ende pa u bërë aktgjykimet të plotëfuqishme, në sallën e vizitave të burgut të Qarkut të Prishtinës e mblodhën një grup të burgosurish prej rreth 100 vetash. Pak para orës 15.00 i ndanë nga grupi 49 të burgosur, të cilët pasi i lidhën dorë për dorë, duke ua shtërnguar prangat tej normave, i futën në dy furgona – autoburgje, të cilët pas 17 orë udhëtimi përmes dajakut e torturave në Beograd dhe Zagreb dy vendndalje, arritën në burgun e Gospiqit.
Grupi i dytë prej 26 personash, ndonëse në shkresë thuhet sa ka arritur më 26 prill, në burgun e Gospiqit ka arritur pasditën e vonshme të 9 prillit të vitit 1982. Me këtë rast vlenë për të theksuar se në shkresë nuk janë të përmendur të gjithë emrat e të burgosurve politikë shqiptarë në këtë burg, gjë që është plotësisht e kuptueshme, por vetëm disa.
Me që është e pamundur që për këto 10 minuta të përmendën të gjitha ato që janë ushtruar mbi të burgosurit politikë shqiptarë në burgun e Gospiqit, në mënyrë përmbledhëse janë përfshirë trajtimi dhe torturat më të rënda të ushtruara, ndonëse është vështirë, ngase secila torturë mbi secilin të burgosur, ka qenë e tmerrshme.
Nëse i referohemi shkresës, torturat fillojnë që në Prishtinë, posa të burgosurit iu dorëzohen njësive speciale. Zhveshja lakuriq, jo për kontroll, por për poshtrim, pastaj lidhja dorë për dorë dhe shtyrja me goditje shqelmash, grushtash e tyta të automatikëve, futja në autoburgje, mbyllja hermetikisht e dyerve, qëndrimi në vend për kohë të gjatë, gjë që çoi deri në alivanosjen e shumicës së të burgosurve, s’kishin si të quheshin ndryshe pos torturë.
Ndonëse ata nuk e dinin se ku, po dërgoheshin në Burgun e Qarkut të Gospiqit. E veçantë e këtij burgu ishte se numri i gardianëve të punësuar ishte i vogël, por me sjelljen e të burgosurve politikë shqiptarë, u plotësua me gardianë vullnetarë nga burgjet tjera gjithandej Kroacisë udhëhequr nga motoja „kush don të rrahë shqiptarë!“ të cilët me të arritur fillonin ushtrimin e torturave nga më të rëndat.
Ballafaqimi i parë me dhunën
Me arritjen në Gospiq, shqiptarët, u ballafaquan me dhunën, e cila për rreth 13 muaj nuk do të ndryshoj, por do të shfaqet në mënyrën më të vrazhdë të mundshme si në formën psiqike, ashtu edhe në atë fizike.
Fillimisht posa u hapën dyert e autoburgjeve, komandanti i deportimit kishte shprehur kënaqësinë me „disciplinën“ ngase për mosdiciplinë, kishin qenë të detyruar t’i përdornin armët dhe aq sa do të kishte nevojë, të vriteshin. Posa të burgosurit i fusin në një sallë, i detyrojnë të zhveshen lakuriq dhe ashtu të zhveshur sulmohen me kërbaç, grushta, shqelma, kundak armësh nga një grup i madh milicësh, të cilët më parë kishin qenë në gjendje gatishmëria rreth e rrotull oborrit. E gjithë kjo ndodhte para syve të drejtorit të burgut Mile Shpolariq, një gjakpirës, i cili edhe me pamje dukej si komandanti i kampit të përqëndrimit në Aushvic, Rudolf Höss. Milicët dhe gardianët sikur bënin gara se kush po rrah më shumë. Të burgosurit N. B. ia hapën gojën me forcë dhe ia futën në fyt kërbaçin, A.Z. e shtrinë përdhe dhe njëri nga gardianët ia futë çizmën në gojë duke i bërtitur që ta lëpijë, H.O. poashtu e shtrinë përdhe me dajak dhe ia thyen edhe hundën. Njësoj e pësoi edhe J. R. ndërkaq SH. D. ia shkulën mustaqet. A. L. poashtu e kishin shtrirë përdhe dhe i mëshonin, si thuhet, „për së neti“. Edhe N. B. poashtu i mëshonin dhe kohë të gjatë nuk i janë shëruar plagët. Goditjet bëhëshin në pjesët më të ndieshme të trupit, në kokë, në gjoks, në regjionin e veshkave, në organet gjenitale „që të mos lindin më irridentistë“.
