Fillim i mbarë i vitit shkollar në Firajë buzë majës së Lubotenit

Në ditën e parë të vitit vendosëm që për portalin tonë prointegra.ch të vizitojmë shkollën  fillore “Osman Mani” dhe gjimnazin “Kongresi i Manastirit”, ku nxënës e arsimtarë do ti përvishen edhe këtë luftës për shkencë e dije

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Tash kur portali ynë prointegra.ch, do të përqendrohet jo vetëm në mërgatën tonë në Perëndim, por për aq sa arrin do të përcjell ngjarje e aktivitetet edhe në trojet etnike, siç ishte rasti sot edhe me një vizitë të qëllimtë në fshatin malor në Firajë, buzë vargmaleve të Sharrit, në kuadër të fillimit të vitit shkollor

Duke vizuar për pak çaste si shkollën fillore, ashtu edhe gjimnazin, mësojmë se edhe në këtë anë ka rënie të numrit të nxënësve, por jo në atë masë si në disa fshatra tjera me popullsi shqiptare, që thuaja se banorët shqiptarë janë  shpërngul plotësisht në drejtim të Ferizajt apo në mërgatë.

Nga drejtori i gjimnazit Fekir Sahiti mësojmë se gjimnazi “Kongresi i Manastirit”,  me gjithsej 18 mësimdhënës, aktualisht ka 8 paralele, si dhe një klasë të drejtimit hotelier-turistik.

Ndërsa drejtoresha e shkollës fillore nëntëvjeçare, “Osman Mani”; Ganimete Xhemajli , tregon se nga viti në vit ka zvogëlim të numrit të nxënësve, ndërsa që tash ka gjithsejtë 187, kurse me mësimin e mbajnë 24 arsimtar, kurse me personelin ndihmës, kolektivi numëron 32 vet.  Në këtë shkollë pamë se derisa fillonte një vit shkollor, ish arsimtarët e më hershëm që kishin punuar në kushtet e okupimit kishin ardhur për të nxjerr stazhin e punës. Po ashtu në korridoret e shkollës vërejtëm tekstet e reja shkollore që do tu ndahen nxënësve gjatë këtij viti shkollor. Për një çast sa për një foto vizituam edhe klasën ku arsimtari i matematikës Llukman Ilazi mbante orën e parë të mësimit në këtë vit të ri shkollor.

Me këtë vizitë në shoqërim të ish shokut tim nga normalja e Ferizajt, që kishte qenë edhe arsimtarë apo drejtor në këto shkolla, Selman Sylejmani, deshëm të ndajmë gëzimin e fillimit të vitit të ri shkollor.

Aq më parë në objektin e shkollës fillore, kur nga pozita e gazetarit të “Rilindjes” gjysmë shekulli më parë pata marrë pjesë në përurimin e objektit shkollor. Atbët dhe diç më herët në këtë anë shumë pak kishte vjaza që ndiqnin klasat e larta e le më shkollat e mesme tregon ish- mësuesi në pension Daut Islami, babai i të cilit Elezi një brez para tij kishte kontribuar në tubimin e vajzave të kësaj ane për të ndjek kurset e para kundër analfabetizmit.

Edhe derisa isha korrespondent i “Rilindjes” në Ferizaj, me shumë ëndje vizitoja këto fshatra malore, siç janë Brodi, Firaja, Kashtanjeva, Viça e Bitija, apo Izhanci e Burrniku, ku popullata në disa nga to thua se është shpërngulë plotësisht. Aq më parë që popullata shqiptare në masë të madhe diskriminohej nga udhëheqja serbe e komunës së Shtërpcës.

Ndërsa që gjatë luftës së fundit plotësisht u dogjën shtëpitë e fshatrave shqiptare, me qëllim që të zbrazej kjo anë në popullata shqiptare. Porse me të përfunduar të luftës, organizata Akapanamur thuaja se ngriti shumicën e shtëpive të rrënuara, por kontributi më i madh ishte gjithsesi i vet popullatës vendase të Firajes e Brodit, kryesisht nga ajo pjesë që jeton në mërgatë.

Por edhe mjaft nga të shpërngulurit tash kanë filluar ti kthehen këtyre fshatrave me shtëpi, thuaja se me karakter turistik, pasi këto anë ofrojnë bukuri të mëdha natyrore por edhe ofrojnë kushte edhe për zhvillimin e blegtorisë dhe pemëtarisë, që dikur kanë qenë burime kryesore të banorëve të kësaj ane.

Me këtë rast bibliotekës së gjimnazit në Firaj i dhurova librin tim : “Shqiptarët në Zvicër-1001 pamje”