Kobure, apo poture?

1.

Albin Kurti ditën e parë të javës shkoi në punë në këmbë. U shfaq vetë në rrjetet sociale. Bukur! Ka menduar edhe për imazhin e vet, edhe për buxhetin e Kosovës, edhe për ruajtjen e ambientit. Por, ditët e tjera Kryeministri i ri shkoi në punë me një këmbë. Me padëshirë. I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Grenell, kishte çuar haber: Deri në fund të javës të hiqet taksa për produktet serbe! Dhe, se mos vendeset ndonjë reciprocitet! Si i bëhet kësaj?

Sikur t’i ishte dhënë rasti t’i fliste atij, besojnë ithtarët e Kurtit, do t’ia mbushte mendjen. Mbase do t’ia zbuste zemrën… Por ka qëlluar nga ata diplomatë amerikanë që i njohim nga memoaret politike, i cili s’të bën hesap. Më e keqja është se revani i diplomatit amerikan mund të mos lidhet patjetër me humbjen e durimit nga zvarritja e arritjes dhe zbatimit të marrëvshjeve Serbi-Kosovë. Mund të jetë se Presidentit Amerikan i intereson një sukses i shpejtë… në politikën e jashtme për një mandat të dytë.

Me këtë vijmë te ligjërimet e Kurtit opozitar, se presioni i të huajve përqëndrohet aty ku qëndresa është më e vogël… Në fund ai u përkul ca, duke bërë një zgjidhje të ndërmjeme, e cila i kënaq vetëm disa evropianë. Nuk e kënaq as presidentin e tij, i cili kohëve të fundit është shndërruar në një aktor të natës, dhe ditën e ka vetëm për nënshkrime! “Gjarpër më!”, thonë disa. Po Kurti “gjarprin” e ka në gji. Zëvendësi nga partneri qeverisës u shfaq këto ditë në media më shpesh se ai…!

2.

Majlinda Kelmendit iu ngrit një përmendore në qytetin e lindjes së saj, Pejë. Një përmendore për nderin që i ka sjellë vendlindjes së ngushtë dhe të gjërë me performansën e saj të jashtëzakonshme në duelet botërore të xhudos. Gjithë ato medalje të para! Nuk njoh një tjetër që ta kishte ngritur emrin e Kosovës së pavarur më fort se ajo.

Në paraqitjet e saj në media, Kelmendi nuk më është dukur më pak e fortë se në dyluftimet e saj marciale, të cilat duan jo më pak mend sesa forcë. Gjithsesi duan më shumë mend se të japësh një intervistë për mediat tona. Ajo impresionon me saktësinë, kompetencën, rrjedhshmërinë, modestinë, vizionin. Një zonjë e zonja dhe e mençur. Për medalje të artë!

Me rastin e përurimit të përmendores së saj, ajo nuk m’u duk më për medaljen e artë. Më mungoi sidomos modestia dhe vizioni që e ka karakterizuar. Sikur ta kishte lënë për më tutje përmendoren? Mbase nuk mundej ndryshe. Mbase. Po provoj ta marr me mend se çdo të thotë të të vardisen njerëzit. Sidomos mediokrët. Por prapë… Sado kudo…

Më kujtohet shembulli i cares gjermane të Rusisë, Katerina e II-të. Ajo ishte bërë shumë e merituar për përparimin e Rusisë. Nëse nuk lajthis, ajo e kishte refuzuar t’i ngrisin përmendore për të gjallë. Prisni njëherë, kishte thënë. Vërtet s’i dihet si vjen puna. Shihni si janë katandisur politikanët, që dikur udhëtonin në konferenca ndërkombëtare me bomba në brez.

3.

Këtë javë, u raportua në media, Anglia ia ka kthyer Kosovës koburet e Isa Boletinit. Ato kobure të veshura me serm t’floririt… Kobure që Burri i Kosovës i kishte dorëzuar sipas zakonit të nikoqirit në pritjen që i kishte bërë ministri i jashtëm anglez delegacionit të shqiptarëve. Delegacionit, i cili kishte shkuar t’u thoshte atyre që ata nuk kishin toka për të ndarë e për të falur. Dhe u kishte provuar aglezëve të zgjuar se nuk e kishin çarmatosur, se ua kishte hedhur ai me një tjetër kobure të ruajtur në brez… Ashtu si e thonë këngët.

Një ngjarje e jashtëzakonshme! Një rapsod i mirë, a një poet i fortë do të kishte thurur diçka të bukur dhe me ndonjë porosi të paharruar. Unë pyes me vete: Ç’farë do të gjejnë ndonjëherë studiuesit nga pritjet e politikanëve tanë në kancelaritë e botës: Kobure, apo poture?