Pasi i gjithë korridori „u la“ në gjak dhe gardianët u lodhën duke rrahur, të burgosurit i shpërndanë nëpër dhoma duke urdhëruar qëndrim gatitu.
Pas dy orësh qëndrimi në këmbë, të lidhur për dore dy nga dy, i dërguan te mjeku për kontroll. Ata, nga qelitë deri te mjeku kaluan përmes një kordoni gardianësh, i cili në serbisht quhet „mrtva shiba“. „Mrtva Shiba“ në Serbi ka filluar të praktikohet prej vitit 1804. I burgosuri me këtë dënim është detyruar të kalojë përmes kordonit me numër të caktuar ushtarësh apo milicësh disa herë, dhe secili ushtarë ka qenë i detyruar ta godas të burgosurin nuk ka mundur më të ecë, e pastaj e kanë vënë në karrocë dhe e kanë tërhequr karrocën përmes kordonit, duke e goditur edhe më tutje. Kjo mënyrë torturimi shpesh ka përfunduar me vdekje prandaj edhe është quajtur „Mrtva shiba“- Kordoni i vdekjes.
Çelitë
Hapësira ku të burgosurit i kalonin këto ditë të tmerrshme, ishin dhoma të vogla me gjatësi rreth 3.5 metra dhe me gjërësi rreth dy metra. Në çeli ishin tre të burgosur. Shterërit kishin në tre kate, njëri mbi tjetrin. Mes shtratit dhe murit, ishte një tavolinë për të ngrënë dhe dy banka druri nga një metër për t’u ulur në to, një legen, një kofë pesëlitërshe uji për 24 orë, dhe një qypë për nevojat fiziologjike, i cili mbushej me tri urinime, ndërkaq pastrohej një herë në 24 orë. Kapaku i këtij qypi ishte i shtypur, qëllimisht për të mos e mbajtur kundërmimin e jashtëqitjeve. Hapësira mes shtratit të tretë dhe tavanit ishte rreth 60 cm, ndërkaq hapësira mes shtratit dhe murit anësor ishte aq e gjërë sa të mund të lëvizte një njeri, pa i prekur krihët në mur apo shtrat, me kusht që të mos ishte i trashë.
Çelia lartë e kishte një dritare të vogël, gjysmë harkore, me hekura të trashë nga e cila depërtonin drita dhe ajri që gjithmonë ishin të paktë.
Torturat
Të burgosurit shqiptarë, gjatë gjithë kohës së qëndrimit në këtë burg, gjatë daljes dhe kthimit nga shetia, e cila mund të zgjaste më së shumti 10 minuta, me duar të lidhura prapa shpine dhe me kokën ulur, kalonin përmes kordonit të gardianëve nëpër shkalla dhe shkalla dhe kate.
Motivi për torturë ekzistonte, ndërkaq shkasi gjendej gjithmonë. Hapej dera dhe pyetej: „ cili foli?“ Nëse ndonjëri lajmërohej, ai nxirrej jasht dhe rrahej deri sa shtrihej i dërmuar e i përgjaur e shpesh edhe pa ndjenja, në korridorr, pastaj nxirrej tjetri për ta pastruar gjakun dhe pasi korridori pastrohej nga gjaku, rrahej edhe i dyti e edhe i treti. Nëse asnjëri nuk paraqitej, përsëri rraheshin që të tre sipas metodës së parë. Herën tjetër nuk pyetej kush foli, por „pse po qeshni“, ose „se po qeshë ti? Dil jashtë!“, dhe përsëritej rituali i pastrimit të gjakut të shokut në dyshemenë e korridorit.
Qëndrimet 3-4 orëshe në pozicion gaditu ishin bërë përditshmëri, ashtu sikurse edhe ngritja e qëndrimi gaditu, me urdhër, kur binin këmbanat e kishës.
Mënyrë tjetër torturimi ishte pastrimi dhe lustrimi i korridorit rreth 60 metrash. Kishte raste kur të burgosurit detyroheshin që me brushë të dhëmbëve ta pastronin e ta lanin korridorin dhe pastaj me ca lecka ta ternin, ta lyenin me një krem dhe në fund me një batanije, me një dyshek mbi dhe me një të burgosur që zgjedhej nga gardiani, të ulur mbi dyshek, të cilin e tërhiqnin dy tjerët, sikur kuajt vllaçën, të bëhëj lustrimi i korridorit.
Cilindo ta lësh pa e përmendur sa i përket torturës, i hyn në hak, sepse nuk ka mbetur i burgosur i patorturuar fizikisht dhe psiqikisht. Ka rastisur të burgosurit, t’i ipej laps e leter dhe t’i thuhe: „Shkruaje letrën e fundit për familjen se sonte do të të pushkatojmë!“ Kjo ka ndodhur sidomos me më të rinjtë. Ndezja e zjarrit, afrimi i të burgosurit te zjarri dhe kërcënimi se do të digjet në zjarrë poashtu ishte torturë që është provuar nga shumë. Presioni për bashkëpunim me autoritetet e burgut poashtu ishte i tmerrshëm.
Ushqimi
Ushqimi ishte tmerrësisht i neveritshëm. Shpesh në pjatë bashkë me gjellën me patate, me fasule, grur dhe misër të përzier, me rrepa të bardhë, apo me lakra vinte edhe ndonjë copë lëkure derri krejtësisht me qime, apo edhe krejt veshi i derrit, apo buçka. Në gjellën me bizele shpesh kishte krimba dhe po të mos e haje gjellën, kuptohet, e haje atë specialitetin jugosllav – dajakun.
Higjena
Me ligjin mbi sanksionimin e dënimeve penale, larja dhe pastrimi ishin e drejtë elementare e të burgosurit, por edhe këtë e kishin shndërruar në torturë. Të burgosurit dërgoheshin në grupe prej 12 vetash për t’u larë, një herë në 15-20 ditë, mirëpo sa fillonte rrjedhja e ujit, gjithësesi të burgosurve ua kujtonte dhomat e gazit të Mathauzenit apo Aushvicit, të lexuara nëpër libra të ndryshëm.
Me urdhërin e gardianit: „Vllado, vodu!“ uji ose vinte krejtësisht i ftohtë ose i valë, që ishte i padurueshëm dhe bënte që të burgosurit me shpejtësi të largoheshin drejt zhveshtores. Gardianët që ishin aty çirreshin dhe goditnin sa mundnin me kërbaç. Vlladoja e ndalte ujin. Të burgosurit shtyheshin drejt dushave dhe prap pasonte urdhëri: „Vllado, vodu!“ dhe gjithëçka përsëritej. Të burgosurit nuk arrinin dot ta largonin as zdralin e as shamponin nga trupi.
Përkujdesja shëndetësore
Mjekut të burgut edhe vetë Dr. Mengele nacist do të ia kishte lakmi. Edhe pse trupat e të burgosurve gjithnjë ishin krejtësisht të mavijosur, për të gjithçka ishte në rregull.
Shtypi
Shtypi, nëse parapaguhej nga të burgosurit, ishte i lirë, por ai cenzurohej, dhe nëse në një artikull përmendej edhe një aksident komunikacioni në Kosovë, i hynin gërshërë. Të burgosurit ishin krejtësisht të privuar nga çdo lajm prej Kosove.
Disa nga gardianët që shërbyen në këtë burg
Gardianët të cilët u shquan për torturimin e të burgosurve ishin: Gjura, Miça, Sllavek, Shubek, Vinko, Stevo Shetiq, Nikolla nga Lepogllava, dy vëllezërit Bogdanoviq, Ratomir Shevo, Nijaz, Steva nga Stara Gradishka, Dushani dhe Borisi nga Goli Otoku, Gjura, Ivica, „Nikolla i vogël“, „Nikolla i gjatë“ nga Gospiqi dhe shumë të tjerë që nuk iu janë mësuar emrat, secili më gjakpirës se tjetri. Në mesin e tyre ishte edhe një qyqar shqiptar nga burgu i Goli Otokut, të cilit ia kishin ndërruar emrin për të mos e kuptuar se ishte shqiptar. Ishte ky Agim Sejdiu nga Studenica e Burimit, të cilin e quanin Pero. Ky përgjonte te dyert se çfarë flisnin të burgosurit dhe iu raportonte urdhërdhënësve. Rezultati gjithnjë ishte i tmerrshëm. Rrahjet e zakonshme deri në alivanosje. Mirëpo ky farë Pero-je u zbulua shpejt. Të burgosurve nuk iu linin shkrepsa në dhomë, por cigaret ua ndiznin sipas tekave të tyre – torturë e llojit të vetë. Kur ua ndizte „Pero“ cigaret, instiktivisht dora i shkonte në zemër dhe shumë shpejt filloj të qarkulloj informata se „Pera është shqiptar!“
Fundi i Golgotës së Gospiqit
Aty diku nga fundi i prillit të vitit 1982 filloi bartja e të burgosurve nëpër burgjet tjera kroate, fillimisht nëpër burgje hetuese e pastaj edhe në shtëpitë ndëshkimore dhe deri më 8 qershor i larguan nga aty 69 të burgosur grupe-grupe, duke i lënë F.H., H.K., I.N., N.K. ,R.A. dhe SH.B., deri në muajin tetor. Gjatë kësaj kohe sikur gardianët ishin lodhur duke torturuar dhe e rralluan torturën fizike. Rrahje kishte, por ato ishin jo të përditshme. Edhe pastrimi i korridorit nuk ishte më i përditshëm por gjithësesi shumë i mundimshëm. Shetitja mbetej e njëjtë. Maksimalisht 10 min. Larja bëhëj sipas disponimit të gardianit që i shoqëronte të burgosurit. Provokimet të përhershme. Ushqimi njësoj i tmerrshëm dhe nëse mbetej i pangrënë, i burgosuri detyrohej me dhunë ta hante.
Në tetor nga, urgu i Gospiqit i hoqën edhe F. H, H.K, R.A dhe SH. B. ndërkaq për më tutje mbetën I.N. dhe N.K. Nga mesi i nëntorit e larguan edhe N.K. Në katin e katërt të këtij burgu mbeti vetëm I.N., i vetmi i burgosur politik shqiptar, por edhe i vetmi në katin e katër, në dhomën nr. 92.
Në mëngjesin e hershëm të 2 dhjetorit, pasi ia lidhën duart, nën përcjelljen e tre gardianëve e hipën në një autoburg të vogël dhe e dërguan në stacionin e trenit të Gospiqit dhe nga këtu, i shoqëruar nga dy gardianë, me tren deri në Zagreb, ku përsëri e priste një autoburg tjetër.
Pas një qëndrimi të shkurtë në burgun „Petrinjska“ 7, me një grup të burgosurish ordiner, I. N. e dërguan në burgun e Stara Gradishkës. Një javë më vonë deri sa në karantinë kryhej kontrolli mjekësor, në peshore, i veshur me rroba dimri, erdhi vetëm 46 kilogram. Skelet i gjallë.
Me këtë edhe përfundon golgota e burgut të Gospiqit, të cilën krenar dhe të pathyer e mbijetuan të gjithë.
Disa nga ata njerëz që i përjetuan torturat më të rënda në burgun e Gospiqit nuk janë më në jetë, ndërkaq shumica prej tyre janë të gjallë, punojnë dhe e japin kontributin e tyre edhe më tutje për atdheun, dikush brenda e dikush jashtë vendit, gjithësesi krenar për të kaluarën e tyre!
Heronjë të heshtur!
Ibish Neziri, Buchs, Janar 2018
















